Rekomandimi pozitiv për vizat, një “Fitore e Pirros” për Kosovën

Aktuale

Rekomandimi pozitiv për vizat, një “Fitore e Pirros” për Kosovën

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 18 korrik 2018 Në ora: 22:45
Krerët e shtetit në takim me Mogherinin

Më në fund, Komisioni Evropian edhe zyrtarisht dha rekomandimin pozitiv për vizat, që do t’i jap fund regjimit izolues të shtetasve të Kosovës për të udhëtuar lirshëm në kontinentin që ata bëjnë pjesë.

Rruga drejt këtij finalizimi të shumë pritur nga qytetarët e Kosovës, është e përcjellë nga shumë sakrifica dhe dëme në kurriz të shtetit tonë, që i kanë lodhur këta qytetarë, të cilët si “arratisje” nga varfëria e skajshme, e shohin vetën si punëtor nën urdhrat e ndonjë patroni, shtetas i huaj.

Përderisa shumica e popullsisë e kanë pagën aq të vogël sa që nuk mund ta paguajnë as biletën e avionit për të udhëtuar jashtë vendit të tyre, nuk pritet që pjesa dërrmuese e tyre të marrin udhëtime turistike.

Kjo pritet, pasi që rreth 20% e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri të skajshme, ndërsa mbi 50% konsiderohen si të varfër.

Për të arritur deri te liberalizimi i vizave, Kosova pësoi edhe një copëtim të tokave të saj, pasi rreth 8000 hektarë iu dhanë Malit të Zi, sepse ishte një ndër kushtet kryesore që duhej plotësuar.

Ndërsa qytetarët e Kosovës si të pashpresë mbajtën brenda vetës mllefin që për shkak të bukës së gojës, e shinin Kosovën duke humbur territor e duke mos pasur guximin që ta kundërshtojnë. Kjo u pa edhe në protestat kundër demarkacionit, ku as 1% e popullatës nuk ishin nëpër sheshet e Prishtinës që ta kundërshtojnë atë.

Si fazë e fundit për liberalizimin e tërësishëm të vizave, Kosova mund të ketë përball kushtet e dialogut me Serbinë, të cilat mund të jenë prapë të dhimbshme për Kosovën.

Që në Ballkan të mbizotëroj paqja, BE mund të vendos kritere që Kosova të pranoj marrëveshjet reciproke me Serbinë, që ata të votojnë pro liberalizimit në mbledhjen e përgjithshme të BE që do të mbahet në vjeshtën e këtij viti. Një demarkacion tjetër me Serbinë, janë dyshimet më të mëdha dhe më të rrezikshme që mund ta presin Kosovën.

E vetmja gjë pozitive nga kriteret e BE që të arrihet liberalizimi i vizave, është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, që i shtrëngoi në një masë ata që përmes institucioneve të Kosovës, arritën ta kapin shtetin në duart e tyre, duke e privatizuar në një far mënyre.

Tani gjithçka mbetet në dorë të Parlamentit Evropian se a do t’i kemi votat e tyre për vizat, duke u lutur që mos ta kemi fatin e Turqisë, pasi kjo e fundit ka marrë rekomandimin pozitiv para dy viteve, mirëpo ende Parlamenti Evropian nuk ka vendosur pozitivisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat