Takimi në Bruksel, Thaçi jep detajet, Vuçiq tregon çfarë duan shqiptarët

Aktuale

Takimi në Bruksel, Thaçi jep detajet, Vuçiq tregon çfarë duan shqiptarët

Nga: Bota sot Më: 18 korrik 2018 Në ora: 11:17
Thaçi, Mogherini dhe Vuçiq

(E plotësuar) - Zyra e Përfaqësueset së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, njofton se në takimin disaminutësh mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksander Vuciq, u diskutuar për hapat drejt arritjes së një marrëveshjeje të obligueshme. Në njoftimin e dhënë nga zyra e Mogherinit thuhet se presidentët u pajtuan për takimin e radhës pas disa javësh.

Përfaqësuesja e lartë e BE’së, Federica Mogherini, sot në Bruksel priti në takim Presidentin serb Aleksander Vuciq dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Përfaqësuesja e lartë dhe dy presidentët rishikuan progresin e bërë në diskutimet për kornizat e arritjes së një marrëveshje të obligushme dhe legale për normalizim të raporteve mes dy vendeve. Ata u pajtuan që të ritakohen brenda disa javëve dhe të vazhdojnë punën e tyre”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e Mogherinit.

Image
Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi

Përfundon takimi Thaçi - Vuçiq në Bruksel, presidenti jep detajet

Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se ishte një takim i vështirë pasi Serbia ende mashtrohet dhe gabon rënd, duke menduar se Kosova është pjesë e saj.

Presidenti Thaçi i bëri këto komente, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prezencën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, në Bruksel, ku fillimisht është mbajtur takimi në mes delegacionit të Kosovës me Mogherinin, pastaj u takuan dy presidentët.

Thaçi: Takimi ishte i vështirë

“Ka qenë një takim i shkurt, jo i lehtë, mund të them shumë i vështirë, ndoshta më i shkurti dhe më i rëndi prej të gjitha takimeve që kemi zhvilluar në këto gjashtë vitet e fundit por përkushtimi i jonë për të ardhmen evropiane është serioz, i përgjegjshëm, prandaj do të punojmë maksimalisht për të arritur marrëveshjen përfundimtare. Unë ende shoh dritë në fund të tunelit, megjithëse do të jetë jashtëzakonisht vështirë për arsye se Serbia ende mendon se Kosova është pjesë e saj, ende jeton me mentalitetin e së kaluarës, mashtrohen, gabohen rënd, ka qenë takim shumë i rënd me zotin Vuçiq, edhe ai duhet ta kuptoj, edhe vet Serbia se Kosova është vend sovran”, ka thënë ai.

Ai tha se në ditën dhe muajit e ardhshëm pret takime shumë më të vështira, por se negociatat nuk kanë alternativë.

Thaçi: Po mungon guximi për t’i liruar popullin serb

“Duhet të arrihet një marrëveshje për të dy vendet si vende sovrane, një marrëveshje që hap perspektivë euro-atlantike për Kosovën dhe për Serbinë, një marrëveshje që lehtëson të ardhmen e të dy vendeve dhe popujve tanë, që sjellë mirëkuptim dhe pajtim. E theksojë,  të sjellë, nuk pres që procesi të jetë më i lehtë në ditët dhe javët më të mëdha, pres vështirësi, pengesa dhe proces edhe më të rënd, duke shkuar drejt kësaj maratone të dialogut....po mungon guximi për t’i liruar popullin serb nga barra historike e padrejtë në raport me Kosovën”, tha ai.

I pyetur nëse Kosova do të pranojë të rihapet çështja e statusit, presidenti Thaçi, tha se nuk ka rikthim prapa.

Thaçi: Nuk ka rikthim mbrapa

“Mos na rikthe sepse nuk ka rikthim mbrapa... Ne këtu jemi për të fituar, jo për të humbur, nuk jemi për ta mundur njëra tjetrën por për të gjetur zgjidhje që i lëviz të dy vendet përpara ose do të paguajmë çmim të madh dy vendet, veçanërisht pas arritjes së marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, është një atmosferë e re në ballkanin perëndimorë. Është shumë me rëndësi që Bashkimi Evropian është unik në mbështetje të arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tregojnë interes të veçantë për këtë proces dhe bota nuk i kthe sytë dhe vëmendjen shpesh nga rajoni apo kur ne kemi dëshirë”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se marrëveshja përfundimtare do të ishte edhe interes strategjik për paqen në rajon.

Image
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Vuçiq pas takimit me Thaçin: Shqiptarët i duan të gjitha, ne duam kompromis

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në prezencën e përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka deklaruar se nuk funksionon vetëm me zgjidhjen që po ofron delegacioni i Kosovës, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Presidenti serb kur është pyetur nëse Serbia do ta njoh Kosovën në përfundim të këtij dialogu, ka thënë se të dy palët janë të pakënaqura, andaj duhet gjendet një zgjidhje reale.

Vuçiq: Po na kërkohet njohja e pavarësisë, nuk funksionon kështu

“Kjo është pyetje që më bëhet çdo ditë. A do të shohim një kompromis, cila do të jetë zgjidhja e kompromisi? I vetmi kompromis dhe zgjidhje që na ofrohet, që të gjitha partitë politike kosovare, veçanërisht Hashim Thaçi dhe të gjithë të tjerët po na ofrojnë gjithmonë është që ta pranojmë pavarësinë e Kosovës. Nuk funksionon kështu. Ne kemi nevojë për t'u ulur dhe ne duhet të përpiqemi. Ne duhet të themi dhe ju duhet t'i thoni të dy shoqërive tona për të bërë kompromis për shumë çështje të rëndësishme. Ju nuk mund të jeni plotësisht të kënaqur, ne nuk mund të jemi plotësisht të kënaqur. Ne të dy jemi të pakënaqur në mënyrë të barabartë, kjo do të thotë se ne jemi në gjendje të arrijmë një zgjidhje reale kompromisi”, tha presidenti serb.

Edhe Vuqiq sikurse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se bisedimet kanë qenë shumë të vështira, por që sipas tij janë marr vesh për dy gjëra.

Vuçiq: Ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje

“Janë dy gjëra për të cilat jemi marr vesh, njëra që bisedimet të vazhdojnë, të përpiqemi të gjejmë emëruesin e përbashkët të zgjidhjes së kompromisit, dhe e dyta është të ruajmë paqen dhe stabilitetin në raportet mes Beogradit dhe Prishtinës. Nuk kam çka të shtoj më shumë, thjesht nëse mundem me një fjali me thënë, shqiptarët dhe Thaci do të dëshironin gjithçka të marrin, kërkojnë gjithçka për shqiptarët e Kosovës, ndërsa ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje kompromisi nga e cila asnjëra palë nuk do të ishte e poshtëruar, derisa unë mbroj interesat e palës serbe dhe do të mundohem që ato të mos jenë të lëna anash”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë tha se puna e tij është siguria e serbëve të Kosovës dhe siç tha Vuçiq ia kanë arritur ta bëjnë këtë.

Vuçiq: Puna ime siguria e serbëve

“Puna ime është të përkujdesem për sigurinë e serbëve keni parë kemi pasur dialog, pastaj ndërprerje të dialogut etj, megjithatë kemi arritur të ruajë sigurinë e atyre njerëzve”, tha Vuçiq.

Në pyetjen cilat janë hapat e mëtejmë rreth dialogut, presidenti serb tha pyetja është e vështirë ndërsa përgjigjja edhe më e komplikuar e që sipas tij për një arsye të thjeshtë për shkak të situatës së tillë dhe se është fjala për një problem që ekziston tash e 150 vjet.

Përfundon takimi Thaçi - Vuçiq në Bruksel

Ka përfunduar tashmë takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ky takim i mbajtur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, është ndërmjetësuar nga Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e BE-së.

Fillon takimi Thaçi - Vuçiq

Pas përfundimit të takimit ndërmjet Ekipit Negociator të Kosovës, me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Frederika Mogherini ka filluar takimi ndërmjet presidentit te Kosoves, Thaçi dhe atij serb, Vuçiq.

Mogherini ka mbledhur dy presidentët si vazhdim i fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova për herë të parë në fazën e fundit të këtij dialogu është duke u përfaqësuar një delegacion të gjerë, i përbërë nga Presidenti dhe liderët e partive të koalicionit.

Mbrëmë delegacioni i Kosoves është takuar me përfaqësues të lartë të Departamentit të shtetit amerikan, të cilët kanë kërkuar dinamizmin e dialogut.

Image
Takimi Thaçi - Vuçiq
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat