Vendimi i Londrës në OKB kundërshtohet nga Serbia, Kosova e mirëpret

Aktuale

Vendimi i Londrës në OKB kundërshtohet nga Serbia, Kosova e mirëpret

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 22:46
OKB

Vendimi i Britanisë së Madhe si kryesuese e rradhës e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për tërheqjen e diskutimit për Kosovën në intervale prej tre muajve, ka shkaktuar reagime të ashpra në Serbi.

Drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq e ka cilësuar si të pakuptimt këtë vendim, pasi që sipas tij nuk mund të thuhet se është e nevojshme të intensifikohet dialogu në Bruksel, e nga ana tjetër të kërkohet që OKB-ja të mos diskutojë temën e Kosovës.

Veprimin e Londrës si veprim jo të mirë e ka cilësuar edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.

Sipas saj, ky është një vendim “i keq” i marrë nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian.

“Nuk mund ta kuptoj që njëra palë dëshiron ta mbajë këtë takim nga njëra anë dhe nga ana tjetër nuk dëshiron të përfshihet në agjendën e Kosovës. Kjo është politikisht e padiskutueshme dhe e papranueshme”, ka thënë Bërnabiq.

E vendim që nuk shkon në të mirë të stabilitetit në rajon e ka cilësuar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Ai ka thënë se një vendim i tillë, ani pse i pritur nga pala serbe, mund të ndikojë edhe më shumë në acarimin e raporteve mes dy vendeve.

Sipas tij, Britania e Madhe as nuk do të dëgjojë për interesat e Beogradit.

E reagim krejt tjetër ka ardhur nga homologu i Daçiqit në Kosovë, Behgjet Pacolli.

Përmes një postimi në Twitter, Pacolli është shprehur i gëzuar me vendimin e Londrës.

Ai ka thënë se që nga viti 2008, Kosova nuk përbën më një çështje aq të ndjeshme sa për tu diskutuar në Këshillin e Sigurimit.

Këtij vendimi i është gëzuar edhe ambasadorja e Kosovës në OKB, Vlora Çitaku.

Ajo është shprehur se diskutimi çdo tre muaj mbi raportin e UNMIK-ut për Kosovën ka qenë i panevojshëm. Përmes një postimi në Facebook ajo ka falënderuar Londrën për vendimin e marrë.

E në anën tjetër, ambasadorja e Britanisë në OKB, Karen Pierce, gjatë ditës së sotme u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që mos të merren me taktikat e OKB-së, por të fokusohen në përshpejtimin e normalizmit të marrëdhënieve të tyre.

Ndryshe, Këshilli i Sigurimit deri në vendimin e fundit të Londrës diskutonte çdo tre muaj për situatën në Kosovë, aspektin e sigurisë dhe marrëdhënieve ndëretnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat