Lluka: Gjendja në Telekomin e Kosovës, e paqëndrueshme

Aktuale

Lluka: Gjendja në Telekomin e Kosovës, e paqëndrueshme

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 17:05
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha sot se gjendja në Telekomin e Kosovës është e paqëndrueshme

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha sot se gjendja në Telekomin e Kosovës është e paqëndrueshme, por MZHE dhe Qeveria e Kosovës janë në vazhdën e implementimit të zgjidhjeve për tejkalimin e kësaj situate.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Evropiane të të Punësuarve në Shërbimet Publike (Eurofedop), Bert Van Caelenberg, i cili shoqërohej edhe nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj. 

Me këtë rast ministri Lluka ka njoftuar sekretarin e Eurofedop me zhvillimet e përgjithshme në sektorin publik, me theks të veçantë në Telekomin e Kosovës dhe rëndësinë që ka dialogu social në trajtimin e të gjitha çështjeve, posaçërisht ato që janë me interes për punëtorët.

“Edhe me këtë rast është e nevojshme mbështetja e sindikatës dhe e tërë punëtorëve, meqenëse zgjidhjet e ofruara janë edhe me interes për punëtorët”, tha ministri Lluka.

Ministri potencoi që ka pasur takime të vazhdueshme me sindikatën dhe shprehu  gatishmërinë e plotë të MZHE-së dhe të Qeverisë për të bashkëpunuar dhe për të mbështetur dialogun social si e mekanizmin më efikas për tejkalimin e të gjitha çështjeve me interes të përgjithshëm. 

Ndërsa, Caelenberg potencoi se situata në Telekomin e Kosovës është mjaft e vështirë, duke kërkuar që institucionet të gjejnë një zgjidhje të favorshme për të gjithë dhe të gjitha këto çështje të orientohen përmes dialogut social.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat