Takohen Berisha dhe Bahtiri: Argatët e caktuar të Vuçiqit në Prishtinë po duan ndarjen e Kosovës

Aktuale

Takohen Berisha dhe Bahtiri: Argatët e caktuar të Vuçiqit në Prishtinë po duan ndarjen e Kosovës

Nga: A.ZH Më: 18 gusht 2018 Në ora: 14:11
Pamje nga takimi Berisha-Bahtiri

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, është takuar në Tiranë me ish presidentin dhe ish kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, me të cilin ka biseduar situatën në Mitrovicë dhe për zhvillimet e fundit në vend.

Në deklaratën e bërë pas takimit, politikani i njohur shqiptar, Sali Berisha, tha se ishte kënaqësi e veçantë të takoj kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, që ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme dhe ka dhënë  kontribut thelbësor për ta bërë Mitrovicën një komunë të zhvilluar dhe të prosperueshme për të gjithë qytetarët e saj, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

Ai shprehu admirimin e tij për atë që Bahtiri ka bërë për Mitrovicën, për zhvillimin e saj, duke shtuar se  në momentin kur Aleksandër Vuqiq iu përkushtua tërësisht realizimit të synimeve të kamotshme të Serbisë për të tjetërsuar territorin e Kosovës në dobi të Serbisë, Bahtiri shprehu shqetësimin e tij të thellë, prandaj edhe u bisedua edhe për këtë çështje.

“Të dy jemi kategorik se integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pa prekshëm dhe i shenjtë për të gjithë shqiptarët. Është mjerim i madh të shikosh se si Vuqiq idenë e tij e të Serbisë për gllabërimin e territorit të Kosovës, po e shet tek njerëz të caktuar në Prishtinë, edhe pse të gjithë shqiptarët e dinë, por edhe të tjerët, se Serbia nuk ka në Kosovë as edhe një metër tokë të saj”, tha Berisha.

Sipas tij, kufijtë aktual të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, janë sanksionuar me aktin e shpalljes së pavarësisë së saj, me pakon e presidentit Ahtisari, me vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, me njohjen nga ana e 115 shteteve të botës, prandaj askush nuk ka të drejtë, nuk mund dhe nuk guxon t’i nëpërkëmbë këta kufij për qëllime përfituese të Serbisë.

“Agim Bahtiri gjykon se Mitrovica e Veriut është peng e bandave kriminale të telekomanduara nga Serbia. Unë ndaj me Agimin shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit. Uroj që Agimi dhe faktorët tjerë politik në Kosovë, tu japin përgjigjen e duhur  serbëve e Beogradit dhe argatëve të tyre në Kosovë, se nuk duk të ketë tjetërsim të territorit të Kosovës”, u shpreh Berisha.
Po ashtu, Berisha shtoi se nuk është interes i shqiptarëve dhe as interes i qytetarëve të Ballkanit të hapet kutia e Pandorës, që të ridizajnohen kufijtë, sepse atëherë pasojat do të ishin të rënda për të gjithë.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pasi falënderoi ish kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha për pritjen e ngrohtë dhe bisedën shumë të frytshme, tha se angazhimi i Berishës lidhur më zhvillimet e fundit lidhur me Kosovën, është kontribut për paqe në Ballkan.

“Pata nderin të bisedoj me një njeri shumë të çmuar, politikanin më të njohur e të shuar shqiptar, siç është Berisha. Biseduam për Mitrovicën dhe për çështjet madhore të Kosovës e të shqiptarëve. Gjeta mbështetjen e fuqishme tek Berisha për qëndrimet e mia lidhur me Mitrovicën dhe zhvillimet e fundit, përkatësisht për mos lejimin e humbjes të asnjë pëllëmbe të territorit të Kosovës. Berisha është fuqimisht i përkushtuar për paqe në Kosovë dhe në Ballkan. Unë e falënderoj shumë për mbështetjen që më dha dhe për interesimin e tij të vazhdueshëm për Mitrovicën, Kosovën dhe çështjen kombëtare”, tha Bahtiri.

Image
Pamje nga takimi Berisha-Bahtiri
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat