Dorëheqja e prokurorit Blakaj, vjen sqarimi nga Kryeprokurori i Shtetit

Aktuale

Dorëheqja e prokurorit Blakaj, vjen sqarimi nga Kryeprokurori i Shtetit

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 13:11
Foto ilustrim

Kryeprokurori i Shtetit informon opinionin në lidhje me shkrimet e sotme në pothuajse të gjitha mediat dhe portalet për dorëheqjen e prokurorit të PSRK-së, Elez Blakaj, duke thënë se Kryeprokurori i Shtetit zyrtarisht asnjëherë nuk është informuar me shkrim nga Blakaj se ka pasur ndonjë kërcënim në lidhje me punën e tij.

“Zyrtarisht, deri më sot ne kemi pranuar vetëm dorëheqjen e tij, të cilën e ka drejtuar te Kryeprokurori i PSRK-së, z. Reshat Millaku. Sidoqoftë, dëshirojmë të informojmë opinionin se prokurori Blakaj, përderisa ishte duke hetuar rastin e njohur në opinion si “Lista e veteranëve të UÇK-së”, kishte marrë informacione se Komisioni i Mjekëve në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte duke u marrë me përcaktimin e statusit të invalidëve të luftës dhe se gjatë punës së këtij komisioni ka pasur kanosje, për të cilën edhe është hapur rasti si i tillë në Policinë e Kosovës”, thuhet në sqarim.

Kërkesa e prokurorit Blakaj është shqyrtuar dhe Policia e Kosovës ka vendosur të shtojë patrullimet në vendin ku komisioni po punonte si dhe në vendosjen e kontakteve të kohëpaskohshme në mënyrë që procesi të vazhdojë sipas planifikimit. Megjithatë, prokurori Blakaj nuk ka raportuar për këtë rast se ka ndonjë kërcënim ndaj tij.

Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit ka informacione se prokurori Blakaj në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” ka pranuar një mesazh kërcënues me fjalët: “Dënoi kriminelët, e jo hoxhallarët”, kurse më pas prokurori Blakaj e ka raportuar në polici, ku ka deklaruar se veten nuk e ndien të kërcënuar.

Policia e Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e prokurorit Blakaj dhe të nesërmen ka filluar me ofrimin e përcjelljes së fëmijëve të prokurorit Blakaj. Edhe në këtë rast, policia ka hapur rast hetimi ndaj kërcënuesit të prokurorit Blakaj.

“Sapo të kemi ndonjë informatë tjetër nga prokurori Blakaj, Kryeprokurori i Shtetit do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore konform mandatit dhe obligimeve ligjore. Ndërsa, për rastet – lëndët që ka pasur në punë prokurori Blakaj është kërkuar që të ndahen te prokurorët e tjerë në kuadër të PSRK-së dhe asnjë zbrazësi nuk do të lejohet në hetimin e plotë dhe të pavarur të secilit rast, pra edhe të rasteve në fjalë”, përfundon komunikata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat