Përmendja e amnistisë për krimet, shqetëson të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës - Bota Sot
Përmendja e amnistisë për krimet, shqetëson të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Aktuale

E diel, 22 korrik 2018

Përmendja e amnistisë për krimet, shqetëson të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 15:59
Ilustrim

U tha se Presidenti është në gjendje që amniston krimet e Serbisë ndaj Kosovës, kjo për hatër të dialogut 6 vjeçar në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, edhe pse shumë shpejtë Zyra e Presidentit ka demantuar lajmin, te të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ky lajm ishte i tmerrshëm. Media ka kontaktuar Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, të cilët treguan frikën ndaj amnistisë të mijëra të mbijetuarve të kësaj lloj dhune gjatë luftës.

Në fazën finale të bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, u raportua se Presidenti ka deklaruar se në marrëveshjet që do të arrihen mes dy vendeve mund të përfshihet edhe amnistia dhe pajtimi ndaj Serbisë për krime.

Por ky lajm u përjetua mjaftë keq nga personat që janë të prekur drejtpërdrejtë nga lufta, familjarët e viktimave, por edhe vetë viktimat e gjalla të luftës.

Shumë shpejt Zyra e Presidentit e demantoi këtë lajm, duke thënë se nuk është aspak e vërtetë që Presidenti ka thënë një gjë të tillë. Por, lajmi ishte shpërndarë dhe këtë nuk e morën aspak mirë të mbijetuarit e dhunës seksuale në luftën e Kosovës.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me të marrë këtë lajm, ka kontaktuar me viktimat/ të mbijetuar të dhunës seksuale dhe u ka qëndruar pranë, të cilët kanë qenë shumë të shqetësuar me lajmin se diçka e tillë mund të ndodhë.

Kështu kanë thënë nga kjo Qendër për Express kur u pyetën rreth komentit sa i përket kësaj çështjeje.

“Fillimisht, ne ende nuk e dimë nëse çështja e amnistisë, të cilës ju i referoheni, është lansuar zyrtarisht, apo është vetëm pjesë e diskursit të gjerë publik dhe mediatik. Sido që të jetë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me të marrë një lajm të tillë, ka kontaktuar me viktimat / të mbijetuar të dhunës seksuale dhe u ka qëndruar pranë, të cilët kanë qenë shumë të shqetësuar me lajmin se diçka e tillë mund të ndodhë”, thonë nga Qendra kosovare për Rehabiliminin e të Mbijetuarve të Torturës.

Sido që të jetë, Qendra thotë se këto shqetësime janë përcjellë tek institucionet vendore, dhe nga institucionet është thënë se “kjo nuk mundet dhe as nuk guxon të ndodhë”.

“Kështu, amnistia për kryesit e krimeve do ta dëmtonte pa masë qasjen në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale.”, thuhet në përgjigjen.

Një i mbijetuar i luftës Qendra thotë se nuk mundet të gjejë paqe shpirtërore, dhe as gjyqësia nuk mund të sjellë paqe në qoftë se dhunuesit nuk e marrin dënimin e merituar.

Edhe pse tash Zyra e Presidentit e ka demantuar lajmin për amnistinë, kjo nuk është hera e parë që Presidenti Thaçi e përmend çështjen e amnistisë ndaj Serbisë.

Në vitin 2013, kur Hashim Thaçi ishte Kryeministër i Kosovës, pati thënë se miratimi i ligjit për Amnistinë është një hap i madh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Amnistia e atëhershme kishte  për qëllim faljen e serbëve të cilët mund të kenë qenë përfshirë në rezistencë ndaj autoriteteve të Prishtinës dhe të nxisë integrimin e tyre. Ajo ishte prezantuar si pjesë e marrëveshjes së arritur  në mes Kosovës dhe Serbisë gjatë negociatave të mbështetura nga BE-ja, që synon normalizimin e marrëdhënieve.

Por vetëm përmendja e amnistisë ndaj krimeve të Serbisë, do t’i shqetësojë mjaftë deri 2 mijë të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë.

Për më shumë saktësi rreth numrit të të mbijetuarve të kësaj lloj dhune, Qendra kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka dhënë statistika.

“Numri i të mbijetuarve të dhunës seksuale, nga koha e luftës në Kosovë, nuk dihet saktësisht, shifra 10000 deri 20000, është vlerësuar qysh nga përfundimi i luftës, por kjo shifër më tepër është një hamendësim sesa statistikë e vërtetuar”, përgjigjet kjo Qendër.

E sa i përket procesit të njohjes dhe verifikimi i statusit të viktimave të dhunës seksuale, nga Qendra thonë se ky proces mund të zgjate 5 vjet.

“Përafërsisht, tek pas 5 vjetëve do të kemi statistika zyrtare për numrin e viktimave të dhunës seksuale”, thuhet në përgjigje.

Ky proces, ka nisur në fillim të vitit 2018, dhe deri tani zyrtarisht kanë aplikuar 600 persona për njohjen e statusit, ku 115 prej tyre u është njohur ky status.

Por, sa kanë mbështetje institucione të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës?

Nga Qendra thonë se mbështetja institucionale nuk duhet të stagnojë me kompensim monetar, si çështja e pensionit, pasi nuk është dëmshpërblim, por është njohje e kontributit dhe sakrificës, si viktima civile të luftës.

“Në fund të vitit 2017 Qeveria e Kosovës pati ndarë buxhetin për procesin e njohjes dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Të gjithë të mbijetuarit që do ta gëzojnë këtë status do të gëzojnë edhe një pension prej 230 euro, i cili nuk është dëmshpërblim por është njohje e kontributit dhe sakrificës, si viktima civile të luftës. Por, për më tepër se kaq, mendoj që mbështetja institucionale nuk duhet të stagnojë me këtë kompensim monetar, por viktimave t’u sigurohet qasja në drejtësi si dhe realizimi i të drejtave tjera që derivojnë nga ligji për viktimat civile të luftës”, thotë kjo Qendër.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen  e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, për “amnistinë” e Hashim Thaçit, kanë thënë se është e gabuar.

Behgjet Shala nga KMDLNJ, pati deklaruar se një amnistim i tillë nga Kosova përbënë shkelje të të gjitha konventave ndërkombëtare të luftës. Ai ka thënë se personat që kryen krime dhe gjenocid nuk amnistohen asnjëherë dhe se hetimet për ta mund të zgjasin përgjithmonë.

Thaçi pritet të përfaqësojë Kosovën në fazën finale të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, teksa është kritikuar mjaft ashpër nga partitë opozitare në Kosovë. Sipas tyre, Thaçi nuk është personi i duhur që duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë dialog.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test