Për keqardhje vonesa e themelimit të Komisionit hetimor për rastin e turqve

Aktuale

Për keqardhje vonesa e themelimit të Komisionit hetimor për rastin e turqve

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 08:47
Institucionet e Kosovës kanë deportuar në mënyrë pothuajse të fshehtë gjashtë shtetas turq për në vendlindjen e tyre.

Janë bërë më shumë se tre muaj kur institucionet e Kosovës kanë deportuar në mënyrë pothuajse të fshehtë gjashtë shtetas turq për në vendlindjen e tyre.

Tek tash Kuvendi ka formuar një komision hetimor i cili pritet të zbardh të gjitha detajet e këtij deportimi.

Mënyra e deportimit bëri bujë të madhe, duke qenë se u bë pa dijeninë e krerëve shtetëror, çka çoj edhe në  shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi.

Për vonesën e themelimit të këtij komisioni parlamentar flasin vet anëtarët e Komisionit e që thonë se është për keqardhje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, që do ta kryesojë këtë komision, Xhelal Sveçla, edhe pse e quan të vonuar, shpreson se do të zbardhet i gjithë procesi që ka ndodhur me rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Sveçla: Është për të ardhur keq vonesa e themelimit të këtij komisioni

“Është me të vërtetë për të ardhur keq për këtë vonesë. Megjithatë, mendoj që është e vlefshme që është themeluar ky Komision. Ne presim që ky komision të hetojë gjithë procesin që nga marrja e vendimit deri në deportimin ilegal të gjashtë shtetasve turq”, theksoi Sveçla.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, i cili është edhe anëtar i këtij komisioni hetimor, Hajdar Beqa, nuk e di pse u vonua me themelimin e  Komisionit.

Ai nuk dëshiron të flas për pritjet e hetimit , duke thënë se ende nuk e kanë mbajtur as mbledhjen konstituive.

Beqa: Komisioni do t’i shikoj dokumentet dhe do të dalim me konkluzione në fund

“Realisht nuk mund të flasim në këtë fazë, ne ende nuk kemi mbajtur as mbledhje konstituive. Komisioni do ta mbajë mbledhjen dhe do të punoj  sipas procedurave dhe do ta informoj publikun sipas agjendës që bënë Komisioni dhe planit të veprimit. Në këtë fazë nuk kemi ide konkrete çka të flasim derisa nuk kemi pasur asnjë mbledhje...Realisht këtu ka pasur në Kosovë edhe veprime, ka pasur shkarkim të shefit të AKI-së, ka pasur veprime tjera. Mendoj që duhet t’i shikojmë të gjitha ato dokumente dhe në fund të dalim me konkluzione a ka pasur shkelje ligjore apo është vepruar çdo gjë në harmoni me ligjet që janë të aplikueshme në Kosovë. Prapë, po them është e pakuptimtë të flasim pa pasur asnjë material, ne edhe në seanca plenare me shumë kemi bërë politikë se sa kemi folur diçka konkrete. Tash komisioni pasi është formuar duhet ta kryej punën e vet dhe në fund të dal me një raport për  Kuvendin dhe publik un”, tha Beqa.

Mirëpo, në anën tjetër shoqëria civile mendon se vonesat në funksionalizimin e kësaj iniciative, janë si pasojë e tentimit që të konsumohet afati që ka Komisioni Hetimor.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se rasti i deportimit të shtetasve turq ka qenë në mungesë të plotë të informacioneve dhe koordinimit të plotë të institucioneve, çfarë ka çuar në nevojë të domosdoshme prej Kuvendit të Kosovës që ta hetojë këtë rast.

Sipas tij, vonesat për ta hetuar këtë rast, janë si pasojë e refuzimit të disa partive për t’i dërguar emrat për këtë komision.

Krasniqi: Po tentohet që të konsumohet i gjithë afati që të defunksionalizohet ky mekanizëm

“Mirëpo qysh në fillim ka pasur disa barriera të cilat janë tentuar të vendosen nga partitë në pushtet qoftë duke kontestuar mënyrën e krijimit apo edhe vet nevojën për një hetim të tillë parlamentar me hezitimin për t’i emëruar anëtarët në këtë komision duke kontestuar se kush duhet ta kryesoj ose jo. Dhe kaluan tashmë gati dy muaj ku nuk ka asnjë lëvizje konkrete në drejtim të konkretizimit të kësaj iniciative, kur dihet se gjithë komisioni dhe mandati i tij është vetëm gjashtë muaj dhe nuk mund të ketë një tejkalim të këtyre afateve të cilat do duhej të merreshin me këtë çështje. Po duket që po tentohet drejt asaj që të konsumohet i gjithë afati në mënyrë që të defunksionalizohet ky mekanizëm i hetimit parlamentar të Kuvendit”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, është e domosdoshme që të sqarohen për opinionin publik dhe të dihen se cilat kanë qenë veprimet që janë marrë dhe nëse ka pasur neglizhencë apo tejkalim të kompetencave në mënyrë që të mos përsëritet në të ardhmen dhe të dihet ai përgjegjësi kryesor, jo vetëm me shkarkimet e njerëzve nga pozitat.

Gjashtë shtetasit turq u deportuan brenda ditës me 29 mars të këtij viti. Deportimi i tyre është bërë me kërkesë të shtetit turk të cilët të njëjtit i akuzojnë se kanë lidhje me organizatën FETO e udhëhequr nga kleriku fetar Fetullah Gulen.

Gulen që gjendet në SHBA akuzohet nga Ankaraja zyrtare se qëndron prapa tentim grusht shtetit në Turqi në korrik të vitit 2016. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat