Pacolli në Samitin e Londrës, flet për rëndësinë e bashkëpunimit të rinisë

Aktuale

Pacolli në Samitin e Londrës, flet për rëndësinë e bashkëpunimit të rinisë

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 11:42
Pamje nga Samiti ne Londer

(E plotësuar) - Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, po merr pjesë në samitin e radhës të “Procesit të Berlinit”, i cili po mbahet në Londër.

Në pjesën fillestare të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Pacolli ka marrë pjesë në panelin diskutues me shoqërinë civile, ku është diskutuar lidhur me përmirësimin e perspektivës së rinisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas kumtesës për media dërguar nga ministria, në adresimin e tij ndaj pyetjeve të drejtuara nga përfaqësues të organizatave të ndryshme rinore nga Ballkani Perëndimor, Ministri Pacolli ka theksuar rëndësinë e forcimit të rinisë në vetvete dhe rëndësinë e bashkëpunimit të rinisë me institucionet qeveritare në adresimin e shqetësimeve të tyre drejt përmirësimit të perspektivës përmes krijimit të kushteve më të mira për edukim, punësim, etj.

Pacolli, gjithashtu ka shprehur kënaqësinë e tij për dinamikën pozitive të rinisë kosovare dhe kontributin e saj në ndërtimin e vendit dhe lidhjeve të mëtutjeshme me njerëzit e rajonit dhe më gjerë.

“Përmes kreativitetit të saj, rinia kosovare duhet të vazhdoj të ndjek rrugën e saj dinamike dhe të mbaj gjallë shpresën dhe guximin për ndryshime pozitive. Ardhmëria është e tyre”, ka thënë ai.

Ministrat e Punëve të Jashtme në sesionet e pasdites do të diskutojnë për bashkëpunimin e përgjithshëm rajonal dhe çështjet bilaterale.  

Pacolli thotë se s’ka asnjë notë për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli ka thënë se nuk ka tërheqje të njohjeve për Kosovën.

“Nuk kemi marre asnjë notë verbale për tërheqje njohjesh. Procesi për njohjet do të vazhdojë”, ka thënë Pacolli në nisjen e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër.

Kur Pacolli është pyetur se a po gënjen ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq, se ka tërheqje njohjesh për Kosovën, Pacolli duke qeshur ka thënë “Nuk e di”.

Së fundmi, Daçiqi tha se Papua Guiena e Re është vendi i gjashtë që e ka bërë tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, çka u demantua menjëherë edhe nga Pacolli, duke shtuar se janë ‘Letra të falsifikuara’. Sot, duke folur për rininë e Kosovës, Pacolli ka thënë se ajo është shumë dinamike dhe shumë e talentuar, duke përmendur këngëtaret Rita Ora dhe Dua Lipa dhe medaljet e fituara ne xhudo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat