Kthehet në rigjykim rasti i vrasjes së policit Shemsi Gashi, një i akuzuar lirohet nga akuza

Aktuale

Kthehet në rigjykim rasti i vrasjes së policit Shemsi Gashi, një i akuzuar lirohet nga akuza

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 19:42
Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së policit Shemsi Gashi, që kishte ndodhur në mars të vitit 2015 në lagjen “Mati 1”, për të cilin, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 shkurt të këtij viti, kishte marrë aktgjykim dënues për të akuzuarit.

Për këtë rast, Vesel Gjinovcin për veprën penale të vrasjes së rendë dhe armëmbajtje pa leje, e kishte dënuar me 9 vjet e 6 muaj burgim, Ramadan Gashi për shtytje në vrasje dhe armëmbajtje pa leje ishte dënuar me dënim unik prej 25 vjetësh burgim, kurse të akuzuarin Kujtim Bejiqi, me 6 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasje e rëndë.

Të akuzuarit Vesel Bunjaku dhe Adonis Gashi për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes ishin dënuar, Bunjaku me 7 vjet burgim, kurse Gashi me 4 vjet burgim, ndërsa Robert Gashi, për mos lajmërim të veprës penale me 3 vjet burgim.

Ndërkaq, Agron Gashi, dhe Muja Gashi, nga gjykata ishin liruar nga vepra penale shtytje në vrasje të rëndë, pasi që sipas trupit gjykues, prokuroria nuk ka arritur të provojë se të akuzuarit janë fajtorë.

Por, këtë aktgjykim të shkallës së parë, tash e ka prishur Gjykata e Apelit, e cila më 29 qershor 2018, lëndën sipas ankesës së ushtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve dhe nga Prokuroria Themelore, e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë.

Kurse, për të akuzuarin Robert Gashi, të cilin Gjykata Themelore, e kishte shpallur fajtor duke e dënuar me 3 vjet burgim për moslajmërim të veprës penale dhe kryerësve të saj, gjykata e shkallës së dytë ka vendosur që të njëjtin ta lirojë nga akuza, raporton “Betimi per Drejtesi”.

Ndërsa, është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë me të cilin të akuzuarit Vesel Gjinovci, Ramadan Gashi, Vesel Bunjaku ishin dënuar për “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo në shfrytëzim të pa autorizuar të armëve”.

Prokuroria ishte ankuar lidhur me vendimin e Themelores për Mujë Gashin dhe Agron Gashin, për shkak të shkeljeve të procedurës penale, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, ndërsa për të akuzuarit Vesel Gjinovci, Kujtim Bejiqi, Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku, për shkak të vendimit mbi dënim.

Mirëpo, pas mbajtjes së seancës nga ana e Apelit, kjo gjykatë kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përpiluar në pajtim me dispozitat e nenit 365 të KPP-së, pasi që në aktgjykim nuk janë paraqitur faktet dhe rrethanat për veprat penale për të cilat akuzoheshin të pandehurit.

Sipas Apelit, aktgjykimi është në kundërshtim me faktet vendimtare dhe ka kundërthënie ndërmjet asaj që thuhet në aktgjykim lidhur me përmbajtjen e shkresave dhe procesverbaleve dhe deklaratave të dhëna në procedurë.

Gjykata e Apelit thotë se vendimi për revokimin e pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit Vesel Gjinovci, i cili akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”, ishte bërë pa dhënë arsye të qarta dhe të plota nga ana e trupit gjykues, pasi që njëherë ishte pranuar pranimi i fajësisë së tij më 5 shkurt 2016, e më vonë ishte revokuar nga ana e kryetares së trupit gjykues gjykatëses, Valbona Musliu-Selimaj.

Apeli vlerëson se Gjykata Themelore nuk jep arsye të mjaftueshme me rregullat e përgjithshme për matje të dënimit për të akuzuarit Vesel Gjinovci, të cilin për veprën penale “vrasje e rëndë”, e dënon me 9 vjet burgim, të akuzuarin Vesel Bunjaku për veprën penale “ndihmë në kryerje të veprës penale dhe “vrasje të rëndë” me dënim prej 7 vjetësh e për të njëjtën vepër penale Kujtim Beiqit i shqipton dënim prej 6 vjetësh, e të akuzuarit Adonis Gashi, 4 vjet burgim.

Sipas Apelit, dënimet e të akuzuarve Vesel Bunjaku që kishte pranuar fajësinë e Vesel Gjinovcit, Kujtim Beiqit dhe Adonis Gashit janë në diskrepancë të madhe për shkak të mos vlerësimit të drejtë dhe mos paraqitjes së fakteve vendimtare lidhur me vendimin mbi dënimin.

Kurse, sipas Apelit, arsyeja e lirimit nga akuza e të akuzuarit Robert Gashi ishte se i njëjti me të akuzuarin Mujë Gashi, janë në raporte familjare të ngushta babë e bir. E që sipas nenit 386 të Kodit të Procedurës Penale është paraparë që personi nuk është penalisht përgjegjës nëse është në lidhje familjare me kryerësin e veprës penale si prind.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 26 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimi ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Për shtytje në vrasje, gjykata e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Ramadan Gashi, duke e dënuar me burgimi prej 25 vjetësh, ndërsa për armëmbajtje pa leje, ai është dënuar me 1 vit burgim. Ndaj tij, ishte shqiptuar dënimi unik prej 25 vjetësh burgim.

I akuzuari Vesel Gjinovci, për veprën penale “vrasje e rëndë”, ishte dënuar me 9 vjet burgim, ndërsa me 1 vit burgim është dënuar për armëmbajtje pa leje. Ndërsa, gjykata ndaj tij, ka shqiptuar dënimin unik prej 9 vjetësh e gjashtë muajsh heqje lirie.

I akuzuari Kujtim Bejiqi, ishte dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasje e rëndë.

Gjykata po ashtu për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes e ka dënuar të akuzuarin Vesel Bunjaku, me burgim prej 7 vjetësh, kurse për armëmbajtje pa leje, ai ishte dënuar me burgim prej 1 viti. Bunjaku nga gjykata ishte dënuar me dënim unik prej 7 vjetësh e 6 muaj burgim.

Për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes nga gjykata me 4 vjet burgim ishte dënuar edhe i akuzuari Adonis Gashi.

Gjykata për të akuzuarin Robert Gashi e kishte bërë rikualifikimin e veprës panele, ku nga dhënia e ndihmës siç ishte akuzuar, në moslajmërimi i veprës penale dhe kryerësve të saj, ku ishte dënuar me 3 vjet burgim.

Agron Gashi, dhe Muja Gashi, nga gjykata ishin liruar nga vepra penale shtytje në vrasje të rëndë, pasi që sipas trupit gjykues, prokuroria nuk ka arritur të provojë me prova se të akuzuarit janë fajtorë.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave në vitin 2015, shumica prej tyre familjarë të të ndjerit Shemsi Gashi, lidhur me vrasjen e këtij të fundit.

Vesel Gjinovci dhe Kujtim Bejiqi akuzoheshin nga prokuroria për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Gjinovci e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar dhe i kishte kërkuar falje familjarëve të të ndjerit, ndërsa në fillim të muajit shkurt të këtij viti, trupi gjykues kishte vendosur që të bëjë revokimin e vendimit për pranimin e fajësisë, ku i është mundësuar edhe dhënia e mbrojtjes të akuzuarit para trupit gjykues.

Sipas prokurorisë, arsyeja që kishte çuar deri te kjo vrasje ishte një problem pronësor në mes të të ndjerit dhe Ramadan, Mujë e Agron Gashit, konkretisht për një parcelë, pronësore prej 40 ari, në “Lagjen e Spitalit”, në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku kishin shkuar në Brezovicë, ku kishin planifikuar vrasjen e rreshterit Gashi.

Gjithmonë sipas aktakuzës, Vesel Gjinovci e kishte njoftuar Ramadan Gashin se pas bisedës me Adonis Gashin, ka pranuar që ta kryejë vrasjen, ndërsa Ramadani i kishte premtuar si shpërblim 5000 euro, kurse me automjetin e tij e dërgoi Gjinovcin deri te shkolla e lagjes “Mati”, duke ia treguar orarin e punës së Shemsi Gashit dhe rrugën nëpër të cilën udhëtonte ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat