Platforma e çështjes kombëtare s’duhet reduktuar në ekskluzivitet qeveritar

Aktuale

Platforma e çështjes kombëtare s’duhet reduktuar në ekskluzivitet qeveritar

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 18:01
Foto nga tryeza “Shqiptarët dhe integrimi evropian”

Lëvizja Vetëvendosje organizoi sot në Tiranë tryezën e dytë “Shqiptarët dhe integrimi evropian”, si vazhdim i tryezës së 15 majit në Prishtinë, në të cilën morën pjesë akademikë, studiues, artistë, gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile, profesionistë të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të subjekteve politike.

Tryeza u hap nga kryetari Albin Kurti, i cili shpjegoi pesë konkluzat e dala nga tryeza në Prishtinë, si nevoja për një proces integrimi që shihet e vlerësohet si proces i bërjes anëtar dhe jo i vajtjes në BE,  rëndësia strategjike e integrimit të njëkohshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, zhvillimi ekonomik dhe drejtësia si prioritet, harmonizimi i një politike të jashtme të përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe e shqiptarëve në përgjithësi, dhe puna me pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Pjesëmarrësit e tryezës në Tiranë shprehën pajtimin me konkluzat e nxjerra nga tryeza në Prishtinë, duke shtuar edhe konkluza të tjera, si çështja kombëtare nuk shuhen dhe as nuk marrin zgjidhje përfundimtare me integrimin në BE, derisa rasti aktual i Katalonisë në Spanjë vërteton këtë fakt.

Po ashtu, u konkludua se një nga pengesat më të mëdha të integrimit të shqiptarëve në procese më të gjera, përfshirë atë në BE ka qenë statu quo-ja në përfaqësimin politik shqiptar, e cila duhet të ndryshojë duke ndryshuar edhe cilësinë e përfaqësuesve në Parlamente.

Keqkuptimi dhe keqinterpretimi i BE-së si proces teknik nga jashtë dhe si mbikëqyrje formale standardesh, nuk e ka lejuar shoqërinë shqiptare të shprehet aktivisht në bazë të elementeve dhe aftësive përbërëse të integrimit.

Një nga shtysat më të rëndësishme të integrimit evropian nis me njohjen sa më të plotë të aftësive si kolektivitet kombëtar, dhe jo si përdorim instrumental i aktorëve civilë, politikë dhe ndërkombëtarë.

Ndër konkluzat tjera ishin se bashkërendimi dhe bashkimi i tregjeve dhe prodhimeve të Kosovës e Shqipërisë, integrimi kulturor mbarëkombëtar është domosdoshmëri që duhet të realizohet paralelisht me integrimin evropian dhe se platforma e çështjes kombëtare nuk mungon, siç këmbëngulet në të folurin mbizotërues, por ajo është shpallur që në Lidhjen e Prizrenit, ndaj sot nuk duhet të reduktohet në ekskluzivitet qeveritar, por në një akt të përbashkët intelektual politik.

Në të dy tryezat e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje është dalluar qartë nevoja e madhe që kanë shqiptarët për të diskutuar lidhur me integrimin evropian, përtej formulave gjuhësore burokratike, që përdoren shpesh për këtë temë nga elitat politike shqiptare dhe zyrtarët e BE-së në vendet tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat