Agim Çeku: S’kam kurrfarë faji për listat e veteranëve

Aktuale

Agim Çeku: S’kam kurrfarë faji për listat e veteranëve

Më: 18 gusht 2018 Në ora: 11:30
Agim Çeku

Agim Çeku ka thënë se ende s’e ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me një aktakuzë të Prokurorisë Speciale ndaj Komisionit për Verifikimin e veteranëve të UÇK’së. Ka thënë se nuk ndihet fajtor derisa do të flasë më shumë vetëm nëse i zyrtarizohet akuza.

Në mesin e tyre është edhe ish-udhëheqësi i UÇK’së, Agim Çeku, i cili ka udhëhequr procesin në fund të luftës dhe pasluftës.

“Kur të bëhet zyrtare flas. S’kam kurrfarë faji në këtë drejtim”, ka thënë Çeku.

“S’du me komentu më shumë. S’ka asgjë zyrtare”, ka shtuar ai.

Aktakuza e prokurorit të dorëhequr është bllokuar në Prokurorinë Speciale. Ende nuk është dërguar në Gjykatë pavarësisht se posa prokurori të nënshkruan një aktakuzë e njëjta duhet të përcillet për në institucionin që ndan drejtësinë.

Në ditën kur u dha lajmi se është dorëhequr prokurori, institucioni i akuzës lëshoi një njoftim se ka vetëm hetime por jo edhe aktakuzë për mashtruesit e statusit të veteranit. Pastaj, u tha se ka draftakuzë, një përkufizim që s’është i njohur në Kodin Penal, dhe se drafti i aktakuzës është vetëm derisa Prokurori e ka të panënshkruar aktakuzën.

Sidoqoftë, dëmi që i bëhet Shtetit, sipas aktakuzës së nënshkruar nga Prokurori i dorëhequr, është afër 40 milionë euro në vit.

Pas kësaj aktakuze pritet që e njëjta të zgjerohet dhe të merren Prokuroritë Themelore. Pritet të dalin para gjyqit edhe veteranët mashtrues, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë të gjitha mjetet e vjedhura të Shtetit. Madje, nëse nuk kanë të holla, Shteti mund t’ua konfiskojë edhe pasuri për eurot e shtetit që kanë zhvatur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat