Përplasje në Kuvend, nuk ka kuorum për rezolutën për dialogun

Aktuale

Përplasje në Kuvend, nuk ka kuorum për rezolutën për dialogun

Më: 30 korrik 2018 Në ora: 10:00
Foto nga Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Partitë në Kuvendin e Kosovës, nuk kanë arritur që ta harmonizojnë qëndrimet rreth një rezolute të propozuar nga Partia Socialdemokrate, lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pas një debati maratonë që zgjati për dhjetë orë, Kuvendi nuk e hodhi fare në votim rezolutën për dialogun, pasi nuk kishte kuorum.

Në Kuvendin e Kosovës, partitë opozitare kanë dalë me tri versione të tekstit të rezolutës, e cila nuk u votua në fund të seancës.

Propozimet e opozitës për dialogun kishin dallime, por emërues i përbashkët i qëndrimeve opozitare ishte që dialogun nuk mund ta udhëheqë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

AAK e Nisma përplasen ashpër me Vetëvendosjen

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka devijuar nga debati mbi propozimin e PSD-së mbi dialogun me Serbinë dhe është shndërruar në replika dhe kundër replika të ashpra të deputetëve.

Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, ka kërkuar që të mos dilet nga tema, por të diskutohet propozimi për rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë në Bruksel, duke thënë se në këtë seancë po prezantohen edhe pika nga partitë e tjera, andaj duhet bërë harmonizimi i pikave të kësaj rezolute.

Ndërsa, Teuta Haxhiu nga AAK ka pyetur LDK-në nëse e ka zgjedhur Hashim Thaçin për president. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja Lirie Kajtazi nga LDK-ja, e cila pyetur AAK-në se çfarë ka bërë me mbi 200 mijë nënshkrimet e qytetarëve kundër demarkacionit me Malin e Zi.

Drita Millaku nga VV-ja ka thënë se platforma e presidentit Hashim Thaçit për dialogun ka dështuar dhe nuk ka pasur zgjidhje, dhe se krejt çfarë është dialoguar deri më tash duhet analizuar për dëmet që janë pësuar.

Ajo tha se për fondin pensional të grabitur nga Serbia, nuk është diskutuar asnjëherë në dialog, ndërkohë që nuk janë kthyer as dokumentet kadastrale dhe as artefaktet, dëmet e luftës, edhe pse ato ishin pjesë e platformës dialoguese.

Millaku: Mjaft me marrëveshje të fshehta

“Mjaft me marrëveshje të fshehta, e të dëmshme, mjaft me tradhti prapa shpine,  nuk ju duron më askush. Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe asistentët e tjerë të pazareve duhet të shkoni. Shtatë vite të padrejtësi iu shkaktuan Kosovës”, tha ajo.

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate ka reaguar ndaj deklaratave të Millakut, duke thënë që të mos merret me shpifje, pasi që kryetari i kësaj partie Fatmir Limaj nuk i jep llogari Vetëvendosje, por vetëm votuesve të tij.

Sherifi: Limaj nuk i jep VV-së llogari

“Mos kërkoni armiq dhe kundërshtar aty ku nuk keni, por pasi bërë një pyetje, do të bëjë po ashtu një pyetje: A e besoni në atë që e thatë, apo vetëm e lexuat sa me e lexuar atë që ua ka thënë komitetit për ta lexuar edhe për të kërkuar? Fatmir Limaj i di përgjegjësit e veta dhe nuk ju jep juve llogari”, ka thënë Sherifi.

Edhe deputetja Time Kadriaj nga AAK-ja tha se Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht po i injoron institucionet e shtetit, e nën anën tjetër deputetët e kësaj partie po sillen si patriotë. Ajo shtoi se deputetja Millaku nuk është e autorizuar që të flasë në emër të kryeministrit dhe nuk e pranojnë madje as rojë në ndërtesë të qeverisë.

Kadriaj: Patriotë është me shkuar aty ku është vendi

“Ne nuk e pranojmë as rojë me kanë atje poshtë qeverisë. Çka me fol ne me këta kur nuk e pranojnë as shtetin e Kosovës, as simbolet e Kosovës, as himnin e Kosovës dhe në evenimente të rëndësishme ata nuk ngritën në këmbë duke thënë se janë patriotë. Patriot nuk është me fjalime të zjarrta, por me shkuar aty ku është vendi, për të biseduar dhe shprehur shqetësimet dhe të mos na dhunojnë këtu në parlament me deklarata të tyre”, u shpreh ajo.

‘Shkëmbimi territorial do të thotë thirrje për luftë’

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj nuk kanë më kredenciale për të udhëhequr me pozitat që kanë dhe ata duhet të shkojnë në shtëpi.

Ai gjatë fjalimit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës tha se në dialogun me Serbinë asnjëherë nuk u kërkua zgjidhje për çështjen e të pagjeturve, kompensim për dëmet e luftës, kthimin e artefakteve, reciprocitetin, të drejtat për shqiptarët në Serbi.

Ai ndërkaq tërhoqi vërejtjen se nëse në tavolinë do të jetë opsioni për shkëmbim të territoreve, atëherë kjo nënkupton thirrje për luftë.

Rexhaj: Shkëmbimi territorial do të thotë thirrje për luftë

 “Si Thaçi, si Ramushi nuk kanë më kredenciale, njëri duke bërë kompromise mbi kurriz të të tjerëve, tjetri duke mos pasur fuqi as në numra për të shtyrë përpara asnjë çështje, veçse një argat i Thaçit në Bruksel, prandaj këta duhet të shkojnë menjëherë në shtëpi... Tash së fundi deklarohen se nuk kanë vija të kuqe, flasin për shkëmbim të territoreve dhe hapin këtë temë. Në të vërtetë këta janë dezertuesit e shtetit, të demokracisë dhe institucioneve të Kosovës. Nëse në tavolinë do të jenë shkëmbimi territorial, kjo do të thotë thirrje për luftë,” tha ai.

Haradinaj: Me pas mundësi deri në Nish shkojmë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka deklaruar se sikur pozita, ashtu edhe opozita nuk kanë vullnet që Kosova të dal humbës në Bruksel, por nëse nuk bashkohen, Serbisë do t’i krijohet favor institucioneve të Serbinë mbi Kosovën.

“Po shihet hapur që shqetësimi i të gjithë neve është se cili do të jetë epilogu i asaj marrëveshje finale, se dikush po thotë ka vija të kuqe, dikush po thotë nuk ka vija të kuqe por ne të gjithë e dimë çka mendon Serbia për ne dhe të gjithë ne mendojmë për ta njëjtë, se me pas mundësi deri në Nish shkojmë, por edhe për disa koleg të mi patriot folklorist që po flasin sot me pas çliruar vet dhe me ia vendos çizmen në kufi me kohë, nuk i kishim këto tema në tavolinë por është dashur t’ia lejojmë të fuqishmëve me na ndihmuar për ta hequr Millosheviqin nga këtu“, tha ai.

Kurse, deputeti i LDK-së, Driton Selmani tha se nga 26 marrëveshje të arritura me Serbinë, vetëm katër janë zbatuar.

Selmani: Thaçi po lobon te miqtë tanë sa është e mirë shkëmbimi i territoreve

“Tash çka, ven presidenti i vendit tonë, takime sekrete diku-diku dhe kemi informata që po lobon bashkë me presidentin Vuçiq, duke lobuar te miqtë tanë sa është e mirë shkëmbimi i territoreve”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se Kosova ka një kryeministër që nuk po e kryen obligimin kushtetues dhe një president që nuk ka kompetencë kushtetuese për të dialoguar me Serbinë.

Haradinaj: Kosova mund ta pësojë nëse s’ka marrëveshje me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur në debatin parlamentar për dialogun me Serbinë, ka thënë se në rast të mosarritjes së një marrëveshje me shtetin serb, të gjithë si përfaqësues politik të Kosovës do ta bartin përgjegjësinë.

Ajo që do të ndodhë, sipas tij, është që Serbisë do t’i lejohet të ecë përpara e Kosovë do të ngecë.

Haradinaj ka thënë nëse konstatohet që Kosova nuk është në gjendje për t’u vetorganizuar dhe për ta përfaqësuar veten, atëherë do t’i jepet mundësi bashkësia ndërkombëtare të vendos si në rastin e Rambujesë.

Haradinaj: Nëse s’ka marrëveshje, Serbia avancon drejt proceseve integruese, ne ngecim

“Na po i kthejmë edhe një herë ata në kohën kur nuk kishim institucione, e po i detyrojmë ata me pranuar një fakt që Kosova është aq e brishtë sa ishte para pavarësisë së vet. Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk na bëjnë bashkë, nuk vijnë dhe nuk e di a kanë me ardhë në këtë etapë, por nëse nuk vijnë, shikoni, ne do ta bartim përgjegjësinë për mosarritjen e një marrëveshje apo suksesi në mes dy palëve, të dyja janë aspiruese për BE-në, është Kosova dhe Serbia. Me këtë çka do të bëhet, do të ndodhë ajo që tash po ndodhë, do t’i lejohet Serbisë me ecë më përpara në hapjen e kapitujve në mbylljen e tyre, do të avancojë në procesin e vet integrues drejt anëtarësimit në BE, e ne do të ngecim”, tha ai.

Haradinaj ka kritikuar partitë opozitare që gjatë diskutimit për dialogun Kosovë-Serbi, nuk e kanë fokusin as tek formula dhe as tek platforma, por e kanë tek fitimi i ndonjë poeni politik.

Haradinaj: Në Kuvend po debatohet vetëm për të fituar ndonjë poenë

“Ka plot elemente që po i diskutojmë sot që kishin mundur me qenë pjesë e një platforme ose e një formule si do të ecim përpara, por nuk po e shoh fokusimin e juaj as te formula as te platforma, fatkeqësisht. Po e shoh që do ta shpenzojmë këtë debat sot në Parlament prapë me i thënë disa gjëra, me i dhanë disa shpjegime, me la ndonjë llogari nga e kaluara ose me fituar ndonjë poen për ato që vijnë ndonjëherë, por nuk po e shoh fokusimin tek një platformë, e tek një formulë, tek një ekip. U nxita prej profesorit Rugova, Naserit, unë kam qenë në luftë, atëherë nuk e kam njohur presidentin Rugova, nuk kam pasur kontakt fizik me të. Bacen Adem nuk e kam pas takuar ndonjëherë, por jam pajtuar prej luftës edhe bollë zorë e kemi pas që Regjep Qosja, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, presidenti Rugova, Veton Surroi, Bajram Kosumi me na përfaqësua e disa të tjerë që kanë qenë aty”, tha Haradinaj.

Kreu i Qeverisë pati një pyetje edhe për deputetët.

Hardinaj: A doni ta vazhdojmë këtë retorikë pa dhënë ndonjë produkt

“Pyetja ime për Parlamentin është vërtet a doni veç me vazhduar këtë retorikë pa dhënë ndonjë produkt, pa marrë ndonjë rol, pa qenë ndonjë formulë dhe në rregull nëse është kështu, por çka do të ndodhë pastaj me ne, me Kosovën. Vlerësimi se Serbia është e varur prej neve dhe nëse nuk zgjidhet çështja e Kosovës ata e pësojnë një masë, qëndron. Është kusht për ta, është kusht nga BE-ja, është kusht nga të tjerët duhet ta zgjidhin krejt problemet, mirëpo, Serbia ende nuk ka mbërri në atë fazën finale se nëse nuk i ka zgjidhur këto probleme nuk mund të ecë më tutje përpara. Pra, Serbia ka kohë deri ditën kur nënshkruan anëtarësimin në BE, ka hapësirë kohore me manovrua me të edhe nëse ajo ditë është 23, 25, nëse është 23 pra i ka edhe 5 vite. Nëse është 25 i ka edhe 7 vjet, 7 vjet të këtilla për Kosovën në pritje pa një marrëveshje munden me qenë të dhimbshme, munden me na ikë më shumë tà « ri, mundemi me mbet pa këto njohjet, mundemi me mbet në një status quoe si ka mbetur Maqedonia qe një kohë”, tha ai.

Debati për dialogun po vazhdon ndërkohë, në fundit pritet të hedhet në votim një rezolut e propozuar nga Partia Social Demokratike.

Haxhiu: Abelard Tahiri deri dje ia ka mbajt çantën Hashim Thaçit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në debatin parlamentar për dialogun me Serbinë, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti nuk duhet të jenë pjesë e dialogut, pasi çdoherë kanë luftuar çdo proces të shtet-ndërtimit të Kosovës.

Tahiri: Albin Kurti nuk duhet me qenë pjesë e dialogut

“Unë besoj që Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti nuk bën dhe nuk duhet me qenë pjesë e dialogut sepse e ka luftuar çdo proces të shtetndërtimit të Kosovës. Pra është mendim i imi që do ta mbrojë. Qëndroni në pozicionet e juaja si keni qenë kundër dialogut, qëndroni në pozicionin e juaj në luftimin e rendit kushtetues të Kosovës........ndërsa, sa i përket LDK-së edhe këta i kanë disa nënkryetar të cilët kanë dal me ide të ndryshme, njëri kërkon me këmbim territoreve, tjetri mbrojtjen e territoreve, mirë është ju me ardhë me një qëndrim para këtij procesi, pastaj flasim si do të vazhdojmë më tutje”, tha Tahiri.

Ministrit i reagoi deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu.

Haxhiu: Abelard Tahiri deri dje ia ka mbajt çantën Hashim Thaçit

“Për grupin parlamentar të Vetëvendosjes është e pa pranueshme që një ministër i Drejtësisë në foltore e merr rolin e një militanti të Hashim Thaçit. Ky zotëria që foli këtu deri dje ia ka mbajt çantën Hashim Thaçit dhe unë e kuptoj pse është i frustruar por nuk është në rregull që në mungesë të argumenteve të shpifeni për Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ajo.

Haxhiu: Pse duhet t’i vizatohemi Serbisë në Bruksel

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në debatin parlamentar për dialogun me Serbinë, ka thënë se nuk duhet të ketë dialog pa vlerësimin e dialogut të deritashëm dhe pa i qartësuar kërkesat e Kosovës.

Haxhiu tha se është vet Hashim Thaçi që i ka bërë dëme Kosovës dhe deputetët janë ata që duhet ta ndalin për të mos udhëhequr dialogun përfundimtar me mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj, Bashkimi Evropian duhet ta dijë se me dialog të udhëhequr nga Thaçi, do të prodhojë pasoja të mëdha për vendin.

Haxhiu: Pse duhet t’i vizatohemi Serbisë në Bruksel

“Unë nuk i kuptoj as Hashim Thaçin, as Qeverisë që marrin yrysh sa herë që Serbia ka nevojë. Pse duhet të vizatohemi Serbisë në Bruksel pa e bërë një vlerësim të dialogut, pa vendosur kushte, pa i diskutuar synimet e Kosovës dhe pa i qartësuar kërkesat e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Ajo tha se dialogu solli listën serbe dhe amvisni për strukturat serbe në veri.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se duhet ndërprerë dialogu me Serbinë, i cili sipas tij është pa mandat. Kurti nga foltorja e Kuvendit ka bërë thirrje që të definohen synimet e Kosovës si dhe kërkesat ndaj Serbisë.

Ai konsideron që dialogu i deritanishëm ka ndikuar në mos-njohjen e Republikës së Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Kurti: Të ndërpritet ky lloj dialogu pa mandat

“Duhet ta ndërprejmë këtë lloj të dialogut pa mandat, së treti duhet t’i definojmë synimet e Kosovës dhe kërkesat tona ndaj Serbisë. Disa prej këtyre kërkesave mund të bëhen edhe kushte ndaj Serbisë, por jo të gjitha kërkesat janë kushte, por çdo kusht është edhe kërkesë, dhe vetëm kërkesat që nuk janë edhe kushte, bëhet tema të dialogut, kërkesat që janë edhe kushte i paraprijnë dialogut, Dhe krejt në fund bëhet ekipi ynë negociator me udhëheqësin dhe strategjinë e cila nuk do të duhej të jetë publike. Krejt në fund, dialogu i deritanishëm neve na e ka vështirësuar njohjen prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian, që nuk na kanë njohur, për shkak se ato po presin marrëveshjen me Serbinë, tash e shtatë vjet janë duke pritur marrëveshjen  tonë prandaj edhe nuk janë duke na njohur” tha Kurti.

I pari i Vetëvendosjes tha se kërkojnë fillimisht shqyrtimin e marrëveshjeve të deritanishme. Sipas tij, nëse ka pasur lëshime, atëherë duhet të ketë edhe përgjegjësi.

Osmani kërkon referendum lidhur me dialogun përfundimtar

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, në debatin parlamentar për dialogun me Serbinë, ka thënë se nuk ka sot politikan në Kosovë që mund të nënshkruajë marrëveshje për territorin apo çështjen që e vë në rrezik funksionalitetin e brendshëm të Kosovës si shtet, pasi për këtë mund të flas vetëm populli nëpërmjet referendumit.

Osmani tha se po përfaqësohemi nga dikush që dhunshëm bën kompromise në emër të Kosovës, pa u mandatuar nga Kosova.

Sipas saj, Kosovës nuk i duhet njerëz që mbi tavolinë negociojnë fatin e Kosovës dhe përfundi tavolinës fatin e vet politik.

Osmani: Duhet të flas populli

“Meqë çështjet që sot janë në tavolinën e negociatave, nuk prekin çështje teknike, meqë ato prekin vet përkufizimin e shtetit të Kosovës, karakterin e përcaktuar në deklaratën e pavarësisë ku është shprehur vullneti i popullit, nuk ka sot politikan në Kosovë, brenda kësaj salle apo jashtë saj që mund të nënshkruaj marrëveshje për territorin apo çështjen që e vë në rrezik funksionalitetin e brendshëm të Kosovës si shtet, për çështje të tilla duhet të flas populli, pra të vendoset me referendum, prandaj nëse dikush po punon për ide të tilla të çmendura, le ta dijë që atë copë marrëveshje që e nënshkruan, mund ta paloj, ta fus në gjep dhe ta dërgoj në shtëpinë e vet si suvenirë“, tha ajo.

Sipas saj, vijat e kuqe tashmë ekzistojnë, mjafton të lexohet kushtetuta.

***

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në debatin për dialogun më Serbinë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se asnjë politikanë nuk guxon të nënshkruaj marrëveshje për ndarje të territoreve.

Osmani ka thënë se për çështje që prek përkufizimin e shtetit duhet të vendosë populli me anë të një referendum.

“Ata që nënshkruajnë marrëveshje të tilla, atë marrëveshje mund ta fusin në xhep dhe ta dërgojnë në shtëpi”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Thaçi po e bënë lider të paqes presidentin e Serbisë, i cili ka qenë sekretar në partinë e Millosheviçit në kohën kur në Kosovë po kryheshin masakra.

Deputetët e PDK-së përlahen mes vete për Listën Serbe

Deputeti Andin Hoti, kërkoi sot në seancën e Kuvendit, që në dialogun me Serbinë të bisedohet për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas tij, kjo temë duhet të jetë ndër pikat e para që duhet të diskutohet në nivel presidentësh.

Por derisa ai fliste për një konsensus të mundshëm me Serbinë, që siç tha ai, u kërkua nga deputetë të Listës Serbe, Xhavit Haliti i ndërpreu fjalimin duke i thënë se deputetet e Listës Serbe “nuk kanë faj, ata janë deputetë të Parlamentit të Kosovës”.

Debati mes Hotit dhe Halitit:

Hoti: Ne do të bëjmë konsensus me Serbinë kur të na i ktheni mbi 16 mijë jetë që na i keni marrë në Kosovë....

Haliti: Ne nuk kemi punë me Listën Serbe këtu.

Hoti: Kjo është pikë e dialogut.

Haliti: Nuk ka faj Lista Serbe, ata janë deputetë të parlamentit të Kosovës...

Hoti: Mirë, e përfundova unë.

Limaj: Dialogu i kaluar ka marrë fund, nuk mund të flasë një njeri për Kosovën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, në seancën ku po debatohet për dialogun me Serbinë, ka thënë se është koha që të gjithë bashkë, me shumë seriozitet t’i qasen temës së dialogut, që siç tha ai është temë që do ta përcjellë vendin në muajt në vazhdim.

Fatmir Limaj propozoi që bashkërisht, spektri politik në Kosovë të ndërtojnë një konsensus sa më të gjerë, që siç tha ai, për të qenë pastaj sa më të përgatitur për atë që do të ndodhë me këtë proces.

Sipas Limajt, dialogu deri tani ka qenë i papërgaditur dhe jo transparent, andaj nuk ka dhënë rezultate.

Limaj: Të gjejmë formulën e përbashkët për çështjen e dialogut

Image
Fatmir Limaj

“Edhe në komunitetin ndërkombëtar edhe në mes të dy shteteve tona ,edhe në opinionin publik është parë që ajo që është bërë deri tani ka qenë dialog i cili nuk ka arritur rezultate, prandaj edhe ka ardhur si nevojë e uljes dhe fillimit të dialogut të ri, do të ketë afat, do të ketë kohë dhe do të ketë përfundim, të detyruar që duhet të respektohet nga të dyja palët. Nëse flasim që s’ka filluar ende dialogu për një marrëveshje finale, atëherë jemi në kohë që të gjithë të futemi, të bashkohemi, si grupe politike për të ndërtuar një konsensus sa më të gjerë, për të qenë sa më të përgatitur në atë që na pret”, tha ai.

Limaj tha se ka kohë të mjaftueshme që grupet politike të përgatiten, të harmonizojnë një qëndrim të përbashkët, dhe të gjejnë një formulë që përfshinë një konsensus sa më të gjerë të forcave politike në Kosovë.

Limaj: Për Kosovën nuk mund të flasë një njëri

“Ai dialog i kaluar ka marrë fund dhe ende nuk ka filluar dialogu final, kjo nënkupton që me fol për Kosovën një njëri ka marrë fund. Një njëri nuk mund të flasë më për Kosovën, çfarëdo institucioni që përfaqëson. Ejani të bëjmë ekipin bashkë, mes forcave politike që janë këtu në parlament. Të provojmë, të diskutojmë, të debatojmë”, tha ai.

Sipas Limajt, duhet krijuar një ekip e cila do të merrte autorizimin nga Kuvendi i Kosovës. Ai tha se duhet ndërtuar komunikimi mes asaj ekipe dhe Kuvendit.

Anton Quni, kryeministrit Haradinaj: Udhëhiqe dialogun me Serbinë, do ta kesh përkrahjen time

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, i ka bërë thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj që të marrë përsipër procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel.

Quni duke folur në Kuvend, ka thënë se nëse Haradinaj, do ta pranonte këtë detyrë do të mund të llogariste në përkrahjen e Qunit, i cili ka thënë se do të lobonte edhe te deputetët tjerë të partisë që drejton Isa Mustafa që ta përkrahin Haradinajn.

Nëse, sipas Qunit, Haradinaj nuk do ta pranonte këtë detyrë, atëherë vendi do të duhej të shkojë në zgjedhje, njofton Klan Kosova.

“Është koha që dhimbjet tona të shërohen përgjithmonë. Nëse dikush ka dhimbje nga e kaluara e tij nuk mund t’ia kalojë dhimbjen popullit të vet”, ka thënë Quni duke folur për presidentin Thaçi.

“Ai që nuk është në paqe me popullin e vet nuk mund të vë paqe me Serbinë”

Kurti: Serbia është e varur në tri çështje nga Kosova, ato duhet shfrytëzuar

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në debatin parlamentar për dialogun me Serbinë, ka thënë se para dialogut të ri me Serbinë, duhet të shqyrtohet dhe vlerësohet dialogu i deritashëm, synimet dhe kërkesat e Kosovës, parimet, si dhe ekipi negociator dhe strategjia.

Kurti tha se dialogu me Serbinë po bëhet për ta anëtarësuar Serbinë në Bashkimin Evropian dhe jo për t’u anëtarësuar Kosova në OKB.

Kurti: Etapat e domosdoshme para dialogut me Serbinë

“Para çdo dialogu të ri me Serbinë, katër eta përgatitore janë të domosdoshme në Kosovë. E para shqyrtim dhe vlerësim i dialogut 2011-2017, e dyta, synimet e Kosovës dhe kërkesat tona ndaj Serbisë, e treta parimet dhe kushtet e dialogut të ri dhe e katërta, ekipi ynë negociator me strategji dhe udhëheqës. Unë besoj që vetëm një gjë nuk duhet të jetë publike, strategjia e ekipit negociator, të gjitha gjërat tjera duhet të jenë publike“, ka thënë ai.

Kurti i inkurajojë deputetët që të deklarohen për dialogun e ri që tashmë ka filluar pa mandat.

Sipas tij, rezultati kryesor i dialogut të deritanishëm është lista serbe, pasi është vrapuar pas marrëveshjeve të reja, pavarësisht zbatimit të marrëveshjeve të vjetra.

***

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës rreth dialogut me Serbinë ka thënë se Kosova ka tri leva të cilat duhet ti shfrytëzojë në raport me Serbinë.

“Ky dialog po zhvillohet jo për ta marrë Kosova ulësen në OKB, por që Serbia të anëtarësohet në BE”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, paradoksalisht ne kemi qenë të varur nga Serbia, por tash, ajo është e varur nga Kosova dhe kjo ta bëjë me Kapitullin 35.

“Ne i kemi tri leva në raport me Serbinë: E para procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE, që varet prej nesh; e dyta tregu zyrtarisht gjysmë miliardësh në Kosovë; si dhe reciprociteti i të drejtave në Kosovë në serbi, kur dihet se më shumë shqiptarë ka në serbi se sa serb në Kosovë”, ka thënë ndër tjerash Kurti.

Ndryshe, në Kuvendin e Kosovës, me kërkesë të PSD-së është duke u zhvilluar një debat rreth dialogut me Serbinë, përkatësisht formatit si dhe hapave që duhen ndërmarrë në këtë drejtim.

Haradinaj-opozitës: Mos u fshiheni në bira të minit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën ku po debatohet për dialogun me Serbinë, i ka thënë deputetëve të opozitës se duhet të marrin përgjegjësinë.

Haradinaj si kundërpërgjigje ndaj deputetit Korab Sejdiu, ka thënë se ka bërë koalicion me PDK-në, por nuk ka bërë koalicion për ta bërë Hashim Thaçin President dhe as Kadri Veselin kryetar të kuvendit.

Haradinaj: Presidentin Thaçi e kemi dhuratë të LDK-së

“Presidentin Thaçi e kemi dhuratë të LDK-së, për tu bërë kryetar i qeverisë është dashur Thaçi të bëhet president, ka qenë e pa mundur të bëhet ndryshe dhe zoti Veseli kryetar parlamenti. Unë kanë bërë koalicion me PDK-në sot, i kam marrë përgjegjësit me ta, kam marrëdhënie korrekte me ta dhe i respektoj por nuk i keni dhuratë prej meje dhe nuk e kuptoj hipokrizin e juaj të disave që i keni pru dhe i keni lënë këtu, tash thoni ndrysh, u jeni kanë atëherë, kush jeni ju, .............krejt ata që i njoh unë po na thonë bëni ekip kredibile, uluni, po i thonë parlamentit merrenu vesh. Qeveria do ta përkrah këtë proces me seriozitetin, unë do të respektoj të arriturat institucionale që i kam gjet, pjesë e të cilave jam por po iu lus si parlament merreni përgjegjësin po ashtu, mos u fshihni në bira të minit“, ka thënë ai.

Ai tha se nëse duan të marrin përgjegjësi si Kuvend, të përgatisin një rezolutë, të autorizohet një delegacion i institucioneve dhe opozitës dhe të ecet tutje.

***

Zeka: Për dialogun vendos BE-ja, ndarja e Kosovës është në tavolinë

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës është duke u debatuar për dialogun me Serbinë.

Deputeti nga rradhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka ka akuzuar deputetët të cilët po dalin kundër rolit udhëheqës të presidentit Hashim Thaçi, se të njëjtit dalin kundër ardhmërisë së Kosovës.

“Disa thirren në histori e disa në liderë politik, po të ishte gjallë Rugova jam i sigurt që shumë deputetë nuk do të diskutonin për dialogun. Ju që po thirreni në histori e që po e shani Hashim Thaçin e që vet e keni zgjedh, sot jeni qu araz me thënë ne po e shajmë atë, ju nuk po e shani Hashim Thaçin, ju nuk po e shani presidentin, po e shani ardhmërinë e Kosovës”, deklaroi Zeka.

Sipas Zekës, përfaqësimin në dialog e vendos Brukseli zyrtar dhe Uashingtoni, dhe jo dikush tjetër.

“Dialogun e vendos Brukseli dhe Uashingtoni, ju nuk e kuptoni që nëse Serbia e qon presidentin Kosova duhet ta qojë presidentin, dhe nëse Serbia e qon kryeministrin edhe Kosova duhet ta qojë kryeministrin”, shtoi tutje Zeka.

Tutje, duke folur për mundësinë që në tavolinën e bisedimeve të hidhet edhe çështja e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve, ai tha se një gjë e tillë është e sigurtë se do të ndodhë, dhe se deklaratat e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit, nuk kanë ardhur rastësisht.

“Lind pyetja a do të jetë në tavolinë çështja e ndarjes së Kosovës, unë ju them që po, sepse ka qenë ndarja dhe është ndarja. Edhe shkëmbimi i territoreve, Lutfi Haziri nuk është budalla dhe nuk ka folur personalisht. Mos me ja pas thanë një ndërkombëtar Lutfi Hazirit këtë çështje ai nuk do të fliste për këtë punë”, ka thënë Zeka.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës, debatin për dialogun me Serbinë po e vazhdon pas ndërprerjes së seancës së të enjtes, e cila u ndërpre për shkak të vdekjes së Adem Demaçit.

Molliqaj: Thaçi është mjeshtër i manipulimit të opinionit publik

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se rezoluta e propozuar nga partia në të cilën ai bënë pjesë, ka për qëllim të normalizojë gjendjen aktuale lidhur me bisedimet me Serbinë.

Ai tha se kanë për qëllim të ulen bashkë, Kuvendi, Qeveria dhe akterët tjerë të përfshirë,  për të ditur se  çka kërkon Kosova në këtë dialog.

Duke folur  për temën e ndarjes së Kosovës, Molliqaj e quajti presidentin “mjeshtër të manipulimit të opinionit publik”.

“Hashim Thaçi është mjeshtër i manipulimit të opinionit publik, e ka qit një temë si ndarja e Kosovës për me i bo dy efekte; efekti i parë është që kur të pranon autonominë substanciale për serbët në KOsovë, me thonë unë jam shpëtimtari i ndarjes së Kosovës, nuk ka ndarje të Kosovës, është rrenë, është mashtrim, është vetëm ide m kriju frikë dhe panik që kur shpëton Kosova e ndamë prej brenda me u dukë  që ky megjithatë e shpëtoi. Jo pse nuk don Thaçi me nda ose don, jo pse nuk don Vuçiq me nda ose don, por rrethanat gjeopolitike nuk e lejojnë një gjë të tillë përvec nëse na ndodhin ndryshim, e të mëdha që ne nuk i dimë, nëse nisin konflikte të reja dhe jo të vogla, dhe nuk mund të izolohet vetëm në Kosovë më. Kështu që cdo tendencë për me fol për ndarje të Kosovës është plan që me amortizu autonominë substanciale që po përgatitet për veriun ne veçanti por edhe pjesën tjetër”, tha ai.

Deputeti i PSD-së tha se çdo herë Kosova shkon në dialog si palë pa platformë dhe pa projekt të zgjidhjes së problemit të Kosovës në raport me Serbinë.

 Haradinaj: Kuvendi të marrë në dorë procesin e dialogut

Kryeministri Haradinaj në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet për dialogun më Serbinë, ka informuar deputetët për raportin që ua ka përcjell lidhur me dialogun më Serbinë.

Ai ka thënë se Kuvendi duhet të marrë në dorë procesin e dialogut të fazës përfundimtare.

Haradinaj ka thënë se duhet të bashkohen të gjitha partitë politike për këtë fazë. Ai ka thënë se kjo temë do të marrë një epilog dhe se duhet të përfshihen të gjithë, dhe më pas mos ta vajtojmë këtë epilog.

Kundërshtime për rezolutën e PSD-së në Kuvend

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka kundërshtuar rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë.

Ai tha se duhet treguar se për çka konkretisht do të bisedohet në dialog.

Aliu: Nënshkruesit e rezolutës të tregojnë se çka do të negociohet

“Meqë qenkan përfundimtare dhe u dashkan të ndodhin, a mund të na tregojnë nënshkruesit e rezolutës se për çka do të negociohet. Jo vetëm Visari, por secili deputet, meqë qenkan shumë që nuk janë dakord për vazhdimin e bisedimeve, a na tregoni se për çka konkretisht do të flitet në këto bisedime, cila e drejtë ka mbet pa iu dhënë pakicës serbe”, tha ai.

Aliu tha se në rezolutë procesi i dialogut quhet se ka arrit në fazën përfundimtare, dhe se konsiderimi si i tillë i procesit negociator nënkupton pajtim me fazat paraprake, pa ndërprerje të këtyre negociatave të filluara dhe pa trajtim të proceseve të deritanishme.

Aliu: Nuk mund të besoj se këtë tekst e keni shkruar ju

 “Ju keni ndryshuar shumë për të keq, se nuk jeni më VV këtë e di, por se sillni rezoluta e tekste thua kurrë nuk keni qenë me VV nuk e kisha besu. Këtë tekst ende nuk mund të besoj se e keni shkruar ju, po dyshoj se e ka shkruar dikush tjetër, kërkoj ta tërhiqni këtë rezolutë dhe të flasim tamam shtruar dhe jo të mbështet ky proces i dëmshëm dhe të luhet naivi”, tha Aliu/

Ndërsa sipas deputetit Visar Ymeri, një diskutim i tillë tregon sa e rëndësishme është që Kuvendi ta shkruajë platformën e strategjinë, që siç tha ai kjo mos t’i lihet një grupi të vogël njerëzish, apo Thaçit.

Ymeri: Duhet të mirret mandati për dialog

“Duhet të mirret mandati, kushdo që negcion me dy të tretat në Kuvend, dhe ky nënkupton për Kuvendin dhe Rpeublikën e Kosovës fillim i procesit negociator, deri tash ka shkuar Thaçi në takime por ky Kuvend me këtë rezolutë e tregon se ai nuk është legjitim, dhe nënkupton që ky proces negociator nuk pranohet, ose ai që ka ndodh deri tash. Këto janë ato që janë paraparë në rezolutë nëse lexon me vëmendje, por për të lexuar me vëmendje duhet hequr këtë inat karshi PSD-së dhe vullnetin për me sulmu PSD-në dhe me mëndu drejtë, tash nëse ti nuk i beson dy të tratave të Kuvendit, ose nuk e ke besimin tek PSD, që thua se PSD mund ta ndryshojë votën, e unë këtu po të garantoj që ne nuk e ndryshojmë votën karshi këtyre çështjeve, ose nuk e ke besimin tek LDK”, tha ai.

Ymeri tha se është e rëndësishme të testohet LDK-ja  në fillim të procesit e jo në fund.

Ndërsa Avdullah Hoti në replikën e tij tha se me rezoluta të tilla nuk shkohet askund, dhe se nuk ka parti në Kuvendin e Kosovës që mund ta testojë LDK-në.

Avdullah Hoti: Nuk ka parti që e teston LDK-në

“Nuk ka parti, në veçanti këto që tash kanë filluar me tregu veten që munden me testu LDK-në. Me rezoluta të tilla nuk shkojmë askund, mendoj që është parë në javët e fundit në këtë Kuvend se kush po i ndërron qëndrimet. Ka 30 vjet që LDK nuk i ndërron qëndrimet për shtet të pavarur të Kosovës”, tha Hoti. Debati për dialogun me Serbinë është duke vazhduar ende.

Deputeti i PDK-së Andin Hoti, kërkoi sot në seancën e Kuvendit, që në dialogun me Serbinë të bisedohet për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas tij, kjo temë duhet të jetë ndër pikat e para që duhet të diskutohet në nivel presidentësh.

***

Hoti: Të pagjeturit duhet të jetë tema e parë e dialogut

Image
Andin Hoti

“Kërkoj nga presidenti, nga kryeministri, nga Kuvendi, që ta fusin këtë pikë në bisedimet me Serbinë dhe të jetë njëra nga pikat e para që diskutohet në nivelin e lartë, në nivel presidentësh. Të nderuar udhëheqës, unë dua ta di ku e kam babin, familjet duan të dinë ku i kanë më të dashurit e tyre, kjo nuk guxon të kalojë nën heshtje, dhe nuk e lejoj të kalojë në heshtje, pa këtë nuk e ka kuptim asnjë marrëveshje që do të bëhet me Serbinë”, tha Hoti.

Tutje, i biri i Ukshin Hotit tha se një konsensus me Serbinë do të duhej të pranohej vetëm kur “Serbia  të ia kthej Kosovës mbi 16 mijë jetë që i ka marrë”.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë debatin parlamentar për dialogun me Serbinë.

Në pikat e mbetura të kësaj seance janë edhe shqyrtimi i projekligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së  pajustifikueshme dhe projektligjit për mbrojtjen e fëmijës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat