Haradinaj paralajmëron Thaçin për shkarkim nëse shkel Kushtetutën në raport me Serbinë

Aktuale

Haradinaj paralajmëron Thaçin për shkarkim nëse shkel Kushtetutën në raport me Serbinë

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 09:59
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova ka vija të kuqe në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe ato sipas tij, janë në Kushtetutën e vendit.

Duke folur në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Haradinaj tha se kushdo që shkelë parimet e vendosura në Kushtetutë, do të shkarkohet, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, me dy presidentët e mëparshëm të Kosovës.

“Ju e dini se janë shkarkuar presidentë sepse kanë shkelur Kushtetutën. Ne kemi vija të kuqe, ne i kemi në Kushtetutën e vendit. Jemi të shpallur shtet, kemi territor. Nëse dikush del jashtë këtyre, ju e dini, është shkarkuar presidenti dy herë. Unë e kuptoj idenë që të nxjerrim vija të kuqe, që janë parimore, por ne e kemi kontratën nga e cila askush nga ne në Kosovë nuk guxojmë të dalim. Ajo është Kushtetuta e vendit. Konsensusi politik i brendshëm nuk është vetëm t’i mbrojmë vijat, por është që të afirmojmë të drejtën tonë”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj po ashtu tha se ka parë sinjale të mira nga dy partitë në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, rreth dialogut në Bruksel.

Ai tha se në këtë fazë të dialogut duhet të përfshihen partitë e përfaqësuara në Kuvend, veçanërisht ato në opozitë.

“Dialogu nuk ka alternativë, duhet të ecim drejt dialogut. Po ashtu, dialogu nuk mund të ikë nga rregulli institucional, pra është e pamundur që të iket nga institucionet e vendit. Mirëpo, në dialog është mirë që të përfshihen institucionet, nënkuptohet këtu Parlamenti dhe partitë politike në Kuvend dhe ato opozitare, por edhe shoqëria civile”, u shpreh ai.

Qeveria, njoftoi Haradinaj, ka përgatitur një raport rreth arritjeve dhe sfidave të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, që do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës.

“Ajo që kemi dhënë në këtë raport është gjendja reale e të arriturave, e shkallës së zbatimit (të marrëveshjeve), por edhe sfidave. Mendoj se ai (raporti) është një pasqyrë e mirë se çfarë ka ndodhur”, tha Haradinaj.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Sipas Bashkimit Evropian, ky dialog duhet të përfundojë me arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshmepër të dyja palët, që pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane..

Qeveria do iu dërgojë deputetëve raportin për bisedimet me Serbinë

Kabineti qeveritar miratoi sot Raportin mbi Arritjet dhe Sfidat në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se ky raport paraqet të arriturat për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj shtoi se kjo është hera e parë që përgatitet një raport i tillë.

Ai bëri të ditur se raporti do t’u dërgohet deputetëve të Kuvendit ku do të kenë mundësi të shohin të arriturat dhe sfidat e këtij procesi.

 “Është praktikë e re, është hera e parë që është përgatitur, do t’i paraqitet edhe Kuvendit, deputetët do të kenë mundësi të dinë në detaje, rrjedhën sfidat. Është një e arritur e mirë, vjen edhe pas raportimit të presidentit për dialogun politik, Qeveria e respekton transparencën dhe parlamentin e vendit”, tha Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat