Prokurori i dorëhequr po hetonte manipulimet me lista të veteranëve

Aktuale

Prokurori i dorëhequr po hetonte manipulimet me lista të veteranëve

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 17:08
Ilustrim

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë kanë reaguar pas dorëheqjes së zyrtarit të lartë nga sistemin e drejtësisë i cili, me punën e tij kanë qenë duke hetuar raste të ndryshme, e të konsideruara si të ndjeshme.

Prokurori Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje. Ai thuhet se ishte duke hetuar disa raste të terrorizmit dhe dyshimet për manipulime me listat e veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie ka thënë se është ditë e pikëlluar për sundimin e ligjit në Kosovë, pas dorëheqjes së prokurorit special, Elez Blakaj, si pasojë e kërcënimeve që kishte pranuar për shkak të punës së tij.

“Është dekurajuese të dëgjosh lajmin për dorëheqjen e prokurorit special, Elez Blakaj, posaçërisht pasi ai po punonte në çështje të rëndësishme, siç janë mashtrimet e mëdha në listat e veteranëve”, ka thënë Delawie.

Delawie ka thënë se Blakaj ka marr mbështetjen e Qeverisë amerikane gjatë disa studimeve që ai kreu në SHBA.

“Kosova duhet të dëshmojë përkushtimin e saj për sundim të ligjit, jo vetëm duke mbështetur prokurorët, por gjithashtu duke siguruar që të gjithë ata që janë të dënuar të vuajnë në burg vitet e tyre të dënimit”, ka thënë Delawie.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dënuar kërcënimet ndaj prokurorit Blakaj dhe ka theksuar se sistemi i drejtësisë është “hallka më e rëndësishme në forcimin e perspektivës evropiane” për Kosovën.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, institut ky që monitoron punë e sistemit të drejtësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se atmosfera e punë në sistemin prokurorial të Kosovës është e dëmshme për të gjitha ata prokurorët që kanë integritet të punojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

Sipas Musliut, prokurori Blakaj tashmë ka përgatitur aktakuza për disa persona që dyshohet se kanë manipuluar me listat e veteranëve, mirëpo këto aktakuza nuk janë dërguar në gjykatë.

"Fakti që ky prokuror e ka pasur njërin prej rasteve më voluminoze dhe rastin më të madh realisht pas përfundimit të luftës, dëshmon që ngritja e aktakuzës nga ana e tij, dhe mosdërgimi në gjykatë nga ana e Prokurorisë Speciale, ka pasur probleme të shumta të cilat dëshmojnë se ka qenë një atmosferë e papërballueshme për ta vazhduar punë në sistemin prokurorial. Prandaj, në këtë sistem, me këto kritere e standarde të ndërtuar përmes ndikimit politik është e pamundur që prokurorët me integritet ta vazhdojnë punën. Prandaj, besoj edhe në ketë drejtim ky ka qenë edhe vendimi i këtij prokurori", tha Musliu.

Edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka reaguar pas dorëheqjes së prokurorit Blakaj, duke thënë se institucioni që ai udhëheq,zyrtarisht nuk është njoftuar se Blakaj ka dhënë dorëheqje për shkak të kërcënimeve.

“Sidoqoftë, dëshirojmë të informojmë opinionin se prokurori Blakaj, përderisa ishte duke hetuar rastin e njohur në opinion si ‘Lista e veteranëve të UÇK-së’, kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve të luftës dhe se gjatë punës së këtij komisioni ka pasur kanosje, për të cilën edhe është hapur rasti si i tillë në Policinë e Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media dërguar nga Kryeprokuroria e Shtetit.

Kryeprokurori i Shtetit njofton se Policia, më herët, pas raportimit të kanosjes ka shtuar patrullimet në vendin e punës së prokurorit Elez Blakaj.

Blakaj po ashtu kishte pranuar një mesazh kërcënues në rrjetin social Facebook, por megjithatë pas raportimit të këtij rasti në Polici, ai ishte deklaruar se nuk ndihet i kërcënuar.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë ndër më të kritikuarit për joefikasitet, mospërmbarim të lëndëve si dhe për nivel të lartë të korrupsionit.

Raporte të ndryshme vlerësuese vendore dhe ndërkombëtare kanë theksuar se qytetarët në Kosovë edhe më tej nuk e kanë besimin e duhur në sistemin e drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat