Koha kur Rugova e priste në rezidencën e tij Ministrin e Jashtëm rus, kjo ishte kërkesa direkte e presidentit historik

Aktuale

Koha kur Rugova e priste në rezidencën e tij Ministrin e Jashtëm rus, kjo ishte kërkesa direkte e presidentit historik

Nga: P.R Më: 11 korrik 2018 Në ora: 12:04
Sergej Lavrov dhe Ibrahim Rugova, Prishtinë, 8 nëntor 2005

Ditë më parë, Hashim Thaçi, është takuar me kryeministrin e Rusisë, Dmitry Medvedev. Ky takim ka ndodhur gjatë ceremonisë së inaugurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Kryeministrin Medvedev shkurtimisht e informova për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon. Me këtë rast, kërkova nga kryeministri Medvedev që të vendosim një komunikim fillestar midis dy vendeve tona.

Ne, po ashtu, biseduam edhe për fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe u pajtuam se marrëveshja eventuale do të sjellë paqe afatgjate në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Thaçi në faqen e tij në facebook.

Por Thaçi, askund nuk ka përmendur pavarësinë e Kosovës.

E anëtari i LDK-së, ish- zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, përmes një postimi në faqen e tij në facebook, ka rikujtuar kohën kur presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova kishte pritur në rezidencën e tij në Velani, ministrin e Jashtëm Rusi Sergej Lavrov të cilit ia kishte kërkuar njohjen direkte të të Kosovës.

“Presidenti Rugova e priste ministrin rus në rezidencën e tij, pranë flamurit të Dardanisë dhe ia kërkonte njohjen direkte të pavarësisë!”, ka shkruar Dushi, përcjellë “Bota sot”.

Ky është postimi i plotë:

RIKUJTIM!

Presidenti Rugova e priste ministrin rus në rezidencën e tij, pranë flamurit të Dardanisë dhe ia kërkonte njohjen direkte të pavarësisë!

Prishtinë, 8 nëntor 2005/QIK - Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov është pritur mbrëmë edhe nga nga Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ku është biseduar lidhur me procesin politik, që e çon Kosovën drejt negociatave për statusin përfundimtar të saj.

Presidenti Rugova falenderoi Rusinë për ndihmën që ka dhënë për përpjekjet e saj për ta ndihmuar Kosovën edhe në proceset që po i kalon ajo. Presidenti Rugova edhe me këtë rast insistoi për një njohje direkte të pavarësisë së Kosovës.

"Ministri rus ishte për një ngjarje të rëndësishme në Kosovë - për hapjen e zyrës ruse në Kosovë. E përshëndesim këtë gjest dhe e falënderojmë Rusinë që e ka hapë këtë zyrë këtu dhe që na ka përkrahë këto vite", tha Presidenti Rugova pas takimit.

Po ashtu ai tha se e kishte njoftuar ministrin Lavrov për progresin e arritur në Kosovë dhe për përgatitjet që po bëhen që të bisedohet për të ardhmen e Kosovës në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare që për Prishtinën është pavarësia.

"Unë insistoj për një njohje direkte të pavarësisë që do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Ne do të bëjmë të gjitha garancionet për minoritetet, grupet etnike. Një Kosovë e integruar në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike është perspektiva jonë dhe e gjithë qytetarëve", u shpreh Presidenti Rugova pas takimit me ministrin rus Sergej Lavrov.

Ndërkaq, ministri Lavrov paraqiti pikëpamjet e vendit të tij rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës.

"I përcolla Presidentit Rugova se qëndrimi i Rusisë është edhe ai i Grupit të Kontaktit. Ne jemi pajtuar me parimet udhëheqëse për procesin e statusit. Këto parime do të përdoren nga z. Ahtisari", tha Lavrov.

Ai theksoi se brenda Grupit të Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit ekziston një konsensus së procesi i statusit duhet të shkojë krah për krah me implementimin e mëtejmë të standardeve. "Ne do të dëshironim të shohim më shumë progres në çështjen e standardeve", tha ministri rus, duke shtuar se procesi i implementimit të standardeve do të luajë një rol të rëndësishëm.

Lavrov shtoi se Rusia përkrah dialogun e drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës, por ai vlerësoi se askush nuk mund të imponojë ndonjë zgjidhje. Askush nuk mund ta zgjidhë këtë situatë, përveç dy palëve, tha Lavrov pas takimit me Presidentin Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat