Vetëvendosje paralajmëron protesta për ta penguar Thaçin

Aktuale

Vetëvendosje paralajmëron protesta për ta penguar Thaçin

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 12:57
Arbërie Nagavci dhe Albulena Haxhiu

(E plotesuar) - Lëvizja Vetëvendosje konsideron se dokumenti që ka shkuar në Bruksel lidhur me Asociacionin e komunave serbe është jo kushtetues, pasi sipas tyre personat që e kanë draftuar atë marrin direktiva nga Beogradi.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ka deklaruar se duhet mobilizim gjithë popullor për ta ndalur presidentin Hashim Thaçi dhe veprimet e dëmshme që po i vijnë vendit nga ai.

Sipas saj ekipi menaxhues për daftimin e statutit të asociacionit i përbërë nga katër serb është jo kushtetues dhe çfarëdo dokumenti që del nga ky grup është jo kushtetues.

Haxhiu: Ekipi menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit jo kushtetues

“Ekipi menaxhues i përbërë nga katër serbë, atë dy nga veriu dhe dy nga jugu që kanë vepruar në zyrat e OSBE-së në veri është ekip jo kushtetues. Ato takime kanë qenë jo kushtetuese, çfarëdo dokumenti i prodhuar nga ky grup lidhur me këtë temë është jo kushtetues, madje çdo lloj letre e shkruar është po ashtu jo kushtetuese dhe këtë duhet ta dijnë edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj që po bënë sikurse nuk merr vesh asgjë, por edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, zonja Federica Mogherini apo secili ambasador tjetër që vepron në Kosovë, kësaj i shtohet edhe fakti se ata persona konkret që janë mbledhur për draftim statuti janë aty sipas direktivave të Beogradit”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Duke i përmendur  marrëveshjet e nënshkruara nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi kur ishte kryeministër, Haxhiu u shpreh se takimin e paralajmëruar për shtator nuk e pranojnë pasi që Thaçi nuk ka kredibilitet të flas për ndryshimin e kufijve me Serbinë.

Haxhiu: Takimi për shtator i papranueshëm për ne

“Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi nuk duhet  ta takojë më presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ai nuk ka mandat nga Kuvendi përveç se është një figurë përçarëse nuk ka kredibilitet dhe legjitimitet nuk ka po ashtu, pra ai nuk ka mandat nga Kuvendi, por po ashtu nuk ka mandat as nga populli për aventurat e tij personale. Takimi i paralajmëruar për shtator është i papranueshëm për neve dhe po ashtu ne si Lëvizje Vetëvendosje do ta kundërshtojmë atë“, ka thënë  Haxhiu.

Edhe pse Kuvendi i Kosovës është në pushim, Haxhiu ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes janë duke u përgatitur në terren për ta ndalur me protesta e forma të tjera presidentin Thaçi.

Haxhiu:  Duhet mobilizim gjithë popullor për ta ndalur Thaçin

“Duke parë situatën aktuale ne besojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme mobilizimi gjithë popullor edhe për ta ndalur Thaçin, por edhe për t’i ndalur dëmet që po na vijnë nga ky person, prandaj këtu nuk përjashtohet as protesta ,as forma tjera që mund të‘i bëjmë edhe përbrenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.

E deputetja Arbërie Nagavci ka kërkuar nga institucionet e vendit që të kenë kujdes me presidentin e vendit, Hashim Thaçi që mos të veprojë njësoj me shqiptarët e Luginës së Preshevës, sikurse veproi në rastin e lapidarit për të rënët e UÇPMB-së.

Ajo tutje shtoi se Kosova më shumë se çdo herë ka nevojë për një president të ri i cili nuk iu frikësohet gjykatave.

Nagavci: Institucionet duhet të kenë kujdes me Hashim Thaçin

“Është obligim i të gjitha institucioneve tona që të kemi kujdes që Hashim Thaçi të mos veproj me shqiptarët e Luginës me të njëjtën mënyrë ashtu siç veproi me rastin e lapidarit për të rënët e UÇPMB-së në Preshevë. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, është e domosdoshme që zgjedhje të reja parlamentare t’i hapin rrugë një Qeverie të re e cila do të punoj dhe do të angazhohet për një shtet të së drejtës që nuk e duron dhe nuk e toleron korrupsionin dhe krimin....Kosova ka nevojë më shumë se çdo herë për një president të ri i cili nuk iu frikësohet gjykatave dhe nuk  e ka hallin e vetë personal”, ka thënë ajo.

E pyetur se a do i përgjigjen pozitivisht kërkesës së PSD-së që Kuvendi ta ndërpresë pushimin , Albulena Haxhiu tha se nuk e pranojnë  rezolutën e propozuar nga PSD pasi e konsiderojnë biletë të Thaçit për Bruksel.

VV: Drafti për Asociacionin jo kushtetues

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se dokumenti që ka shkuar në Bruksel lidhur me Asociacionin e komunave serbe është jokushtetues.

Deputetja Albulena Haxhiu me këtë rast ka përmendur 23 nenet që sipas Gjykatës Kushtetuese janë shkelur.

“Çdo lloj letre e shkruara është jo kushtetuese e këtë duhet ta dijë edhe kryeministri i vendit që po bën kinse s’po din asgjë dhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian Federica Mohgerini dhe ambasadorët tjerë. Cfare qeverie është kjo që ky dokument jokushtetues të shkojë në Bruksel”, tha Haxhiu në një konferencë për media.

Sipas saj presidenti i Kosovës Hashim Thaci nuk ka kredibilitet të flas për ndryshimin e kufijve me Serbinë, duke përmendur padinë që VV ia ka bërë presidentit për nënshkrimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Haxhiu përsëriti se Thaçi nuk duhet ta takojë presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq pasi që nuk e ka mandatin nga Kuvendi.

Konferenca për media e Lëvizjes Vetëvendosje (Drejtpërdrejt)

Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media.

Konferenca mbahet në selinë e kësaj partie dhe është e paraparë që të fillojë në orën 13:

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat