Hapet konkursin për vitin akademik 2018/19, interesimi i madh i të rinjve

Aktuale

Hapet konkursin për vitin akademik 2018/19, interesimi i madh i të rinjve

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 16:34
Universiteti i Prishtinës ka hapur sot konkursin për studentë për vitin akademik 2018/19.

Universiteti i Prishtinës ka hapur sot konkursin për studentë për vitin akademik 2018/19. Interesimi i të rinjve për të qenë pjesë e këtij institucioni të lartë arsimor është i madh, ndonëse është vetëm dita e parë për pranimin e studentëve të rinj.

Nga Gjakova për të aplikuar në Fakultetin Juridik pranë UP-së, kishte ardhur  Elona Muhaxheri. 

Ajo u shpreh se arsyeja pse ka vendosur që rrugëtimin akademik ta vazhdojë në fushën juridike, është dëshira për të kontribuar në një shtet ku respektohet ligji.

Muhaxheri: Dua të kontribuoj në shtetin ku respektohen ligjet

“Kam ardhur të regjistroj Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, sepse gjithmonë kam pasur dëshirë, domethënë, të realizoj ëndrrën time për të kontribuar në shtetin tonë duke respektuar rregullat dhe ligjet, domethënë normat juridike, duke e parë në ditët e sotme si është krijuar ligji besoj që ka nevojë për një gjeneratë të re, e cila duhet të kontribuojë në bazë të normave”, tha ajo.

Lazime Rizahaj nga Prizreni thotë se ka zgjedhur të studiojë në fushën e ekonomisë me qëllim që të vazhdojë traditën familjare që kanë në këtë profesion.

Rizahaj: Ndihem më rehat në këtë drejtim

“Sot kam aplikuar për banka dhe financa dhe kontabilitet ...Se jam ndier më rehat dhe është drejtim që e kemi krejt familja”, ka bërë të ditur ajo për KosovaPress.

I riu Dardan Beqiri nga komuna e Kamenicës, u shpreh se ka zgjedhur të vazhdojë studimet në Fakultetin Ekonomik për shkak se Kosova ka nevojë për ekonomistë të mirë.

Beqiri: Kosova ka nevojë për ekonomistë të mirë

“Në drejtimin ekonomi, marketing ...më shtyri të aplikoj pasi që Kosova ka nevojë për ekonomistë më të mirë, për të menaxhuar një projekt, Kosova duhet të ketë diçka më të mirë“, u shpreh Beqiri.

Për dallim nga këta, Alisa Osmanaj nga Istogu thotë se ka vendosur që të studiojë fushën e edukimit, përkatësisht programit fillor pasi e gjen veten më mirë aty.

Osmanaj: E kam regjistruar programim fillor, sepse e gjej veten aty

“E kam regjistruar Fakultetin e Edukimit, degën programi fillor...Mendoj që e gjej veten mirë në këtë drejtim dhe për këtë arsye kam vendosur të vazhdojë të studioj”, ka thënë Osmanaj.

Krahas të rinjve që ishin përgatitur për të aplikuar, edhe në fakultetet pranë Universitetit të Prishtinës thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për pranimin e studentëve të rinj.

Dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi u shpreh se juridiku mbetet dega më me interes nga të rinjtë, andaj këtë vit gjithsej do të pranojnë 800 studentë.

Ai u shpreh se të gjitha përgatitjet janë bërë dhe për dallim nga fakultetet tjera në juridik provimi pranues do të mbahet më 19 korrik duke filluar nga ora 09:00.

Gashi: Po pranojmë nxënës në raport me kushtet që mund t’i ofrojmë

“Në këtë vit ne pranojmë 550 student të rregullt, ndërsa 250 me korrespodencë, është një numër që është i njëjtë me atë të vitit të kaluar në raport me vitet tjera paraprake ka një zbritje në numër kështu që kemi ardhur në një numër që është më real lidhur me atë se sa janë mundësitë e ofrimit të shërbimeve lidhur me cilësinë në fakultet”, u shpreh ai.    

Pavarësisht prej kushteve që zhvillohet mësimi në  objektin  e  Fakultetit Ekonomik dekani i këtij fakulteti, But Dedaj tha për KosovaPress se të gjitha përgatitjet për studentët e rinj janë bërë, dhe se askush nuk do të pranohet pa e kaluar 40 për qind të testit pranues.

Sipas tij në vitin akademik 2018/19 do të regjistrohen rreth 1960 studentë në gjashtë programe akademike.

Dedaj: Nuk do të plotësohet numri i studentëve nëse nuk e kalojnë pragun e testit

“1313 studentë të rregullt dhe 650 me korrespodencë, mirëpo ky numër vitin e kaluar për shembull nuk është plotësuar nga fakti se aplikantë ka pasur, por që e kemi pragun e kalueshmërisë, nëse në testin pranues studentët nuk e kalojnë pragun zgjedhor 40 për qind të testit që janë pyetjet, atëherë pavarësisht se ka vende të lira nuk plotësohen. Do të regjistrohen në gjashtë programe në nivelin bachelor. Programet standarde që i kemi pasur banka, financa dhe kontabilitet, marketing, menaxhment dhe informatikë, ekonomikë, kemi program të veçantë krejt në kontabilitet”, ka thënë Dedaj.

Ai po ashtu tha se për të katërtin vit me radhë Fakulteti ekonomik pranë Universitetit të Prishtinë për studentët ofron edhe studime bachelor në programin ekonomik në gjuhën angleze, pjesë e të cilit mund të bëhen rreth 50 të rinj. Ndryshe, për vitin akademik 2018/2019 Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të pranojë rreth 8 mijë e 500 studentë në nivelin bachelor, ndërsa konkursi do jetë i hapur nga sot deri më datën 19 korrik 2018, kurse testin pranues do të mbahet më 20 korrik duke filluar nga ora 09:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat