Limaj në krah të njeriut që “ia montoi” akuzat

Aktuale

Limaj në krah të njeriut që “ia montoi” akuzat

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 21:34
Limaj në krah të njeriut që “ia montoi” akuzat

Raportet mes Fatmir Limajt dhe Kadri Veselit që nga viti 2014 duket se janë ndryshuar dukshëm. Përderisa katër vite më parë Limaj kishte akuzuar Veselin për montim akuzash, ata sot janë parë përkrah njëri-tjetrit në Bruksel.

Limaj që ishte akuzuar për korrupsion në rastin MTPT kishte akuzuar Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK-un) dhe disa pjesëtarë të EULEX-it për montim të rastit.

Gjatë një interviste në vitin 2014, Limaj kishte thënë se SHIK-u dhe dy francezë, njëri prej tyre këshilltar i ish-shefit të EULEX-it, francezin Yves de Kermabon dhe ish-kryeprokuroren e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Izabel Arnal po ashtu franceze ia kishin përgatitur këtë rast për ta eliminuar.

Limaj kishte thënë se ishte arrestuar qëllimisht vetëm që mos të ishte pjesë e Konventës së PDK-së kur Kadri Veseli u bë zëvendëskryetar i kësaj partie.

Ndërkaq Limaj sot në cilësinë e zv/kryeministrit ka marrë pjesë në delegacionin e Kosovës në takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherinin ai është parë përkrah të Veselit. Para takimit Mogherini ka ftuar përfaqësuesit kosovarë ta bëjnë një fotografi të përbashkët.

Fillimisht Limaj dhe disa përfaqësues të tjerë kishin nguruar të marrin pjesë në këtë fotografi, por ata pas ftesës së Mogherinit dhe Thaçit i janë bashkuar, teksa Limaj ka shkuar afër Veselit.

Limaj, kishte akuzuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin për eliminime politike me anë të SHIK-ut. Me eliminime kishte thënë se Veseli ka ardhur edhe në kryer të Kuvendit duke u bërë njeriu i dytë në Kosovë në hierarkinë institucionale vetëm një vit e gjysmë pas hyrjes në politikë.

“Këtu është ndihmuar edhe nga z. Thaçi dhe tash z. Thaçi vetë duhet me u ballafaqu se ma nuk e ka as Jakupin, as Fatmirin, këta tjerët nuk i ka shumë telash se i lëshojnë rrugë vetë”, kishte thënë Limaj.

Ish-ministri i Transportit i akuzuar për disa veprime kriminale përfshirë krimin e organizuar dhe marrjen e ryshfetit, kishte thënë se duke u hapur ky hetim është eliminuar politikisht. Kishte thënë se në këtë ministri ka njerëz drejtpërdrejtë të lidhur me disa ndërkombëtar të cilët i kanë hapur hetimin.

“Janë dy nga pjesa franceze që kanë qenë të lidhur me SHIK-un. Unë pres që hetuesit nëse duan ta hetojnë në EULEX çka po ndodh, jam i gatshëm me dhanë deklaratën teme se çka ka ndodhur me disa element që kanë bashkëpunuar shumë ngushtë me njerëz të Kosovës për të eliminuar dhe linçuar njerëz”, kishte thënë ai.

“Po, në kohën e z. Kërmabo, këshilltari i tij në bashkëpunim me SHIK-un…, një prokurore Izabela Arnal, gjithashtu franceze, kryeprokurore e Prokurorisë Speciale e cila e ka pas detyrën për ta bërë atë që ka bërë në Ministrinë e Transportit në atë kohë. Asnjëherë në asnjë variant mos të kish ndodh ajo në MPTP nuk, do të ishte ajo situatë në PDK që është. Dikush ka xhlozu brenda PDK-së apo SHIK-ut, ka qenë duke akuzuar”, kishte vazhduar me akuza ai.

Limaj e kishte akuzuar Kadri Veselin për montim të mesazheve telefonike ndërmjet këshilltarit të tij, Endrit Shala dhe biznesmenit nga Gjilani, Florim Zuka. Në ato mesazhe flitet për përqindje ryshfeti deri në 25 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat