Komunat nuk janë transparente në prokurim

Aktuale

Komunat nuk janë transparente në prokurim

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 12:23
Foto

Mungesa e transparencës buxhetore, mohimi i qasjes në dokumente publike, numri i ulët i dëgjimeve publike, ngecja e transparencës në ankande publike, janë disa nga të metat e komunave gjatë vitit 2017.

Kështu kanë bërë të ditur drejtues të KDI-së dhe USAID-it , sot,  gjatë lansimit të "Indeksit të Transparencës në Prokurimin Publik 2017" për komunat e Kosovës.

Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, tha se reforma në prokurim është qenësore për adresimin e korrupsionit.

 "Me ligj komunat duhet të publikojnë informatat për prokurim në web faqet e tyre, por raporti i sotëm na tregon se ka shumë komuna të cilat janë prapa në përmbushjen e kësaj detyre. Shumë komuna nuk i kanë përmbushur kërkesat ligjore për dëgjim publike. Shpresojmë se qeveritë komunale do të marrin më seriozisht këtë çështje dhe të mbajnë më shumë dëgjime publike", tha Delawie.

 Sipas tij, ky indeks paraqet një mundësi të mirë për qytetarët, për të kërkuar llogari nga zyrtarët komunal si dhe mundësinë që komunat të përmirësohen për një të ardhme më të mirë.

Ndërsa Diana Metushi Krasniqi hulumtuese në KDI, e cila prezantoi të gjeturat e raportit, bëri të ditur se janë nëntë  komunat të cilat nuk kanë ofruar qasje në dokumente si: Dragashi, Leposaviqi, Mitrovica e Veriut, Ranilugu, Kllokoti, Juniku, Zubin Potoku, Shtërpca dhe Zveçani.

Ndërsa shpalosi edhe disa nga të gjeturat tjera.

 "53 përqind të komunave nuk kanë publikuar buxhetin e tyre të aprovuar për vitin 2017 e që është një problem i madh pasi që në vitin 2016, kjo ka qenë 50:50", theksoi ajo.

Sipas saj, gjatë hulumtimit është vërejtur se ka ngecje edhe në transparencën gjatë ankandeve publike, ku siç tha ajo qytetarëve nuk po iu jepet  mundësi të barabarta për blerjen e këtyre aseteve.

Kurse Rozafa Ukimeraj, sekretare e Përgjithshme në MAP, pohoi se pavarësisht progresit që është bërë në disa fusha, transparenca komunale mbetet sfidë. Teksa numëroi disa nga faktet pozitive që kanë shënuar komunat në fushën e transparencës, ku tha se Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka të integruar në faqet e komunave të gjitha aktet ligjore.

Ndërsa kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se që nga sot, komuna që ai e udhëheq do të jetë e katërta me radhë që do të fillojë me publikimin e kontratave për tender.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat