Katër litra verë italiane ‘Amaron’ në vlerë prej 320 eurosh ka paguar shteti në faturën e datës 3 mars 2012 të nënshkruar nga Abelard Tahiri shefi i kabinetit të ish Kryeministrit,Hashim Thaçi.
Tahiri në dosjen SaHanShefi ka qenë i autorizuar të nënshkruaj faturat e kryeministrit Thaçi.
Fatura e mesnatës së datës 3 mars 2012, i ka kushtuar arkës së shtetit 406 euro, ku 320 prej tyre janë shpenzuar në verë italiane.
Veç 4 litrave verë, kjo faturë përmban raki dardhe ‘Viliamov’, levrek në grill, që kushton 10 euro, perrqini steak 3 copë nga 10 euro e 90 cent, respektivisht 33 euro dhe sallatë gorenje 4 copë në vlerë 16 euro. Po ashtu edhe 10 shishe ujë në total 20 euro.
Gjithë fatura 406 euro e 70 cent.
Më vendim të Kryeministrit, Hashim Thaçi, në qershor të 2012tës, Abelard Tahiri si shef i kabinetit të tij ishte autorizuar që të nënshkruante të gjitha faturat në emër të Kryeministrit.
Ndërsa këshilltarët e lartë politik të zëvendëskryeministrave ishin autorizuar të nënshkruajnë në emër të ZV KM-ve. Kurse për faturat mbi 500 euro, këshilltarët e lartë politik ishin të obliguar të konsultohen me shefin e kabinetit të Kryeministrit.
Kallxo ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.
Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.