Mazreku i ISPE-s kërkon shkarkimin e ministrit të Arsimit

Aktuale

Mazreku i ISPE-s kërkon shkarkimin e ministrit të Arsimit

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 20:10
Avni Mazreku

Mosakreditimi i programeve të Kolegjit ISPE, ka bërë që drejtuesit e këtij kolegji të vërsulen ndaj Ministrisë së Arsimit, e vecmas ndaj ministrit, Shyqyri Bytyi. Avni Mazreku nga ISPE, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Bytyçi.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka thënë se kjo Ministri vazhimisht po shantazhohet prej personave të kolegjit ISPE për t’ia akredituar kundërligjshëm programet e studimeve. Duke iu referuar një letre të drejtuar MAShT-it, ministri ka thënë se ajo përbën shantazh.

“Kjo letër është e një tipi të shantazhit e cila ka për qëllim të bëhet presion direkt në isntitucionet shtetërore për një paligjshmëri të kërkesave të institucionit ISPE”, ka thënë ministri gjatë një konference për media.

“Ajo çka dua të them është se ky presin nuk është tash që ISPE-ja bën ndaj institucionit tonë, por ka pasur një vazhdimësi të presioneve që në mënyrë të padrejtë t ëakreditohen programet, gjegjësisht të ndikohet në Këshillin Shtetëror të Cilësisë për akreditimin e programeve të këtij institucioni”, ka shtuar ai.

Bytyqi ka shprehur vendosmërinë e tij për ta përkrahur punën e institucioneve të pavarura.

“Ajo që dua të them është se ne jemi të vendosur që t’i respektojmë institucionet e pavarura, sepse në veaçanti kemi bërë një punë të jashtëzakonshme që të krijojmë një agjenci të akreditimit, një këshill shtetëror të cilësisë të pavarur dhe të pandikuar nga askush”, ka shtuar ai.

Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), e cila i ka dhënë të drejtë ministrisë së Arsimit, konkretisht Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Në reagimin e ORCA-së, thuhet që: ORCA është duke e monitoruar nga afër në 3 mbledhjet e fundit punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe çdo vendim të deritashëm të tij ORCA e konsideron në përputhje me ligjet dhe rregullativën në fuqi.

ORCA thekson se është për tu lavdëruar pozicioni i ashpër i ministrit ndaj tentativave të tilla të cënimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në anën tjetër i bën thirrje të gjitha subjekteve politike apo politikanëve që mund të kenë lidhje me institucione të arsimit të lartë në vend, të tërhiqen nga format e presioneve pasi të gjitha presionet do të luftohen e demaskohen publikisht dhe aktivisht edhe nga ORCA në të ardhmen.

Por, përvec që Kolegji ISPE, sipas Këshillit Shtetëror të Cilësisë, nuk i plotëson kriteret për akreditimin e disa drejtimeve, drejtori i këtij Kolegji kishte pasur punim diploma të doktoraturës false.

Avni Mazreku, i cili po kërkon dorëheqjen e ministrit Bytyi, ishte zënë me diplomë false, të cilën ia kishin revookuar Këshilli i Fakultetit Juridik në Universitetin e Bremenit, në Gjermani.

Hetimi kishte nisur pas publikimit fillestar të ueb-faqes “Vroniplag” për numrin e faqeve të temës së doktoratës që dyshohet se janë plagjiaturë.

Vendimi për revokimin e titullit të doktorit ishte konfirmuar për “Gazeta Jeta në Kosovë” nga Lorenz Kahler, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Bremenit në Gjermani, aty ku u doktorua Mazrreku.

“Këshilli i Fakultetit ka vendosur sot t’ia revokojë z. Mazrreku titullin PhD. Duhet pak kohë për ta lëshuar vendimin formal nga i cili deri më tani nuk ekziston një version me shkrim. Përveç kësaj, vendimi ka me çështje private prandaj nuk do të bëhet publik”, është përgjigjur Kahler për “Gazeta Jeta në Kosovë”

Në vitin 2009, Avni Mazrreku, si student nga Kosova, kishte mbrojtur temën e doktoratës në Universitetin e Bremenit në Gjermani, konkretisht në Fakultetin Juridik me temën “Integrimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor”.

Aso kohe, Mazrreku ishte mentoruar dhe vlerësuar nga dy profesorë gjermanë, Josef Falke dhe Hagen Lichtenberg.

Mazrreku hyri nën “llupën” e disa ekspertëve tjerë gjermanë disa vjet më vonë. Ueb-faqen Vroniplag”, e cila merret me verifikimin e punimeve që janë kryer në shtetin gjerman, kishte ngritur dyshime të bazuara për plagjiaturë në një pjesë të doktoratës së Mazrrekut.

Në vitin 2017, ekspertët e faqes “Vroniplag” vlerësuan punimin e doktoratës së profesor Mazrrekut duke publikuar çdo gjetje të disertacionit të tij.

Ata kanë analizuar 137 faqe të temës së doktoratës së Mazrrekut duke vlerësuar se në 100 faqe kanë tekste paralele, në klasifikime të ndryshme. Kjo ueb-faqe pretendon se një pjesë e tekstit është kopje fjalë për fjalë, pa u cituar fare burimi. Në një pjesë tjetër të tekstit nuk është cituar burimi, mirëpo përmbajtja është modifikuar. Ndërsa, një pjesë e punimit është cituar burimi, por nuk është specifikuar mjaftueshëm.

“37 faqe janë pa tekste paralele. 50 faqe kanë më pak se 50% tekste paralele. 27 faqe kanë prej 50% deri 75% tekste paralele. Dhe 23 faqe kanë më shumë se 75% tekste paralele”, thuhet në vlerësimin e “Vroniplag“.

Ekspertët e faqes “Vroniplag” kanë arritur që në të kaluarën të gjejnë raste tjera të plagjiaturave, që kanë rezultuar me revokim të titujve akademikë, madje edhe për përfaqësues të lartë të Bundestagut gjerman.

Pas këtyre gjetjeve, përfaqësuesit e faqes “Vroniplag” e kanë njoftuar Universitetin e Bremenit dhe mentorin Josef Falke mbi të gjeturat dhe dyshimet për plagjiaturë në rastin e temës së doktoratës së Mazrrekut.

Pas këtij publikimi, Universiteti i Bremenit në Gjermani kishte nisur një hetim për dyshimet e ngritura rreth tezës së doktoratës së Mazrrekut.

Këtë e ka konfirmuar për “Gazeta Jeta në Kosovë”, Lorenz Kahler, dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin e Bremenit në Gjermani, aty ku u doktorua Mazrreku.

“Dyshimi se teza e Doktoratës së z. Mazrreku ka pjesë me plagjiat ka ardhur në vëmendjen tonë vitin e kaluar. Siç parashihet në rregulloret tona e kemi filluar menjëherë hetimin, i cili drejtohet nga Komisioni i Doktoratës”, kishte thënë dekani Kahler.

Për dyshimet e plagjiaturës në temën e Avni Mazrekut, kishte qenë në dijeni edhe Josef Falke, mentori i profesor Mazrrekut.

Falke kishte thënë se më 16 gusht 2017 është informuar përmes një letre nga koordinatori i “Vroniplag”, ku ai ia kishte dërguar Komisionit të Departamentit Juridik të Universitetit të Bremenit.

“Në këtë letër ai i bëri të ditura dyshimet për plagjiat në disertacionin e Avni Mazrrekut. Letra ishte përcjellë bashkë me një listë të përkohshme të shembujve të plagjiaturës (sistematike?)”, pati thënë Falke.

Ai kishte thënë se menjëherë kishte njoftuar anëtarët e komitetit të doktoratës në mbledhjen e 25 tetorit 2017.

“E kam bërë të qartë se lista e përkohshme e shembujve të plagjiaturës së disertacionit të Avni Mazrrekut janë vetëm maja e ajsbergut”,kishte thënë Falke, mentori i profesor Mazrrekut.

Heshtja e Mazrrekut

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kontaktuar me Avni Mazrrekun, i cili fillimisht tha se është hera e parë që po dëgjon për këtë çështje, ndërsa më pas na kërkoi që t’ia përcjellim pyetjet përmes e-mail adresës.

Pas dërgimit të pyetjeve, ai tha se mund të përgjigjet pas vendimit final të Universitetit të Bremenit.

“Siç edhe thash në SMS e mëparshëm, më duhet të kem vlerësim final në mënyrë që të përgjigjem në pyetjet tuaja. Prandaj situata më optimiste kur unë mund të përgjigjem për ju është fundi i javës së ardhshme”, shkoi Mazrreku.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka kërkuar një përgjigje nga Mazrreku pas vendimit të Universitetit të Bremenit, por ai ka thënë se ende nuk ka marr asnjë njoftim.

Gazeta e ka pyetur Mazrrekun edhe nëse do të apelojë vendimin. Gazeta është në pritje të përgjigjeve.

Mirëpo, “Gazeta Jeta në Kosovë” ka gjetur se Mazrreku ishte i njoftuar për hetimet që po kryente Universiteti i Bremenit mbi doktoratën e tij.

“Z. Mazrreku ka qenë, sigurisht, i informuar rreth hetimit dhe e ka mundësinë që ta mbrojë veten nga të gjitha pretendimet”, tha dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Bremenit, Lorenz Kahler për “Gazeta Jeta në Kosovë”.

Procedura për revokim të titullit

“Gazeta Jeta në Kosovë” kishte nisur hulumtimin për temën e doktoraturës së Mazrrekut disa javë më parë. Gjatë kësaj kohe, Universitetit të Bremenit kishte paralajmëruar se vendimi do të merret me datën 31 janar.

“Në këtë moment (komisioni) nuk ka ardhur në ndonjë përfundim (të caktuar). Megjithatë së shpejti, në mbledhjen e 31 janar-it, do të merret vendimi. Kjo mund të jetë, për shembull, revokimi i titullit të doktorit”, tha dekani Kahler.

Josef Fakle, mentori i profesor Mazrrekut kishte shpjeguar ” rregullat e Universitetit, të cilat parashihnin edhe revokimin e doktoraturës.

“Neni 19, pika (2) e Rregullores për Marrjen e Titullit të Doktorit në Departamentin Juridik në Universitetin e Bremenit (më datë 24 qershor 1992) thotë: “Titulli i doktoratës mund të revokohet retroaktivisht vetëm në qoftë se vërtetohet se (ai) është marrë përmes mashtrimit. Revokimi vendoset nga Senati pas kërkesës së departamentit”, tregoi Falke.

Në nëntor të vitit 2017, në Departamentin Juridik të Universitetit të Bremenit, ka hyrë në fuqi versioni i ri i Rregullores për Marrjen e (titullit të doktoratës) Doktoratës.

“Neni 22 përmban një pikë të re për revokimin e titullit të doktorit: “Shkalla e doktoratës mund të revokohet më vonë vetëm nëse rezulton se ai është marrë me mashtrim ose shkelje të rëndë të pakujdesshme të rregullave të praktikës së mirë shkencore. Këshilli i Divizionit 6 vendos për tërheqjen me rezolutë bazuar në mendimin e Komitetit të Doktoratës. Para marrjes së vendimit, personi në fjalë ka mundësinë të komentojë”, ka shpjeguar Fakle, mentori i profesor Mazrrekut.

Ai thotë se Departamenti i Juridikut është kompetent për marrjen e vendimit final në lidhje me rastin e profesor Mazrrekut.

Por pas gjithë këtyre, profesor Falke ka një hall për studentin e tij të doktoratës.

“Për mua është tragjedi që procedura e revokimit të doktoratës mund ta kontaminojë pozitën e Avni Mazrrekut në luftën kundër korrupsionit. Ata mund ta përdorin procedurën e revokimit si armë kundër Avni Mazrrekut me qëllim të minimit të legjitimitetit dhe reputacionit të tij — edhe pozicionit të tij në luftën kundër korrupsionit por edhe iniciativat e reja për mësimdhënie akademike”, u shpreh Falke.

Falke e quajti veten viktimë të këtij rasti.

“Unë vetë jam ‘viktimë’ e kësaj lloj sjelljeje si në Departamentin Juridik, ashtu edhe në Universitetin e Bremenit dhe komunitetin shkencor. Është në interesin e të gjithë studentëve të doktoratës dhe njerëzve, dizertacionet e të cilëve i kam mbikëqyrur dhe të cilat jam në mbikëqyrje e sipër, më duhet t’i mbroj standardet shkencore dhe reputacionin tim shkencor”, pohoi ai.

Ai pati thënë se nuk mund të mbrojë një sjellje mashtruese.

“Pa marrë parasysh pasojat e mundshme tragjike të procedurës së revokimit në Kosovë dhe vlerësimin tim të lartë e të pandryshuar për punën akademike e politike të Avni Mazrrekut në Institutin ISPE, nuk mund t’i mbroj sjelljet mashtruese sistematike (në kuptim objektiv) dhe shkeljen e standardeve bazike shkencore”, tha Falke.

Dekani i Fakultetit Juridik, Lorenz Kahler tha se procedura për revokimin e titullit të doktoratës nuk lidhet me një dënim zyrtar për mbikëqyrësit e doktoratës.

“Një dënim i tillë është i mundur vetëm nëse një mbikëqyrës e dinte ose duhet të kishte ditur se teza përfshin pjesë të plagjiaturës. Rregullisht, ai ose ajo duhet të mbështetet në konfirmimin e bashkangjitur në secilën tezë se gjithsej është bërë nga vetë autori”, pohoi Kahler për “Gazeta Jeta në Kosovë”.

Lidhja mes mentorëve dhe Mazrrekut

Mbrojta e temës së doktoratës nga Mazrreku ishte bërë më 4 maj 2009. Aso kohe mentor i tij ishte Josef Fakle profesor në Universitetin e Bremenit, ndërsa vlerësues i tij ishte gjermani Hagen Lichtenberg.

“Kam qenë mbikëqyrësi i parë i punimit të doktoratës së z. Avni Mazrreku në Fakultetin Juridik në Bremen. Para se të fillonte të punonte në doktoratën e tij ai i ka vizituar (vijuar) disa nga ligjëratat e mija në programin ‘E Drejta Europiane dhe Ndërkombëtare’ në Departamentin Juridik të Universitetit të Bremenit”, tha Falke.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka mësuar se të dy, si profesor Fakle dhe profesor Lichtenberg, kanë punuar në Kolegjin ISPE.

Përfaqësues të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës e kanë konfirmuar se Falke dhe Lichtenberg kanë qenë mësimdhënës të Kolegjit ISPE.

“Në lidhje me emrat e profesorëve të cilët Kolegji ISPE i ka paraqitur për proces të akreditimit, ju njoftojmë se emrat e referuar në e-mailin tuaj në proceset e kaluara janë paraqitur si staf akademik i Kolegjit ISPE, mirëpo jo bartës të programeve të studimit në vitin 2017”, kishte thënë Shkëlzen Gërxhaliu nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat