Çfarë deklaruan katër të arrestuarit para gjykatës?

Aktuale

Çfarë deklaruan katër të arrestuarit para gjykatës?

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 10:18
Foto nga Gjykimi

(E plotësuar) - Dy malazezë, një serb dhe një shtetase e Kosovës, të arrestuar nga Policia e Kosovës mbrëmjen e 18 korrikut në lagjen “Kalabria” të Prishtinës, u paraqitën para Gjykatës Themelore të Prishtinës, për të dëgjuar pretendimet e Prokurorisë ndaj tyre.

Mario Millosheviq dhe Gjorgje Paviqeviq, shtetas të Malit të Zi, Strahinja Dakoviq shtetas i Serbisë dhe Laureta Zyba, shtetase e Republikës së Kosovës u arrestuan në një operacion të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Mbi të dyshuarit, rëndon pretendimi i Prokurorisë për veprat penale të mbajtjes nën kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve si dhe blerja, posedimi,  shpërndarja dhe shitja paautorizuar e narkotikëve.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar, ka dyshim se disa prej të dyshuarve kanë kryer vepra të rënda penale dhe për këtë arsye masa e paraburgimit është proporcionale.

Prokurori, Armend Hamiti, para gjykatës, kërkesën e tij për caktimin të paraburgimit e arsyetoi duke cekur rrezikun e arratisjes pasi që disa prej të dyshuarve veçse janë në kërkim si pasojë e arratisë.

Kallxo ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku pasqyrohen pretendimet e prokurorit, Armend Hamiti, në njërën anë, si dhe të dyshuarve dhe mbrojtësve të tyre në anën tjetër.

I dyshuari i parë sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit të prokurorisë, Mario Millosheviq,  ka thënë para gjykatëses të procedurës paraprake se gjërat që janë gjetur janë të tija dhe duke zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Gjatë bastisjes së Policisë së Kosovës, sipas prokurorisë janë gjetur dy armë dhe më shumë së se dy kilogramë marihuanë.

Derisa, Millosheviq, zgjodhi heshtjen, mbrojtësi i tij, Arsim Bilalli kundërshtoi identitetin e paraqitur nga prokuroria duke pretenduar se mbrojtësi i tij është Miroslav Kostiq dhe se fakti se që posedonte armë ishte për shkak të sigurisë së tij pasi i përket një nacionaliteti tjetër.

I dyshuari tjetër, Gjorgje Paviqeviq para gjykatëses së procedurës paraprake, Alltëne Murseli tha se ishte i dënuar me burg në Mal të Zi prej 24 tetorit 2015, por para pesë muajsh ishte dërguar për shërim  dhe para 15 ditësh kishte ikur nga shërimi dhe kishte qenë në Kotorr.

“Unë prej para 4 ditësh kam ardhur në Kosovë tek Mirosllavi të cilin e njoh përmes një shokut tim dhe kam ardhur veç mysafir tek ai dhe këtë mund ta verifikoni në Mal të Zi”, tha Paviqeviq para Gjykatës.

Këto pretendime u mbështetën edhe nga avokati mbrojtës i Paviqeviq i caktuar sipas detyrës zyrtare, Nazim Mehmeti.

Shtetasi serb, Strahinja Dankoviq tha se droga e gjetur tek ai nuk është e tij sepse banesa ishte marrë me qira nga një agjenci.

Avokati i Dankoviqit, Bekim Sylejmani kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë, sepse Prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme dhe të arsyeshme për ta mbështetur këtë kërkesë.

Shtetasja nga Kosova, Laureta Zyba, sipas aktvendimit mbi caktimin e paraburgimit,  deklaroi para Gjykatës se Mario Millosheviqin e kishte njohur në një diskotekë dhe se ai ishte njeriu më i mirë që kishte njohur.

Mbrojtësi i Zybës, Alban Arifi, deklaroi se kërkesa e Prokurorisë nuk është në përputhje me Kodin e Procedurës Penale për shkak se mungon dyshimi i bazuar se është kryer vepra penale.

Gjyqtarja Murseli, nuk i gjeti të bazuara pretendimet e të dyshuarve dhe mbrojtësve të tyre duke u caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve. Të dyshuarit mund ta kundërshtojnë me ankesë vendimin për caktimin e paraburgimit.

Gjykata merr vendim për katër të arrestuarve dy netë më parë në Prishtinë

Një muaj paraburgim është caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për katër të arrestuarit: Mario Millosheviq, Gjorgje Paviqeviq, Strahinja Dankoviq dhe Laureta Zybas.

Kërkesën e prokurorisë e aprovoi gjyqtari i procedurës paraprake pas gati pesë ore sa zgjati seanca.

Të arrestuarit do të dërgohen në një nga qendrat e paraburgimit nën masa të rrepta sigurie.

Çka thuhet në kërkesën për paraburgim të katër të arrestuarve dy netë më parë në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktim të masës së paraburgimit ndaj katër të arrestuarve dy netë më parë në Prishtinë.

Kallxo ka siguruar kërkesën e Prokurorisë e cila i është dërguar Gjykatës Themelore.

Kërkesa për paraburgim është bërë kundër Mario Millosheviq, Gjorgje Paviqeviq, Strahinja Dankoviq dhe Laureta Zybas.

Në kërkesë jepet sqarimi në lidhje me arrestimin dhe veprat penale të të pandehurve.

Image

Sipas kërkesës së siguruar nga KALLXO.com ‘.. më datë 18.07.2019 rreth orës 19:00-20:00 në lagjen Kalabria në Prishtinë pas një kontrolli policor në bazë të informacioneve se personat në kërkim ndërkombëtar gjenden në banesat e Lesnës, Policia e Kosovës e ka bastisur atë rajon dhe një automjet Mercedes ku ishte i pandehuri Mario Millosheviq kanë gjetur një pistoletë CZ99, ndërsa në banesën që ishte duke e shfrytëzuar janë gjetur i pandehuri Gjorgje Paviqeviq dhe e pandehura Laura Zyba dhe 101 fishekë, një pistoletë, substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë dhe letër mbësthjellëse të narkotikëve, pastaj në banesën ku ka banuar Strahinja Dankoviq janë gjetur substanca narkotike”, thuhet në kërkesën për paraburgim.

Sipas arsyetimit të prokurorisë, gjatë ditës së djeshme Prokuroria Themelore- departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, ka pranuar kallëzim penal nga Policia e Kosovës- sektori i hetimeve të krimeve të rënda kundër katër të pandehurve për shkak të veprave penale, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i substancave narkotike, psikotrope dhe analoge lidhur me kërkesën ndërkombëtare nga INTERPOL.

“Pas vlerësimit të kallëzimit penal dhe provave materiale, të cilat gjenden në shkresat e lëndës kjo prokurori ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e lartëpëmernedur kanë kryer veprat penale shtije dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve dhe për shkak të një urdhër arresti ndërkombëtar nga INTERPOL për dyshimet e bazuara për kryerjen e veprave penale vrasje e rëndë dhe mbajtje  e paautorizuar e armëve dhe materieve plasëse’, thuhet në kërkesën e siguruar nga media.

Gjithmonë sipas kërkesës për paraburgim, pas vlerësimit dhe analizimit të kallëzimit penal, provave të siguruara, shkresave të lëndës, prokuroria ka kërkuar që ti caktohet masa e paraburgimit të pandehurit Mario Millosheviq, Gjorgje Paviqeviq, Strahinja Dankoviq dhe kosovares Laureta Zybas.

“Duke pasur parasysh rrethanat, veprat penale, shkresat e lëndës,  sjelljet dhe karakteristikat e të pandehurve se janë në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda kjo prokurori ka vlerësuar se me zbatimi i suksesshëm i procedurave për të lartcekurit është paraburgimi”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Fillon seanca për katër të arrestuarit, masa të shtuara të sigurisë

Ka filluar seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj M.M. shtetas i Malit të Zi, J.P. shtetas i Malit të Zi, S.D. shtetas i Serbisë, L.Z. shtetase e Kosovës.

Seanca është e mbyllur për media dhe publikun.

Mario Millosheviq, Jovan Paviqeviq, Strahinja Danokoviq dhe Laureta Zuba, janë dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku pas pak pritet tu caktohet masa e paraburgimit.

Katër të arrestuarit një ditë më parë nga Policia e Kosovës, janë sjell para pak çastesh te Gjykata Themelore e Prishtinës.

Së shpejti pritet të fillojë seanca ndaj tyre rreth kërkesës së prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit. Seanca është duke u zhvilluar pa prezencë të publikut.

Përreth gjykatës, por edhe brenda saj janë një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Intervenimit të Shpejtë (NJSI).

Policia e Kosovës në aksionin e parmbrëmshëm të Njësisë Speciale, arrestoi katër persona. Dy nga katër të arrestuarit sipas Policisë së Kosovës janë persona të  kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe të dy janë të dyshuar për përfshirje në vrasje.

Siç ka njoftuar Policia, deri të identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarave kanë arritur falë bashkëpunimit me autoritete malazeze.

“Policia e Kosovës, në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në këtë rast pas shkëmbimit të informacioneve me autoritete malazeze, me datë 18.07.2018, në Prishtinë ka zhvilluar një operacion policor për identifikimin dhe arrestimin e disa shtetasve të huaj, dy nga ta të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar që dyshohet se janë të përfshirë edhe në Vrasje”, ka njoftuar Policia.

Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.

“Policia gjatë operacionit ka arrestuar katër persona të dyshuar, dy nga të cilët dyshohet se përveç urdhër arrestit ndërkombëtar për vrasje, dyshohen të jenë përfshirë edhe në veprat penale: Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të armës”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat