Myftaraj: Adem Demaçi vdiq si tradhtar më 22 shkurt 1999

Aktuale

Myftaraj: Adem Demaçi vdiq si tradhtar më 22 shkurt 1999

Nga: N. Sh Më: 30 korrik 2018 Në ora: 10:32
Kastriot Myftaraj, Adem Demaçi

Publicisti e analisti konspirativ dhe kontrovers nga Shqipëria, Kastriot Myftaraj përmes një shkrimi në “Facebook”, ka thënë se Adem Demaçi ka vdekur moralisht si tradhtar në vitin 1999.

Ai nderimet shtetërore për Demaçin thotë se zhvlerësohen kundrejt faktit që Adem Demaçi ka vdekur moralisht 19 vite më parë, transmeton gazeta “Bota sot”.

“Adem Demaçi, për 45 minuta kundërshtoi të gjithë arsyetimin e Zonjës Albright se i duhej nënshkrimi i shqiptarëve që të niste bombardimi i Serbisë. Demaçi nuk ndryshoi qëndrim as kur Zonja Albright i tha se pas kundërshtimit shqiptarët e Kosovës do të mbeteshin vetëm dhe Amerika e NATO nuk do të merreshin më me ta”, shkruan Myftaraj.

“Demaçi si përgjigje ndaj këtyre fjalëve, seç llomotiti për ushtrinë e tij që ishte gati në Kosovë dhe se ia vlente të vdisnin edhe 30 mijë vetë, që gjërat të shkonin ashtu siç duhej. A thua vërtet nuk e dinte Demaçi se në mungesë të ndërhyrjes së NATO-s, nuk do të ndryshonte asgjë as edhe nëse vriteshin edhe 30 mijë shqiptarë të tjerë, ndonëse qëkurse kishte nisur lufta në 1998 e deri në shkurt 1999 nuk ishin vrarë 30 mijë?!”, potencon Miftaraj.

Ky është shkrimi i plotë i Kastriot Myftaraj:

Adem Demaçi vdiq moralisht si tradhtar në 22 shkurt 1999

Të gjithë nderimet shtetërore që po i bëhen këto ditë Adem Demaçit me rastin e vdekjes së tij fizike, zhvlerësohen kundrejt faktit që Adem Demaçi ka vdekur tashmë moralisht që prej 19 viteve, saktësisht që në 22 shkurt 1999.

Në këtë ditë ndodhi biseda e famshme (videokonferencë)e Sekretares së Departamentit të Shtetit Madeleine Albright me Demaçin, i cili gjendej në Lubljanë të Sllovenisë. Ishte koha e Konferencës së Rambouillet për Kosovën madje momentet më dramatike të konferencës. Amerikanët nuk po arrinin ta bindnin pjesën e UÇK-së të delegacionit shqiptar të Kosovës, që të nënshkruanin marrëveshjen e arritur në konferencë të cilën e kundërshtonte pala serbe. Amerikanët iu thoshin delegatëve të UÇK-së se mjaftonte vetëm nënshkrimi i tyre që në mungesë të nënshkrimit nga pala serbe, t’ i mundësonte NATO-s që të niste fushatën ajrore kundër Serbisë. E megjithatë një pjesë e delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, ata të UÇK nuk bindeshin të nënshkruanin aktin e dalë nga konferenca.

Në 19 shkurt 1999 Hashim Thaçi kërkoi lejen e organizatorëve të konferencës për t’ u larguar dy ditë prej saj me qëllim që të këshillohej me Adem Demaçin, që gjendej në Lubljanë. Adem Demaçi kishte qenë përfaqësues politik i UÇK-së dhe kishte dhënë dorëheqjen në shenjë kundërshtimi ndaj pranimit të UÇK-së për të marrë pjesë në konferencë.

Kur amerikanët panë rëndësinë që i jepte Thaçi Demaçit menduan të ndikojnë te Demaçi, dhe Zonja Albright i kërkoi Demaçit një bisedë që u realizua si videokonferencë. Adem Demaçi, për 45 minuta kundërshtoi të gjithë arsyetimin e Zonjës Albrigt se i duhej nënshkrimi i shqiptarëve që të niste bombardimi i Serbisë. Demaçi nuk ndryshoi qëndrim as kur Zonja Albright i tha se pas kundërshtimit shqiptarët e Kosovës do të mbeteshin vetëm dhe Amerika e NATO nuk do të merreshin më me ta.

Demaçi si përgjigje ndaj këtyre fjalëve, seç llomotiti për ushtrinë e tij që ishte gati në Kosovë dhe se ia vlente të vdisnin edhe 30 mijë vetë, që gjërat të shkonin ashtu siç duhej.

A thua vërtet nuk e dinte Demaçi se në mungesë të ndërhyrjes së NATO-s, nuk do të ndryshonte asgjë as edhe nëse vriteshin edhe 30 mijë shqiptarë të tjerë, ndonëse qëkurse kishte nisur lufta në 1998 e deri në shkurt 1999 nuk ishin vrarë 30 mijë?!

Është e qartë se Demaçi po kërkonte të pengonte mësymjen e NATO-s kundër Serbisë. Pas luftës Demaçit nuk iu kërkua kurrë shpjegim për këtë sjellje të tij. Por, sipas analizës së shërbimeve inteligjente (kundërspiunazhit), sjellja e Demaçit është ajo e agjentit ndikues të shtetit të interesuar për të penguar një aksion kundër tij.

Zonja Albright, e cila e përshkruan bisedën me Demaçin në librin e saj me kujtime, thotë se kjo bisedë i la një ndjenjë të pështirë.

Nderimet shtetërore që i bëhen sot Demaçit nga autoritetet më të larta të Kosovës, Shqipërisë dhe ato shqiptare të Maqedonisë duhet të shihen si një symptomë e mendësisë shqiptare, që tregon se ne shqiptarët nuk i marrim seriozisht gjërat e rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat