Lekaj: Borxhi ndaj “Bechtel&Enkas;" mund të rritet

Aktuale

Lekaj: Borxhi ndaj “Bechtel&Enkas;" mund të rritet

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 15:44
“Bechtel&Enka"

Nëse Qeveria e Kosovës nuk arrinë që ta paguajë me kohë borxhin ndaj konzorciumit “Bechtel&Enka;”, borxhi mund të rritet edhe më shumë. Prej më shumë se 53 milionë euro sa është borxhi aktual, nëse pas nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës, marrëveshja nuk fillon të zbatohet, kjo shifër mund të rritet.

Shuma prej 53 mlionë eurove që Qeveria e Kosovës i ka borxh “Bechtel&Enkas”, mund të rritet edhe më shumë. E gjithë kjo nëse Qeveria nuk arrin që ta paguajë borxhin deri në fund të këtij viti, kur edhe parashihet të kryhet kjo pagesë.

Se borxhi mund të rritet e ka konfirmuar edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Lekaj ka thënë se borxhi ndaj “Bechtel&Enkas”, si penallti për vonesat në pagesa nuk ka filluar të paguhet, ngase ende nuk është nënshkruar marrëveshja.

Deklaron se janë në pritje të vlerësimeve shtesë nga “Hill International”. Por, thotë se ky projekt pritet të përfundojë shumë shpejt dhe se është i tëri transparent.

“"Borxhi" nuk ka filluar të paguhet, ende nuk e kemi nënshkruar, jemi në pritje edhe të disa vlerësimeve shtesë që i kemi kërkuar përmes Njësise tonë për Zbatimin e Projektit poashtu edhe të Organit Mbikqyrës "Hill International" dhe kështu kur t'i kemi të gjitha, do të ndodhë edhe procedura e nënshkrimit i cili është nje akt krejt formal. Me rëndësi është, se i tërë procesi është e do të jetë transparent dhe ky projekt do të perfundojë shumë shpejt”, ka thënë Lekaj.

Deklaron se ky borxh mund të rritet nëse pas nënshkrimit nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës nuk fillon të zbatohet. Gjersa, shton se për këtë ekziston vendimi i Qeverisë dhe se të tjerat janë vetëm çështje procedural.

“Tani për tani jemi në dijeni të gjitha palët se ky proces është në "standby", por nuk do të mund ta shtyjmë pafundësisht edhe për këtë jemi të vetëdijshëm. Por meqë ekziston vendimi i qeverisë për këtë çështje, të tjerat janë vetëm cështje procedurale dhe pak a shumë kohore”, tha Lekaj.

E nga Konsorciumi “Bechtel&Enka” kanë zgjedhur të heshtin për këtë çështje.

Media ka dërguar pyetje në këtë kompani për të marrë më shumë informacione rreth kësaj çështje, por ata kanë sugjeruar që këto përgjigje t’i drejtojmë në Qeverinë e Kosovës.

“Komunikimi ynë me Qeverinë e Kosovës mbetet periodik dhe institucional. Ju lutem referojuni institucioneve përkatëse në lidhje me veprimet që ato duhet të kryejnë”, ka thënë zëdhënësja e “Bechtel&Enka”-s, Ela Ruçi.

Kompania ndërtuese “Bechtel-Enka” në fund të muajit nëntor 2017 dorëzoi një dokument në Ministri me pretendimin prej 63 milionë eurosh.

Kompania pretendimin e bazoi në emër të zgjatjes së kontratës në më shumë se një vit. Kështu për pagesën dhe për mbajtjen e personelit menaxhues të nevojshëm për administrimin e projektit “Bechtel” kërkoi 16.6 milionë euro, për pajisjet të cilat do të duhej të përdoreshin gjatë kësaj periudhe kërkoi 30.8 milionë euro, ndërsa 10 milionë euro tjera për ndërprerjet e shkaktuara gjatë periudhës 2014-2017. Por, më pas borxhi ishte ulur për në 53 milionë euro së bashku me TVSH-në.

Për 53 milionët që iu dhanë “Bechtel&Enkas”, edhe Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet.

Në Prokurorinë e Shtetit kanë thënë se së bashku me Policinë janë duke mbledhur të dhëna për të parë nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale e cila mund të ndiqet sipas detyrë zyrtare.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të “Bechtel&Enkas”, projekti i autostradës do të përfundojë në fund të 2018-ës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat