E konfirmojnë pjesëmarrjen, por mungojnë në takim

Aktuale

E konfirmojnë pjesëmarrjen, por mungojnë në takim

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 13:39
Abelard Tahiri

Ndonëse kishin konfirmuar pjesëmarrjen një ditë më parë, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, kryetari i KGJK-së Nehat Idrizi dhe ai i KPK-së Blerim Isufaj nuk kanë marrë pjesë në Komisionin për Legjislacion.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu e ka quajtur papërgjegjësi totale mungesën e ministrit dhe krerëve të KPK-së e KGJK-së në mbledhjen e komisionit ani pse dje e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Ajo tha se grevistët e judikaturës nuk do ta ndërpresin grevën pa marrëveshje me shkrim, e cila do të sigurojë se do të realizohen kërkesat e tyre.

Ndërsa deputeti i PDK-së Hajdar Beqa u shpreh se i përkrahin kërkesat që janë të mundshme për grevistët.

Të vetmit që morën pjesë në komision ishin përfaqësuesit e këshillit grevist. Asllan Rusinovci nga Sindikata e Judikaturës ka thënë se kërkesa e tyre e parë është rritja e pagave prej 100 për qind. Ai tha se është bërë një ndasi e madhe dhe është e paarsyeshme kjo.

Ndërsa Sadri Llumnica nga Prokuroria e Apelit tha se situata është e rëndë e punëtorëve të administratës. Ai ka kërkuar nga deputetët që t’i përkrahin punëtorët duke përdor autoritetin e tyre si përfaqësues të popullit.

Të gjithë deputetët kanë përkrahur kërkesat e grevistëve duke premtuar përkrahje për t’i realizuar ato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat