Ligji serb për memorialet, rrënon Aqif Efendinë dhe “terroristët” e UÇPMB-së!

Aktuale

Ligji serb për memorialet, rrënon Aqif Efendinë dhe “terroristët” e UÇPMB-së!

Nga: Sevdail Hyseni Më: 6 korrik 2018 Në ora: 12:08
Memorialet e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës

Mediumet serbe të ditës së sotme, bëjnë të ditur se me Ligjin e ri mbi përmendoret e luftës, shumica e tyre , do të hiqen kësaj vjeshte,  duke llogaritur ato që janë ngritur në Sanxhak dhe Luginë të Preshevës.

Nga të njëjtat burime serbe, mësohet se pllaka përkujtimore e Aqif  Efendisë, në  Novi Pazar dhe memorialet e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, do të largohen dhe “asnjë iniciativë tjetër për ngritjen e ndonjë memoriali, nuk do të pranohet nëse fyen ndjenjat fetare dhe kombëtare, si dhe glorifikon idetë fashiste dhe separatiste”, shkruajnë mediat serbe.

Pllaka përkujtimore e Aqif  Efendisë,  në qendër të Novi Pazarit, u zbulua në gusht të vitit 2012, përkundër përpjekjeve të Qeverisë së Serbisë, për ta ndaluar, ngase  “Ky "hero" historik, është një shqiptar etnik , i cili sipas mediave serbe, që nga viti 1945, ka statusin e një krimineli lufte i përfshirë në krijimin e  "Shqipërisë së Madhe", shkruan “Veçernje novosti”.

Më 20 janar 2013, forca të mëdha speciale të xhandarmerisë serbe larguan me dhunë lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së, të vendosur në qendër të Preshevës, veprim ky, i cili, zgjoi reagimin e  përfaqësuesve politikë e institucionalë në Luginë të Preshevës, por edhe të Qeverisë së Kosovës.

“Ky veprim jocivilizues i Qeverisë së Serbisë i heqjes së Memorialit, nuk e ndryshon dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë. Përkundrazi, vetëm sa e forcon atë dhe na rikujton se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar. Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë. Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike. Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë", thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Për mirëmbajtjen e rregullt të rreth 6,000 pllakave përkujtimore të luftës, në vit, nga buxheti i shtetit serb ndahen 50 milionë dinarë rreth 500 mijë euro, duke llogaritur edhe renovimin e varrezave ushtarake serbe në Selanik dhe në Sofje, por jo edhe për shkak gjendjes së keqe politike,të kujdesen për varrezat e Luftës së Parë Botërore në territorin e Shqipërisë, shkruajnë gazetat serbe të Beogradit.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat