Britania e sheh Kosovën si një partner serioz në fushën ekonomike

Aktuale

Britania e sheh Kosovën si një partner serioz në fushën ekonomike

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 18:00
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Londër është pritur në takim nga ministri i Shtetit për Tregti Ndërkombëtare, George Hollingbery.

Fillimisht kryeministri Haradinaj, falënderoi ministrin Hollingbery për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi, duke thënë se Kosova është e interesuar që raportet e mira politike me një partner shumë të rëndësishëm si Mbretëria e Bashkuar, t’i forcojë edhe në aspektin ekonomik dhe tregtar.

“Zhvillimi ekonomik është prioritet i Qeverisë së Kosovës, andaj praktikat e mira dhe ndihma nga qeveria britanike do të jetë e mirëseardhur për përmirësimin dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të vendit”, tha kryeministri Haradinaj. 

Po ashtu, Haradinaj, ka potencuar faktin se në Kosovë është krijuar klimë e mirë e të bërit biznes, janë ndërmarrë hapa  që prodhuesit në Kosovë të jenë të barabartë me prodhuesit rajonal dhe prodhuesit e shteteve të Bashkimit Evropian. 

Haradinaj, tha se diaspora kosovare në Londër ka treguar suksese në shumë fusha dhe bashkëpunimi në këtë drejtim do të sjellë frymë të re partneriteti ekonomik.  

Ministri i Shtetit për Tregti Ndërkombëtare, George Hollingbery, falënderoi kryeministrin Haradinaj për bashkëpunimin e deritanishëm, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar është e interesuar të thellojë bashkëpunimin, dhe Kosovën e sheh si një partnerë serioz në fushën  ekonomike, veçanërisht në atë të këmbimeve tregtare. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat