A do të shtyhet liberalizimi për vitin tjetër? - Bota Sot
A do të shtyhet liberalizimi për vitin tjetër?

Aktuale

E shtunë, 22 shtator 2018

A do të shtyhet liberalizimi për vitin tjetër?

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 15:49
Ilustrim

Pas deklaratës së Komisionerit Johannes Hahn, se raporti i Komisionit Europian për vizat do të publikohet para pushimeve të verës, Ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur obligimet e veta karshi BE’së. Por, ajo, nuk ka pranuar të thotë se Brukseli ka vonuar Kosovën duke e vonuar publikimin e raportit për vizat.

Komisioneri Johannes Hahn, ka thënë të martën se raporti i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave do të publikohet para pushimeve të verës. Ndërkohë që të martën, me 10 korrik, është paraparë që ky raport të jetë pjesë e rendit të ditës në Komitetin LIBE të Parlamentit Europian, por kjo gjë nuk ka ndodhur, pasi nuk ka ardhur ende njoftimi nga Komisioni Europian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Ministrja e Integrimeve Europiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se institucionet e Kosovës kanë përmbushur obligimet e veta karshi BE’së. Ndërsa tani e tutje i mbetet kësaj të fundit që të konfirmojë këtë përmbushje në një raport, i cili pritet të publikohet para pushimeve të verës.

“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përmbushur obligimet e veta karshi BE-së duke përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Tash i mbetet BE-së që të konfirmojë këtë përmbushje në një raport që siç ka thënë edhe Komisioneri Hahn, pritet të publikohet para pushimeve të verës”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa sa i përket vonesës së këtij raporti, Hoxha ka thënë se Kosova është ajo që është vonuar me ratifikimin e kufirit me Malin e Zi, ndërsa institucionet e BE’së e kanë kryer punën e tyre ngjashëm sikurse me vendet e rajonit, të cilat tashmë gëzojnë lëvizjen pa biza në zonën e Schengenit.

“Nëse flasim për vonesa, atëherë duhet përmendur që jemi ne që jemi vonuar me ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, ndërkohë që institucionet e BE-së kanë kryer punën e tyre pothuaj ngjashëm sikurse kanë vepruar me vendet e rajonit, të cilat tashmë gëzojnë udhëtimin pa viza në hapësirën e Schengenit”, ka theksuar Hoxha.

Ajo gjithashtu ka thënë se nuk duhet harruar se procesi i konsultimeve të brendshme dhe votimit në Parlamentin Europian është proces politik dhe duke ditur se është i tillë nuk mund të flasim për vonesa, por për procedura të brendshme të këtij institucioni.

Hoxha po ashtu ka shpjeguar se pas votimit në Parlamentin Europian, pro liberalizimit, atëherë kjo çështje hidhet te Këshilli për Çështje të Drejtësisë dhe të Brendshme, në të cilin ulen ministrat e brendshëm dhe ata të drejtësisë, të vendeve anëtare të BE’së.

Këshill ky, i cili takohet 6 herë në vit dhe zakonisht takimet mbahen në tetor dhe në fund të nëntorit, ose në fillim të dhjetorit. 

Gjithashtu ajo ka thënë se duhet pasur parasysh që publikimi i raportit pozitiv nga Komisoni Europian është motori që vë në lëvizjë si Parlamentin Europian, po ashtu edhe Këshillin.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test