Pas krijimit të Ushtrisë, duhet të ndërrohet edhe Rezoluta 1244

Aktuale

Pas krijimit të Ushtrisë, duhet të ndërrohet edhe Rezoluta 1244

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 9 korrik 2018 Në ora: 10:51
FSK-ja

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala pohon se, ushtria është pasaporta identifikuese e një shteti. Ai thotë se, koncepti dhe përgjegjësitë fushat e misionit dhe vet misioni konvencional i ushtrisë përkatësisht Forcave të armatosura të një shteti, e bëjnë ekzistimin e FAK një domosdoshmëri.

Shala pohon se, ka një mori faktorë tregues dhe arritje të brendshëm apo të jashtme që e përkrahin apo edhe që e pengojnë krijimi e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës përkatësisht FAK.

“Çështja e transformimit dhe krijimit të FAK është agjendë shtetërore e Kosovës dhe nuk mund të pengohet”, thotë Shala për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, arsyeja e parë pse Kosova duhet me pas ushtri është shembulli i Zvicrës.

“Zvicra ishte vendi me garancitë ndërkombëtare me të larta se kurrë nuk ka me qenë vendi që do të pushtohej, mirëpo nevojat e sigurisë e të stabilitetit shtetërore krijuan ushtrinë e tyre”, shton ai.

Image
Drizan Shala

Sipas tij, nëse ndryshimet kushtetuese përbejnë pengesës meqë nuk mund të bëhen pa votën e komunitetit serb të përfaqësuar në institucionet e Kosovës përkatësisht në Parlament, duhet të ndërtohet politika doktrinarë me të cilën do ti qasemi këtij problemi të brendshëm politik; “arsyeshmëria e këtij akti duhet ti tejkaloj paragjykimet e motivuara politikisht nga komuniteti serb por jo vetëm, por edhe shteti serb”.

Shala thekson se, FAK si program i ndërtimit përmes transformimit kushtetues, do të jetë një faktor i kontrolluar qe ofron e garanton paqen.

“Nuk kemi ambicie të bëjmë gabime të të fortëve të historisë; prandaj shndërrimi ynë në FA, nënkupton ngritjen e kontrollit civil demokratik mbi këto forca. Kjo forcë nuk paraqet kërcenim për rajonin përkundrazi paraqet stabilitet për arsye se historiku i FA të Kosovës flet për pothuaj 20 vite bashkëpunim intensiv në NATO”, shton ai.

Ai përmend edhe demobilizimin dhe përfundimin e misionit të UÇK-së. Sipas tij, nga aty pati një prerje dhe transformim në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, kapacitete këto me mision të mbështetjes së Kosovës në fazën e rindërtimit dhe zhvillimit. “Ky bashkëpunim dhe bashkëveprim tekniko profesional dhe operacional me PUN, bëri që shumë shpejtë TMK të bëj ngritjen e sajë në nivel profesional të sigurisë që na e sollën FSK”.

“Edhe avancimi profesional i FSK, ishte rezultat i një bashkëpunimi dhe asistence teknike profesionale të PUN dhe interoperabiliteti mbi marrëveshje e memorandume bashkëpunimi bilateral me vende mike dhe ushtri partnere në botë. Avancimi profesional i FSK dhe përmbushja e KPO për ofrimin e MUAC (mbështetjes Ushtarake Autoriteteve Civile” na shtynë drejtë FAK. Pra, kjo forcë aktualisht e ka tejkaluar misionin aktual kushtetues dhe duhet të marrë përgjegjësi shtesë në fushën e mbrojtjes”, thotë ai.

Pas këtij konkludimi, sipas Shalës. duhet të vihet në veprim mekanizmi i politikës dhe pritet veprimi kushtetues i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Me tu votuar në Parlamentin e Kosovës, ndryshimet kushtetuese dhe formimit të FAK, me automatizëm Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duhet ta ndryshoj Rezolutën 1244. Ky ndryshim do të konsistojë në delegimin e kompetencave të KFOR në FAK dhe NATO. Nga këtu pushon veprimtaria e KFOR dhe EULEX”, pohon ai.

Sipas tij, ajo që duhet bërë në aspektin politik-ushtarak është krijimi i kredencialeve që sa më shpejtë të pushojnë së ekzistuari Rezoluta 1244. “Duhet zëvendësuar me një rezolutë që do ta njeh Kosovën si shtet me ingirenca të plota mbi territorin e sajë kushtetues përmes kapaciteteve të saja ushtarake. Fokusi i Kosovës në krijimin e kapaciteteve ushtarake janë dy komponentë taksore dhe ato ajrore”, përfundon Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat