Thaçi: Ata që janë larguar nga FSK-ja janë larguar edhe nga ushtria

Aktuale

Thaçi: Ata që janë larguar nga FSK-ja janë larguar edhe nga ushtria

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 15:23
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke komentuar largimin e pjesëtarëve të komunitetit serb nga radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka deklaruar se asnjë organizim anti-ushtri të Kosovës, i motivuar me agjendë të qartë nga Beogradi, nuk do të mund ta frenojë të ardhmen euroatlantike të Kosovës, themelimin e Kosovës dhe multietnicitetin e kësaj force.

Sipas tij, ata që janë larguar nga FSK-ja, automatikisht largohen edhe nga ushtria e Kosovës.

Ai këto komente i ka bërë në fshatin Kravaricë të Gjilanit, me rastin e vizitës në kompaninë “MOEA”.

Thaçi: Nuk ka hajgare këtu, ata që kanë dalë nga FSK-ja nuk kthehen më

“Pavarësisht nga pengesat, është mirë që Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja kanë marrë vendim të qartë. Ata që largohen nga FSK-ja, ata automatikisht largohen nga ushtria e Kosovës. Këtu nuk ka hajgare për t’u larguar e për t’u rikthyer... Asnjë organizim anti-ushtri të Kosovës, i motivuar me agjendë të qartë nga Beogradi, nuk do të mund ta frenojë të ardhmen euroatlantike të Kosovës, themelimin ushtirisë dhe multietnicitetin e kësaj force”, tha presidenti.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Thaçi thotë se synimi është i qartë; njohja e Kosovës si shtet i pavarur.

Sipas tij, vëmendja e shteteve është e përqendruar në Kosovë, dhe për këtë ai ka ftuar që të ketë unitet politik në vend, në mënyrë që të mos humbas Kosova për shkak të tekeve personale dhe trikave elektoral.

Megjithatë, i pari i vendit, tha se është për t’u përmendur fakti se të gjithë përfaqësuesit politik janë në favor të dialogut.

Thaçi: Nuk duhet humbur vëmendjen e botës për shkak të tekeve personale

“Nuk na jepet shpesh kjo mundësi që bota të rikthejë vëmendjen nga Kosova, paqja dhe stabiliteti në rajon. Këtë mundësi nuk duhet ta humbim për shkak të tekeve personale apo trikëve elektorale që  nuk funksionojnë në vend. Qytetarëve tonë respektojnë ata që investojnë për shtetin. Kështu që në këtë proces që duhet të përmbyllet me njohje reciproke të Kosovës me Serbinë, duhet të marrim përgjegjësi të gjithë. Duhet pasur parasysh që askush i vetëm nuk do të mund ta përmbyllë këtë proces, ashtu si askush i vetëm nuk do të mund të pengojë këtë proces”, tha ai.

I pari i vendit ka folur edhe rreth deklaratës së djeshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, me ç’rast tha se nuk përbënë ndonjë risi.

Ai u shpreh i bindur se qëndrimi i Rusisë nuk do të jetë më pro-serb se sa që aktualisht e ka vet Beogradi.

Thaçi: Nuk mendoj se Rusia do të ketë qëndrim më pro-serb se sa Beogradi

“Deklarata e djeshme e MPJ-së të Rusisë ka qenë e njohur edhe më herët, e qartë. Diçka që që m’u theksua edhe në takimin me kryeministrin e Rusisë, Medvedev, i cili theksoi se nëse ‘ju merreni vesh Kosovë – Serbi, pozicioni ynë do të jetë në përputhshmëri me marrëveshjen tuaj të përbashkët’. Prandaj, nuk ka qenë ndonjë risi, ka qenë diçka që ka qenë e njohur dhe unë nuk mendoj se Rusia do të ndërmerrë ndonjë qëndrim më serb sesa që ka aktualisht Beogradi”, theksoi Thaçi.

Për takimet e liderëve me përfaqësuesit e listës serbe, Thaçi bëri të ditur se është takuar me të gjithë përfaqësuesit e partive politike, shqiptare dhe jo shqiptare, por shtoi se ata që kanë probleme me ligjin nuk mund të jenë prezent në këto takime, pavarësisht përkatësisë etnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat