Takimi Thaçi- Medvedev, konsiderohet i rastësishëm dhe pa ndikim!

Aktuale

Takimi Thaçi- Medvedev, konsiderohet i rastësishëm dhe pa ndikim!

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 21:04
Thaçi- Medvedev

Përfaqësues të opozitës dhe njohës të shoqërisë civile nuk po e shohin si të veçantë dhe historik, takimin e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me Kryeministrin e Rusisë, Dmitry Medvedev i cili ndodhi një ditë më parë në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdo?an.

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj duke mos e cilësuar si historik këtë takim, ka deklaruar se vendi ynë tashmë ka komunikim fillestar me Rusinë.

“Besoj se ai ka qenë një takim rasti, pa ndonjë rëndësi të jashtëzakonshme. Është fakt i ditur se Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Po ashtu, veçse kemi kontakte apo komunikim fillestar, pasi që Rusia ka zyrë ndërlidhëse në Kosovë”, ka thënë Gecaj.

Opinon të përafërt me të ka edhe njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj, i cili potencon se ky takim ka ndodhur rastësisht, dhe se nuk ka ndonjë ndikim.

“Në këtë takim nuk ka asgjë historike, është thjesht një takim i rastësishëm që ka ndodhur në inaugurimin e Presidentit turk dhe nuk e kam parë ndonjë lëvizje ose aq më pak historike siç është komentuar prej disave”, është shprehur ai.

Sipas tij qëndrimi i Rusisë karshi Kosovës dhe statusit të saj është i ditur.

“Përkundrazi është një takim i rastësishëm dhe në raste të tilla është një takim normal dhe nuk kam parë ndonjë notë tjetër, për shkak se ne e dimë qëndrimin e Rusisë dhe një takim i tillë pavarësisht që mund të konsiderohet nga dikush shumë i rëndësishëm prape se prapë nuk e lëkund Rusinë nga qëndrimi i vet karshi statusit dhe të ardhmes së Kosovës”, ka deklaruar Mushkolaj.

Ndërsa, Analisti Nuhi Ismaili tha se takimi i Presidentit Thaçi me Kryeministrin e Rusisë nuk mund të quhet historik siç po thuhet, por nuk mund të quhet as takim rasti.

“Nuk mund të quhet historik sepse nga ky takim i tillë siç ishte nuk ka mundur të ndodhë kurrfarë ndryshimi sa i përket qëndrimit të Rusisë në raport me pavarësinë e Kosovës.Nuk është takim i rastësishëm, por i planifikuar të ndodhë në atë mënyrë”, ka thënë Ismaili.

Ismaili thotë se me përfshirjen e Rusisë e SHBA-së në bisedimet Kosovë- Serbi, mund të ketë lëvizje reja sa i përket përmirësimit të raportove mes Kosovës e Serbisë.

“Si do që të jetë duke pasur parasysh peshën dhe ndikimin e Rusisë në radhë të parë karrshi Serbisë por edhe në botë, ky takim edhe i tillë siç ishte duhet përshëndetur, me shpresë se Rusia të paktën nuk do të jetë penguese e rrugëtimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe mund të ndërtohen edhe linja komunikimi reciprok”, ka thënë ai.

Theksojmë se, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me Kryeministrin e Rusisë Dmitry Medvedev. Takimi është zhvilluar në Ankara, ku liderët po qëndronin në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdo?an.

Ka qenë Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku e cila është mahnitur nga takimi i Thaçit me Kryeministrin e Rusisë. Ajo përmes llogarisë së saj në rrjetin social ‘Twitter’, e ka cilësuar këtë takim si historik.

“Tani, ky po që është lajm. Për herë të parë Presidenti i Kosovës dhe Kryeministri i Rusisë nën të njëjtën çati duke biseduar sot në Ankara”, ka shkruar Çitaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat