Balaj lë fajtor shtetin për vrasjen e grave, konferencën e policisë e quan kamuflim

Aktuale

Balaj lë fajtor shtetin për vrasjen e grave, konferencën e policisë e quan kamuflim

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 19:00
Nazlie Balaj

Nazlie Balaj nga Lëvizja Vetëvendosje ia ka vënë përgjegjësinë shtetit në lidhjen me rastet e vrasjeve të grave në familje, ndërkaq konferencën e sotme të policisë e quajti kamuflimit të skandalit të tyre.

Ky reagim i Balajt vjen disa ditë pasi Valbona Nrecaj me të bijën u vranë nga bashkëshorti i saj, e që ngjalli reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës që sot në Gjakovë organizuan marsh protestues.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Balaj, e ka fajësuar shtetin për rastet e vrasjeve të grave, duke thënë se këto raste po vijnë si pasojë e mosfunksionimit dhe papërgjegjësisë së institucioneve.

Reagimi i Balajt vjen disa ditë pas rastit shokues ku Valbona Nrecaj me të bijën ishin vrarë nga burri i saj, i cili më herët ishte arrestuar pikërisht për dhunë ndaj saj.

“Kemi frikë që Valbona nuk do të jetë rasti i fundit për shkak se e kemi shtetin i cili në një farë forme është shndërruar në vrasës të grave për shkak të mosreagimit dhe papërgjegjësisë totale të institucioneve që kanë vartësi shtetërore”, ka thënë Balaj në Info Magazine.

Partia në të cilën ajo bën pjesë, sipas saj është angazhuar shumë në adresimin e dhunës në familje, mirëpo Balaj argumenton që shteti nuk duhet të mjaftohet në luftën ndaj dhunës vetëm me konferenca e tryeza.

“Si Lëvizje [Vetëvendosje] e kemi adresuar shumë herë çështjen e dhunës në familje edhe përmes parlamentit”, vijoi ajo duke përmendur iniciativën e 8 Marsit ku kjo parti politike kishte organizuar debat parlamentar ku do të fillohej punë e duhur ndaj dhunës në familje.

“Është për çudi se si çështja e dhunës familjare po e përfundojnë vetëm në tryeza të rrumbullakëta, në seminare dhe konferenca ,dhe këtu po mjafton te shteti që çështja e dhunës në familje po ngritet njëherë në vit”.

Balaj tha se adresimi i dhunës në familjet duhet bërë në baza ditore, pasi që numri i rasteve vetëm sa po shkon duke u rritur secilin vit.

Ajo u bëri thirrje deputeteve dhe deputetëve të të gjitha partive politike që ta adresojnë saktë çështjen e dhunës në familje.

“Dhuna duhet të trajtohet si krim dhe krimi duhet të trajtohet prej aspektit penal, dhe jo nga aspekti civil”.

“Dorën në zemër, fajin dhe përgjegjësinë më të madhe e ka shteti si shkelës i drejtpërdrejtë i të drejtave të njeriut të cilat janë të garantuara me kushtetutë, dhe rezoluta që janë në kuadër të kushtetutës”.

Balaj u ankua se ligjet as që po implementohen në praktikë ashtu si duhet, dhe sipas saj kjo është papërgjegjësi totale e institucioneve.

“Nuk kemi të bëjmë me dominim të burrave apo grave, por me mosfunksionim të ligjit dhe papërgjegjësi totale ndaj institucionit”.

Ajo kritika të ashpra pati edhe për konferencën e sotme të mbajtur nga policia të cilën e konsideroi si kamuflim të mënyrës se si e kishte trajtuar rastin policia.

“Konferenca e sotme për shtyp e Policisë, Prokurorisë dhe Mbrojtësit të Viktimave, për mua si qytetare dhe si aktiviste, por edhe si Lëvizje Vetëvendosje, është një lloj kamuflimi apo mbulimi i skandalit të policisë sa i përket rastit në fjalë”.

“Çdo raportim mbi kërcënimin, policia e ka për obligim me ligj që ta ndërtojë shkallën e rrezikshmërisë ndaj atij kërcënimi”.

“Dhe në bazë të shkallës së rrezikshmërisë, pa e pyetur viktimën, t’i ofrojë mbrojtje pavarësisht, deshi apo s’deshi viktima”.

“Konferenca e sotme për shtyp e Policisë dhe Prokurorisë është që ta mbulojnë vetveten nga papërgjegjësia që e kanë pas ndaj rastit në fjalë”.

Ajo madje i akuzoi institucionet si të kapura dhe të përfshira në krim dhe korrupsion, duke thënë se policia nuk guxon ta paragjykojë rastin në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat