Policët serbë të pezulluar për manipulim provash në rastin ‘Ivanoviq’, kthehen në punë

Aktuale

Policët serbë të pezulluar për manipulim provash në rastin ‘Ivanoviq’, kthehen në punë

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 20:30
Oliver Ivanoviq

Oficerët serbë të Policisë së Kosovës, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të dyshuar për manipulimin e provave në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit janë kthyer në punë.

Kthimi në punë nga pezullimi i oficerëve serbë të policisë së Kosovës u konfirmua edhe nga zëvendëskomandanti në Veri të Mitrovicës, Besim Hoti.

“Ka të bëjë me ndërprerjen e pezullimit dhe ata janë kthyer në punë. Ne morëm urdhër më 18 korrik, i cili sot hyn në fuqi”, ka thënë Hoti për KosSev.

Markoviq dhe Jovaniviq u arrestuan më 10 shkurt.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqri Syla ka pohuar se pamjet nga skena e vrasjes së Ivanoviqit tregojnë se policët në fjalë nga vendi i ngjarjes e kishin marrë një gëzhojë dhe gjatë gjithë kohës ishte në telefon.

Dy ditë më vonë, me vendim të Gjykatës Themelore në Mitrovicë policët janë liruar, edhe pse prokuroria kishte kërkuar paraburgim prej një muaji.

Kujtojmë, se dy policët ishin arrestuar në veri të Mitrovicës, nën dyshimin se kanë manipuluar me dëshmi të ndërlidhura me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, që ka ndodhur në janar të këtij viti në veri të vendit.

Bëhet fjalë për Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, që të dy të moshës 48 vjeçare. Dy ish efektivët e policisë të arrestuar në veri të Mitrovicës, dyshohen për manipulim të provave në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ata kanë qenë pjesëtarë të MUP-it, që janë inkuadruar në Policinë e Kosovës me marrëveshje të Brukselit.

Dyshohej se Dragisha Markoviq, është i dyshuar për asgjësim të provave, kurse, Zharko Jovanoviq për manipulim me prova dhe armëmbajtje pa leje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat