I dënuari me 30 vjet burgim që u arratis nga Burgu i Dubravës shfaqet në Beograd

Aktuale

I dënuari me 30 vjet burgim që u arratis nga Burgu i Dubravës shfaqet në Beograd

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 18:18
Avni Osmani, i fotografuar në Beograd rreth një javë më parë

Është shfaqur në Beograd Avni Osmani, i dënuari me 30 vjet burgim për vrasje nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe i arratisuri nga burgu i Dubravës në shtator të vitit të kaluar.

Osmani, i cili ishte shpallur fajtor për vrasjen e 24-vjeçarit Kastriot Zogiani në Fushë Kosovë më 2004, kishte qëndruar 13 vjet në Burgun e Dubravës deri në shtatorin e vitit të kaluar, kur ishte arratisur nga burgu dhe kishte zhdukur gjurmët.

Mirëpo, Insajderi ka siguruar një fotografi të Avni Osmanit. Ai është shfaqur në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, rreth një javë më parë.

Osmani ishte shapllur fajtor për një vrasje të rëndë dhe misterioze.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, të 30 nëntorit 2009, Avni Osmani, i lindur më 1983 në Sllatinë të Madhe, pas një mbrëmje të kaluar në vendin e quajtur “Te Kalaja” në Fushë-Kosovë, më 28 tetor të vitit 2004, me një revolver kishte privuar nga jeta Kastriot Zogianin nga fshati Harilaq.

Avni Osmani kishte shtënë 12 herë në trupin e viktimës. Prej tyre 10 ishin goditje me armë ndërsa 2 ishin me armë zjarri. Shënjestra ishte pjesa e pasme e viktimës, e plagët e shkaktuara i shkaktuan edhe vdekjen të ndjerit.

Për ndihmë të Avni Osmanit ngarkohej edhe Fitim Breznica i cili kishte ndihmuar Avniun për kryerjen e veprës penale. Fitimi, sipas aktgjykimit të atëhershëm, ka ndihmuar për të shmangur zbulimin e veprës penale duke fshehur trupin e pajetë të Kastriot Zogianit në një vrimë të mbushur me ujë dhe të mbuluar me qese plastike.

Po ashtu, i njëjti e ka hedhur armën e krimit në lumin Drenica.

Për këtë vepër Avni Osmani u dënua me 30 vjet burg ndërsa Faton Breznica me 4 vjet e 7 muaj burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat