“Izolohet” Hashim Thaçi

Aktuale

“Izolohet” Hashim Thaçi

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 21:02
Foto ilustrim

Kërkesa e Presidentit për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, që ai po e quan korrigjim të kufirit, ka hasur në kundërshtim të madh.

Faktori politik në vend, po e kundërshton prekjen e kufijve, ndërsa Thaçi po “izolohet” me këtë ide edhe nga miqtë ndërkombëtarë.

Kryeministri Ramush Haradianaj, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për mundësinë e prekjes së kufijve, ka thënë se do të nënkuptonte luftë.

“Ndarja për mua është luftë, unë këtë e them pa hezitim dhe është rrezik me fol për ndarje…”, deklaronte Haradinaj.

Edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, u deshtë kohë të pozicionohet për këtë çështje.

“Sovraniteti dhe integriteti i shtetit për neve janë të pacenueshme. Çdo deklaratë tjetër, çdo qëllim tjetër, më tepër është lojë për me nxitë pasiguri, frikë dhe paqartësi, që më së paku i bën dobi Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka deklaruar Veseli.

Ndërsa kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se problemi i Luginës, nuk rregullohet me logjikën e korrigjimit të kufijve.

“Korrigjimi i kufirit është çështje minore. Nuk rregullohet problemi i Kosovës Lindore me logjikën e demarkacionit të korrigjimit të kufijve”, kishte deklaruar Kurti.

Gjithashtu edhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa është shprehur se deklaratat për korrigjim kufijsh janë retorikë shterpe dhe e rrezikshme.

“Njëri premton se e marrim Luginën e Preshevës dhe nuk japim asgjë, e tjetri se korrigjimi i kufijve shkakton luftë, por të gjithë qeverisin bashkërisht, së bashku i ndajnë rolet, së bashku paraqiten në Bruksel dhe bashkërisht mundohen të mashtrojnë opinionin. Nuk i besohet as njërit e as tjetrit. Në Ballkan nuk ridefinohen kufijtë mbi baza etnike – as me referendum të njëanshëm dhe as me konferenca për shtyp”, ka shkruar ai.

Shefi i grupit parlamentar të Nismë Socialdemokrate, Bilall Sherifi deklaratat e shefit të shtetit i quan të rrezikshme dhe nuk përkojnë më interesat e Kosovës.

Por, Presidenti Thaçi nuk po përkrahet as në arenën ndërkombëtare. Kancelarja gjermane, Angela Merkel thotë se kufijtë nuk preken.

“Çështja e parë është integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një gjë e shenjtë dhe këtë duhet ta përsërisim gjithnjë, sepse gjithnjë ka përpjekje për të diskutuar mbi kufijtë. Këtë ne nuk mund ta bëjmë. Ekziston një perspektivë evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat