Kalon “rreziku” në Kosovë: Policët u kthehen pushimeve, pjesëtarëve të FSK-së askush nuk ua prishi rehatinë

Aktuale

Kalon “rreziku” në Kosovë: Policët u kthehen pushimeve, pjesëtarëve të FSK-së askush nuk ua prishi rehatinë

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 14:19
Foto ilustrim

Pjesëtarët e Policisë të cilëve u ishin ndërprerë pushimet, sërish janë liruar nga detyra për t’i vazhduar ato. Nga ana tjetër, përkundër alarmeve për gjendjen e sigurisë në vend, që kishte shtyrë Policinë deri te ky urdhër, pjesëtarëve të FSK-së për asnjë moment në javët e fundit nuk u është prishur rehatia e pushimeve

Alarmet e peshkopit serb Sava Janjiq, se në fundjavën që ka shkuar, në Kosovë mund të ketë tensione etnike të nxitura nga serbët, mobilizuan Policinë e Kosovës. Pjesëtarët e saj u urdhëruan që t’i ndërpresin pushimet verore, dhe t’i kthehen uniformës për të qëndruar në gatishmëri në rast trazirash në ditën kur serbët e Kosovës do të përfundonin draftin për krijimin e Asociacionit të Komunave të tyre në Kosovë.

Por krejt kjo ishte vetëm për pak ditë. Në fillim të kësaj jave, policët të cilëve u ishte ndërprerë pushimi e kanë vazhduar sërish atë. 

Zyra për Informim e PK-së, në një përgjigje, ndonëse nuk është përgjigjur konkretisht, kanë lënë të kuptohet se pjesëtarët e saj tashmë janë kthyer në pushime, porse të njëjtit bëjnë me dije se kanë të mobilizuar staf të mjaftueshëm për çfarëdo situate gjatë kësaj periudhe. 

“Orari i punës, orët shtesë, pushimet dhe çështje tjera janë të precizuara në këto udhëzime e rregullore. Policia është duke kryer detyrat e saj të rregullta duke i zbatuar udhëzimet edhe sa i përket pushimeve vjetore me të cilat parashihet se sa personel mund të shkojë në pushim”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Urdhrin për t’ua ndërprerë pushimet pjesëtarëve të saj, e kishte dhënë Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Kosovës, gjatë javës së shkuar. Kjo, sipas tyre, në bazë të “planifikimeve operacionale për realizimin e detyrave në mënyrë sa më efikase”.

E për dallim nga policët, pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës askush nga eprorët e tyre nuk ua ka prishur pushimet, përkundër paralajmërimeve dhe rrezikut për tensione etnike në Kosovë. 

Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e FSK-së, gjatë kësaj jave, ka konfirmuar se në FSK nuk ka pasur asnjë urdhër të ngjashëm me atë të Policisë për t’i ndërprerë pushimet. 

“Ne FSK nuk ka ndonjë urdhër për të ndërprerë pushimet e pjesëtarëve të saj”, ka thënë ai, duke shtuar se gjendja, sipas tyre, është e zakonshme dhe nuk ka arsye për mobilizim. 

“Nuk ka asnjë gjendje mobilizimi është situatë e zakonshme pune, FSK-ja është duke zhvilluar aktivitete sipas planit vjetor të veprimit që ka”, ka thënë Shala në një përgjigje, në fillim të kësaj jave. 

Media të premten e shkuar ka raportuar për vendimin e Policisë së Kosovës dhe për rrezikun që kanë para autoritetet e sigurisë në vend për disa veprime jokushtetuese që gjoja po planifikonin grupet paralele të serbëve në Kosovë t’i ndërmarrin gjatë vikendit që të shkuar në Kosovë.

Për këto zhvillime, që u quajtën “skenar i errët” i pari, dhe publikisht, ka folur prifti serb Sava Janjiq, gati një javë para 4 gushtit kur pretendohej se planifikoheshin të ndodhin. 

Megjithatë, deklaratat e tij fillimisht u konsideruan boshe, dhe u injoruan. Një gjë të tillë e bëri edhe vetë presidenti kosovar Hashim Thaçi. 

Sikur Thaçi, Janjiqit nuk i besoi as presidenti serb Aleksandër Vuçiq, duke i emërtuar ato si “përralla fashiste”. 

Por, murgu serb i Manastirit të Deçanit insistonte. “Këto nuk janë thashetheme çnjerëzore, por informata që i kemi marrë”, thoshte ai para më shumë se një jave. 

Në fakt, në fund gjithçka doli thashetheme. Vikendi kaloi i qetë, duke ua prishur vetëm pjesëtarëve të Policisë rehatinë e pushimeve! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat