Veliu: Thaçi nuk ka autorizim për negociatat me Serbinë

Aktuale

Veliu: Thaçi nuk ka autorizim për negociatat me Serbinë

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 22:57
Agim Veliu

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike te Kosovës, Agim Veliu thotë se presidenti Hashim Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës dhe se çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel me palën serbe mund të jetë vetëm marrëveshje e tij private, por jo në emër të Kosovës.

“Çështja e dialogut është një prej problemeve kryesore të Kosovës rreth të cilit duhet me pas pajtueshmëri dhe konsensus të të gjitha subjekteve politike por edhe institucionet e shtetit. Po më duket edhe kësaj radhe është njëfarë ngutie me hy në dialog pa pasur një pajtueshmëri, një pëlqim edhe të subjekteve por edhe të vetë koalicionit qeverisës. LDK ka bërë përpjekjet e saja që vendin ta nxjerr nga kriza e thellë edhe institucionale e edhe politike me tryezat e saja mirëpo si duket nuk ka gatishmëri, nuk ka vullnet as nga disa subjekte politike por as nga koalicioni qeverisës kështu që po me dukët po hyjmë në njëfarë faze të rrezikshme për Kosovën me një dialog i cili po bëhet me njëfarë ngutie pa pëlqimin e Kuvendit sepse ju e dini që as ajo rezoluta nuk ka dalë në Kuvend për ta marrë bekimin e institucionit përfaqësues të shtetit. Për LDK’në kjo nuk është në rregull”, tha Veliu për televizionin 21.

Thotë se LDK është për shtyrje të dialogut, dhe që një gjë e tillë do të duhej të vazhdonte pas krijimit të institucioneve të reja të vendit, të cilat sipas tij janë te vetmet që do të kishin legjitimitet për biseda me Serbinë.

“LDK e ka cilësuar këtë situatë si krizë edhe politike e edhe institucionale, nga kriza mund të dilet vetëm me zgjedhje të lira. Ne e kemi ofru Lidhjen Demokratike në funksion të këtij qëllimi, të daljes nga kriza politike e vendit me propozimin tonë që ne ta mbështesim qeverinë në disa vendime të mëdha që janë me interes për Kosovën por paraprakisht kemi kërkuar që të dihet edhe data e zgjedhjeve në mënyrë që institucionet e dala nga një proces i lirë zgjedhor ta kenë legjitimitetin e popullit të Kosovës”, tha ai.

Veliu thotë se në dialog duhet shkuar të përgatitur për të shmangur gabimet e mundshme.

“Meqë është finalja (e dialogut)  dhe ai (Thaçi) po shërbehet me terma të tillë finalja është një dhe e papërsëritshme dhe aty nuk ka mundësi të korrigjohet asgjë nëse bëhet diçka gabim në finale atëherë mund të humbë Kosova. Ne duhet të jemi shumë të vendosur, duhet të jemi unik”, tha Veliu.

“Ne jemi të gatshëm që të ofrohemi mirëpo paraprakisht mendoj që për një periudhë kohore çështja e dialogut duhet të shtyhet dhe të rikonfirmohet edhe një herë skena politike e Kosovës sepse këto institucione kanë mbet pa legjitimitet, pastaj pas këtij procesi do të duhej me u ndërtu një ekip i institucioneve dhe subjekteve politike pa e mohu askënd në mënyrë që ta përmbyllim këtë çështje që është jashtëzakonisht me rëndësi për të ardhmen e vendit”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat