Thaçi: Korigjimi i kufijve nënkupton, jo ndarje për Kosovën, jo autonomi për serbët

Aktuale

Thaçi: Korigjimi i kufijve nënkupton, jo ndarje për Kosovën, jo autonomi për serbët

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 11:13
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se do ta dorëzojë në Bruksel kërkesën për bashkimin e Luginës. Madje, ai përkrah edhe ndryshimet kushtetuese nëse është e nevojshme për të realizuar këtë bashkim. Sipas Thaçit, nëse Kuvendi i Kosovës nuk i gatshëm për ndryshime të tilla, atëherë do të shkohet me referendum, që siç tha ai, janë duke përgatitur pyetjen për qytetarët, se a duan bashkim me Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Në konferencën për gazetarë, të cilat i ka shpeshtuar kohëve të fundit, Thaçi përmendi Liqenin e Ujmanit, ku tha se do të mbetët pjesë e Republikës së Kosovës.

Kryetari i shtetit të Kosovës ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë e tij për bashkimin e Republikës së Kosovës me Luginën. Por, sipas Thaçit, kjo në asnjë formë nuk nënkupton shkëmbim territoresh, ndarje të Kosovës, apo autonomi për serbët.

Sipas Thaçit, korrigjim i kufijve, të cilin presidenti në vazhdimësi po e përmend, nënkupton bashkëngjitjen e plotë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, në Republikën e Kosovës.

Thaçi: Nuk do të ketë autonomi për serbët

“Synimi im nuk është ndryshimi i kufijve, është korrigjimi i tyre, kemi rreth 400 kilometra kufi që duhet të ndodh si demarkim mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Korrigjimi i kufijve nënkupton bashkëngjitjen e plotë, në tërësi të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Republikën e Kosovës. Që duhet të jetë një proces i rregullt dhe transparent, llogaridhënës, paqësor mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Nëse ndodh pajtueshmëri e dyanshme, atëherë askush nuk do të dalë kundër, dialog transparent, marrëveshje paqësore, dhe vullnet i dyanshëm. Koha e luftës ka përfunduar, e theksoj, nuk do të ketë ndarje, nuk do të ketë shkëmbim, nuk do të ketë autonomi. Korrigjim mund të ketë nëse ndodh pajtueshmëri e dyanshme”, thotë ai.

Sipas Thaçit, kjo është mënyra e vetme për të legjitimuar kërkesën e qytetarëve.

Sipas tij, 90 për qind të qytetarëve të Kosovës dhe 98 për qind të shqiptarëve të Luginës, janë të gatshëm për bashkim. E këtë konstatim presidenti e nxjerr nga disa matje që thotë se i kanë bërë.

Thaçi: Jemi duke përgatitur pyetjen për referendum

“Nëse është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit,  qysh sot jam për ndryshim të Kushtetutës. Kushtetuta e Kosovës ka ndryshuar tash e tre herë që nga shpallja e Pavarësisë, andaj nuk është mëkat nëse ndryshon Kushtetuta dhe Lugina i bashkëngjitet Kosovës, çka ka të keqe këtu. Nëse Kuvendi i Kosovës nuk është i gatshëm ta bëjë këtë, atëherë referendumi është kategori kushtetuese të cilën mund të organizojmë me pyetjen e qartë, të cilën veç jemi duke e përgatit për qytetarët e Kosovës a janë në favor që t’i bashkëngjitet Lugina Kosovës, po ose jo, shumë e thjeshtë ,e qartë”, tha ai.

Por, sipas presidentit, do të jetë shumë e vështirë të arrihet një gjë e tillë. 

Tutje, në konferencën për gazetarë, Thaçi tha se gjithçka çka ka të bëjë me ndarje, shkëmbim apo autonomi, nuk kanë të bëjnë me adresën e tij.

Sipas tij, për këtë flet Beogradi dhe propaganduesit e tjerë serb.

Thaçi: Ujmani do të mbetët pronë e Republikës së Kosovës

“Edhe sa i përket Ujmanit, ka qenë është dhe do të mbetët pronë e Republikës së Kosovës. Dhe tezat që hapen poshtë e lartë janë lajme të fabrikuara me qëllime të caktuara”, tha Thaçi.

Ndërsa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, presidenti tha se do të themelohet sipas marrëveshjes së nënshkruar kohë më parë nga Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq.

Sipas Thaçit, marrëveshja do të kalojë në procedurë të rregullt të respektimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Por, presidenti ende nuk i ka dekretuar gjyqtarët e Kushtetuese. Kjo e fundit, ai tha se do të ndodh brenda javës.

***

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi edhe sot ka dal në një konferencë për gazetarë ku ka falënderuar mekanizmat e sigurisë dhe akterët politik që ishin të fokusuar për tejkalimin e çdo të papriture fundjavën që shkoi.

“Gjithë ky përkushtim i të gjitha institucioneve, mekanizmave ndërkombëtar dhe qetesia e qytetarëve bëri që mos të kemi asnjë incident. Gjithë ato lajme të rrejshme dëshmuan se janë larg prej realitetit”, tha presidenti Thaçi.

 Kosova sipas tij do t’i kryejë të gjitha obligimet që ka marr karshi marrëveshjes së Brukselit, edhe sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave serbe që nënkupton respektimin e Kushtetutës dhe marrëveshjes së Brukselit.

Sipas tij tema kryesore mbetet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe mundësitë për arritje të marrëveshjes definitive. Ky proces është i vështirë e i rëndë por i domosdoshëm.

Mundësitë për marrëveshje me Serbinë sipas presidentit  janë minimale,  por “ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që në fund të arrijmë marrëveshje definitive paqësore. Jam i përkushtuar për arritje të marrëveshjes dhe pas kërkesës së përfaqësuesve të Preshevës kam propozuar korrigjimin e kufirit me Serbinë, si mundësi e vetme për të legjitimuar kërkesat e shqiptarëve atje. Kjo nënkupton jo ndarje për Kosovën , jo autonomi për serbët”.

“Korrigjimi i kufijve nënkupton bashkëngjitjen e plotë në tërësi të Preshevës,  Medvegjës dhe Bujanocit me Republikën e Kosovës. Duhet të jetë proces transparent dhe paqësor mes Kosovës dhe Serbisë”, tha presidenti.

Presidenti Hashim Thaçi konferencë për media (Drejtpërdrejt)

Presidenti i vendit Hashim Thaçi mban konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat