53 milionët përplasin ashpër LDK-në dhe Haradinajn, ja të gjitha akuzat sot në Kuvend

Aktuale

53 milionët përplasin ashpër LDK-në dhe Haradinajn, ja të gjitha akuzat sot në Kuvend

Më: 5 korrik 2018 Në ora: 11:14

(E plotësuar) - Deputetët e Kuvendit të Kosovës për 7 orë kanë diskutuar për 53 milionë eurot të cilat Qeveria e Kosovës do t’ia paguajë kompanisë Bechtel Enka.

Pas këtij debati nuk pat ndonjë rezultat edhe pse deputetët kanë krijuar një grup për harmonizimin e pikave për një Rezolutë për ta dërguar pastaj të njëjtë në votim.

Deputetët u pajtuan që seanca për të enjten të ndërpritet, por nuk janë marr vesh se kur do të vazhdojë.

Edhe pse u  hodh në votim se kur do të vazhdojë, seanca nuk u caktua pasi që  nuk kishte kuorum. 

Kujtim Shala që kryesonte seancën se kjo mbetet në dorë të kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli të vendosë për vazhdimin e saj.

Interpelanca e sotme është thirrur nga LDK-ja në të cilën është diskutuar për 53-milionëshin e kompanisë "Bechtel-Enka".

Deputetët e pozitës dhe të opozitës kanë akuzuar njëri-tjetrin për mungesë të përgjegjësisë. Përderisa, opozita ka kërkuar publikimin e nënshkrimit të kontratës me "Bechtel-Enka"-n.

Është vërejtur përplasje ndërmjet deputetëve dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Ky i fundit disa herë u është drejtuar deputetëve me fjalët: "A po kuptoni, a po merrni vesh?”.

NISMA kërkon auditor për hetimin e 53 milionëve

Shefi i Grupit Parlamentar te NISMA-s, Bilall Sherifi ka propozuar që të angazhohet një auditor i jashtëm në mënyrë që të saktësohet e vërteta për 53 milionë eurot që ju dhanë kompanisë Bechtel Enka.

Në emër të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate ka propozuar që të angazhohet një auditor i jashtëm në mënyre që të dal në pah e vërteta.

Sherifi: Propozoj një auditor të jashtëm

“Propozojë një auditor të jashtëm, që na tregon si u shkakktu ajo dhe kush e shkaktoi........le ta bëjmë një letër të përbashkët të Auditorit. ...Kur auditimi vjen me një raport se kjo është e vërteta, atëherë ne votojmë në Kuvend dhe shohim kush janë përgjegjësit. Le të përfundon kjo plojë  si maca e miu”, tha ai.

Ai shpjegon se kjo shumë është 10% e shumës së kontratës totale.

Dardan Sejdiu, kryetar i PSD-së ka thënë se Qeveria duhet ta publikojë marrëveshjen me Bechtel Enkan dhe tek atëherë të debatohet rreth kësaj teme.

Sipas tij, duhet të publikohet raporti në mënyrë që të kuptohet se ku ka qenë problemi.

Sejdiu: Publikojeni kontratën

“Publikoje kontratën ministër, sepse ajo kontratë shpenzon para të qytetarëve të Kosovës. Publikoje atë.... Nuk ka kuptim ti edhe zoti Lutfi Zharku me debatu kush ka faj. Te shohim Hill International, punët që janë bëm dëbnimet për mospagesa, e të kuptojmë qysh. Qysh mundemi me diskutu pa e pa nenin për Bechtel Enkan. 2 milionë euro për një autoban, tash thoni kontrata nuk bën me u pa. ...Kemi nevojë me e pa kontratën, atëherë duhet me e pa raportin e Hill International, atëherë me pa pse Qeveria Mustafa nuk e ka nënshkru zarfin për 43 milionë euro, e si kemi mrri ne tek 53 milionë euro”, ka thënë ai.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se  deputetët nëse duan mund të votojnë Rezolutë për të dërguar çështjen në Arbitrazh.

Haradinaj: Bëjeni Rezolutën, dërgojeni në Arbitrazh

“Bëjeni një rezolutë, tash, merreni përgjegjësinë dhe po shkojmë në Arbitrazh, më shpëtoni edhe mua, por fitojeni”, i tha Haradinaj Dardan Sejdiut, i cili i kërkoi që të publikohet kontrata.

Që nga mëngjesi që po vazhdon seanca ë Kuvendit, Haradinaj thotë se po e habit bashkëpunimi Lutfi Zharku - Liburn Aliu.

Milaim Zeka për 53 milionshin: Nuk kanë qare pa shku në burg Lutfi Zharku ose Pal Lekaj

Milaim Zeka, në interpelancën për dhënien e 53 milionshit Bechtelit, ka thënë se sot është bindur se ose Lutfi Zharku, ish ministri i transportit ose Pal Lekaj ministri aktual i infrastrukturës, do të shkojnë në burg.

Zeka doli në foltoren e Kuvendit me siç tha, “kontratat sekrete që nuk janë publiku nga Qeveria”.

“Sot jam bind 100% atë që e kam thënë. Nuk ka qare pa shku në burg Lutfi Zharku ose Pal Lekaj, sepse me akuzu Haradinajn për këtë punë, është si m’i thanë Papës pse s’po bëhet mysliman”, tha Zeka.

Ai tha se gjatë tërë interpelancës së sotme, Lutfi Zharku me fjalën e tij ka tentuar me e dërgu në burg Pal Lekajn, dhe me fjalën e Kryeministrit, ai tenton ta dërgojë në burg Lutfi Zharkun.

“Kjo punë është për prokurorin e shtetit, që s’po merret tash me këto tema...”, tha Zeka.

Haradinaj nervozohet me LDK-në: Ne dallojmë, se unë kryej punë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është nervozuar me LDK-në.

Ai ka thënë se duhet kuptuar që 53 milionët kanë mundur të rriten shumë nëse Qeveria aktuale nuk do të vepronte.

Haradinaj: Deri në shtator vetëm gjyqësori mbetet në tavolinën time si temë e vjetër

“Deri në shtator të këtij vitit e vetmja temë e vjetër ka qemë gjyqësori. Në qeverisje s’kanë me mbet më tema të vjetra. ...Çështja e arbitrazhit, qytetarit po doni me i thanë që kryeministri po e shkel ligjin....mirë që po ju dëgjon qytetari.....dallojmë shumë, disa i përfundojmë punët shpejt”, ka thënë ai.

Ishte Kujtim Shala i LDK-së ai që i tha të qëndronte në sallë, teksa Haradinaj po dilte.

E kryetari i kuvendit, Kadri Veseli ka deklaruar se Haradinaj dëgjon edhe kur del nga salla.

Haradinaj: Kam humbur vota por shpëtova Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar që nuk e ka ndërmend të merret me të kaluarën e askujt.

Ai thotë se qëllim ka që Kosovës mos të humb asnjë cent, por as që t’i dëmtohet imazhi.

Tha se ministrat e PDK-së nuk ka mundësi të ruajnë paranë publike më shumë se ai.

Iu drejtua ish ministrit Lutfi Zhakrut.

Haradinaj: Krejt garojmë me njëri-tjetrin

“Krejt garojmë kundër njëri-tjetrit, në zgjedhje, u përmendën disa ministra. Mire bre Lutfi a po mendon se ministrat e PDK-së po e rujkan paren e Kosovës më shumë se unë a? Prej kur u bane kaq besimtarë? Nuk po e kuptoj foren”, ka thënë ai.

Haradinaj tha se po i hjek këto tema të kontaminuara të vendit.

Ai ka siguruar se askush nuk fituar asgjë, madje sipas tij, kanë humbur vota.

Abdixhiku i revoltuar me deklaratën e deputetit të AAK’së për shëndetin e Mustafës

Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku, është shfaqur i revoltuar me deklaratën e Shkumbin Demalijat, i cili tha se Isa Mustafa është sëmurë për shkak të skandalit të Bechtel-Enkas. “I bëj thirrje AAK’së që të distancohen nga kjo deklaratë skandaloze”, tha Abdixhiku.

Deputeti i AAK’së, Shkumbin Demalija, në interpelancën e Kryeministrit për 53 milionët e Bechtel-Enka, e ka lidhur sëmundjen e Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës, pikërisht me këtë skandal. Ai, duke dashur ta bartë tërë përgjegjësinë për këtë humbje tek Qeveria paraprake, tha se “Isa Mustafa ka qenë në depresion pikërisht për këtë çështje...”. 

“Isa Mustafa ka qenë në depresion pikërisht për këtë çështje...”, tha ai. 

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Lumir Abdixhiku, deputet i LDK’së.

“Në këtë debat po mundohet të jepet njëfarë figure e frikshme dhe pa shpjegua mirë se si u bonë 53 milion. I bëj thirrje AAK’së që të distancohet nga kjo deklaratë skandaloze dhe jonjerëzore për shëndetin e z. Mustafa”, tha ai.

Deputeti i AAK-së thotë se Mustafa nuk është i sëmurë, tregon pse ka ikë nga Kosova

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit ku po mbahet interpelanca për 53 milionët  që i janë dhënë Bechtel Ekas, ka thënë se kjo kompani nuk është humanitare dhe se ish-kryeministri Isa Mustafa nuk është sëmurë, por që ka shkuar në Gjermani për shkak të kontratave të këqija që ka bërë në Kosovë.

Demaliaj është shprehur se Mustafa ka shkuar me aeroplan privat atje bashkë me familje për shkak të presion e stresit nga kontratat e këqija që sipas tij i ka nënshkruar gjatë kohës sa ishte kryeministër.

Ai po ashtu, është kundërpërgjigjur deputetëve që  deklaruan se kanë respekt ndaj të kaluarës së Kryeministrit Haradinaj.

“Nuk ka nevojë për respektin për të kaluarën, se e ka bë për vendin e vet”, ka theksuar ai.

Kujtim Shala i ngërmohet Kryeministrit: Fol si duhet ne Parlament, ose e ndërpres seancën

Derisa kryeministri Ramush Haradinaj u përgjigjej ashpër deputetëve për çështjen e publikimit të kontratës me Bechtelin, Kujtim Shala në ulësen e kryetarit të Kuvendit, i tha Haradinajt “fol si duhet në Parlament, ose e ndërprej seancën”.

Kryeministri Ramush Haradinaj iu drejtua thirrësve të interpelancës me fjalët “ S’po ju vjen marre, çka po doni bre, keni thirrë interpelancë kundër meje, kur vet e keni pru punën këtu”.

Kështu tha kryeministri derisa iu përgjigj Dardan Sejdiut i cili kërkoi që kryeministri ta publikojë kontratën e Bechtel Enkas.

E pas kësaj, reagoi Kujtim Shala i LDK’së, si nënkryetar i Kuvendit, ku i tha kryeministrit të flasë si duhet në Parlament ose do ta ndërprejë seancën.

Haradinaj deputetëve: Bëjeni një rezolutë, 53 milionëshin e çojmë në arbitrazh

Kryeministri Ramush Haradinaj ka replikuar ndaj të gjithë shefave të grupeve parlamentare në Kuvend ku iu tha se askush nuk mundet ta mbrojë Kosovën më shumë se vetë qeveria e tanishme, kur u pyet nga Dardan Sejdiu që ta publikojë kontratën për dhënien e 53 milionshit Bechtelit.

Haradinaj iu tha deputetëve se si mund t’i besoni më shumë Hill International për mbrojtjen e Kosovës më shumë se Qeverisë.

“Hilli që po e përmendni shpesh, që po e mbrojka Kosovën ma shumë se na... çka jeni t’u folë?. A po besoni që qashtu është a, që dikush tjetër ka me na mbrojtë neve ma shumë se na veten a?”, pyeti Haradinaj.

Ai tha se Hill International ka lënë mundësinë e kostove të tjera, dhe nuk e ka mbyllë kontratën. Sipas Haradinajt, mbyllja e kontratës nuk ka ndodhur nga ata që është dashur të ndodhë, nga Qeverisja e kaluar.

“Bëjeni një rezolutë, tash, merreni përgjegjësinë dhe po shkojmë në Arbitrazh”, i tha Haradinaj Dardan Sejdiut, i cili i kërkoi që të publikohet kontrata.

Kryeministri tha Kosova nuk ka pasur mundësi që t’i shpëtojë këtij borxhi, “s’kemi pas kah me ia majtë, vet e kemi kriju, i kemi çu paret në Komuna të caktume, dhe i kemi lënë parët pa pagu”, tha kryeministri.

PSD-Haradinajt: Publikoje kontratën me Bechtel Enkan, e shohim a ka faj Isa Mustafa

Dardan Sejdiu, kryetar i PSD-së ka thënë se Qeveria duhet ta publikojë marrëveshjen me Bechtel Enkan dhe tek atëherë të debatohet rreth kësaj teme.

Sipas tij, duhet të publikohet raporti në mënyrë që të kuptohet nëse problemi ka qenë tek Qeveria e Isa Mustafës.

“Publikojë kontratën ministër sepse ajo kontratë shpenzon para të qytetarëve të Kosovës. Nuk ka kuptim ti edhe zoti Lutfi Zharku me debatu kush ka faj. Po e shohim Hill International, punët që janë bë … qysh mundemi me diskutu pa e pa nenin për Bechtel Enkan. 2 milionë euro për një autoban, tash thoni kontrata nuk bën me u pa. Kemi nevojë me e pa kontratën, atëherë duhet me e pa raportin e Hill International, atëherë me pa pse Qeveria Mustafa nuk e ka nënshkru zarfin për 43 milionë euro, e me e pa si kemi ardhë ne tek 53 milionë euro”, ka thënë ai.

Sipas Sejdiut, diskutimi i sotshëm është vetëm elektoral.

“Ky diskutim ka kuptim vetëm popullist dhe elektoral, asgjë ma shumë. Ju lutem … kontratat dhe e shohim raportin cka ka bë Lutfi Zharku, po këto janë llafe. Në bazë të një qasjeje normale në shpenzimin e parasë publike, na i publikoni kontratën, marrëveshjen, raportin e Hill International dhe atëherë askush nuk ka hapësirë të thotë `ky tha, ai tha`”, është shprehur ai.

Aliu: 53 milionë euro shkuan për shkak të vonesës së pagesave

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu thotë se duhet kërkuar llogari për 53 milionë eurot shtesë që ju dhanë kompanisë Bechtel & Enka në Kontratën për ndërtimin e Autostradës R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit.

Ai thotë se ky 53 milionësh duhet të sqarohet në tërësi.

Aliu tha se është bërë e qartë gjithçka në raportin e ministrit Pal Lekaj në Komisionin për Zhvillim Ekonomik.

Aliu: Faji është te vonesa e pagesave

“I bie që komplet përgjegjësia për kërkesën për zgjatjen e kontratës i bie te vonesa e pagesave. Kjo qartësohet me kontratë”, ka thënë ai.

Image
Kujtim Shala

Shala - Kryeministrit: Nuk treguat asnjë dokument pse ia dhatë Bechtelit 53 milionë euro

Kujtim Shala i LDK’së ka vazhduar replikat me kryeministrin Haradinaj për pagesën prej 53 milionëve dhënë Bechtel-Enkas për zgjatjen e punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit. Shala ka thënë se kryeministri po e bën edhe më të paqartë dhënien e 53 milionë eurove. Ka arsyetuar se qeveria Mustafa nuk i ka paguar 14.7 milionë euro pasi që do të ishte vendim i paragjykuar, ndërsa vendimin e qeverisë Haradinaj e ka quajtur arbitrar dhe të pabazuar ligjërisht.

“Përfaqesuesit e Qeverisë kanë qenë të paqartë, Kryeministri me fjalën e sotme e ka bërë edhe më të paqartë”, ka thënë Shala.

Shala ka thënë se nuk është marrë vendimi për ta paguar 14.7 milionë euro në Qeverinë Mustafa sepse do të ishte vendim i marrë me paragjykim.

Ai i është kundërpërgjigjur Haradinajt, i cili tha se mjetet që duhej t’i paguheshin Bechtel-Enkas janë dërguar në komunat ku ka qeverisur LDK.

“Gjatë kohës kur kam qenë ministër, projektet më të shumta i kam pasur në komunat ku ka qeverisur AAK, në Decan, në Obiliq, prandaj shikoni me kujdes”, ka thënë Shala.

Ndërsa, ai ka thënë se deri më tani Qeveria nuk ka publikuar asnjë lloj dokumenti relevant në lidhje me koston e paguar ndaj Bechtelit, dhe vendimin e qeverisë Haradinajt për ta paguar 53 milionëshin si vendim arbitrar.

Haradinaj e bën Zharkun fajtor për borxhin 53 milionësh ndaj Bechtelit

Në interpelancën e Ramush Haradinajt për dhënien e 53 milionshit të Bechtel Enkas, kryeministri ka akuzuar Vetëvendosjen, posaçërisht Albin Kurtin dhe Liburn Aliun që po qëndrojnë në krah të ish-ministrit Lutfi Zharku, për të cilin Haradinaj thotë se i ka fajet për krijimin e këtij borxhi.

Ramush Haradinaj tha se Bechtel Enka janë partner serioz dhe me ta Kosova ka marrëdhënie kontraktuale.

Por, Haradinaj ka akuzuar Vetëvendosjen, posaçërisht Albin Kurtin dhe Liburn Aliun që po qëndrojnë në krah të ish-ministrit Lutfi Zharku, për të cilin thotë se i ka fajet për borxhin e krijuar të 53 milionshit.

“Habitna si Albin Kurti edhe Liburn Aliu janë palë për këtë temë me ish-ministrin e transportit. Kam një pyetje për Liburnin, a e din kush e ka kriju këtë borxh?, A e ka kriju ky që je në grup me të? Dikush është shkaktar që e ka bërë këtë borxh, e ai që është shkaktar është ky i palës sate”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndër të tjera, kryeministri e falënderoi Bechtel Enkan dhe ministrin Pal Lekaj, që sipas tij, i dha fund kësaj pune.

Zharku kërkon nga Haradinaj shkarkimin e Lekajt dhe anulimin e vendimit për 53 milionë euro

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tash deputet nga radhët e LDK-së, ka thënë se ndarja prej 53 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës për kompaninë Bechtel Enka nuk ka bazë ligjore e as kontraktuale.

Zharku në interpelancën e kryeministrit Haradinaj të thirrur nga VV e LDK  për ndarjen e 53 milionë eurove për ‘Bechtel Enka’, ka thënë se projektin e ndërtimit të autostradës “Arbër Xhaferi” edhe Qeveria edhe kompania kanë hyrë në një kontratë, të vetëdijshme për problemet që do të dalin, në buxhet dhe vonesën e punimeve.

Zharku gjatë fjalimit të tij ka thënë se ndarja e mjeteve për Bechtel Enkan është bërë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Ai ka thënë se për ndarjen e këtyre mjeteve nuk është respektuar as opinioni i kompanisë amerikane e kontraktuar për menaxhimin e kontratës.

“Përftimi nga kostoja prej 53 milionë eurove është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe kjo kërkesë konsiderohet e pabazë. Duke e ditur si kërkesë të pabazë kompania ka nënshkruar marrëveshje vetëm me Pal Lekaj, duke anashkaluar menaxherin e kontratës”, është shprehur Zharku.

Sipas tij, Lekaj ka pranuar se ka shkelur rregullat e kontratës edhe më një shkresë zyrtare dërguar anëtarëve të komisionit për zhvillimi ekonomik të Kuvendit.

Ai ka përmendur si tjetër dëshmi se kjo ndarje është bërë në mënyrë jo ligjore, mungesën e ministrit të Financave  Bedri Hamza në mbledhjen e komitetit ndërministror dhe në mbledhjen e Qeverisë kur janë ndarë mjetet.

Ai ka kërkaur nga kryeministri Haradinaj shkarkimin e Pal Lekaj dhe anulimin e kontratës për ndarjen e 53 milionë eurove për Bechtel Enkan.

Baftiu: Në spitalet publike nuk po gjenden as barnat esenciale për të shpëtuar jetë

Deputetja e Partisë Social Demokrate, Besa Baftiu në seancën e sotme ka ngritur çështjen e mungesës së barnave në sektorin publik të shëndetësisë në Kosovë.

Baftiu ka thënë se buxheti për barna është i madhi ndër vite por ka dështim të menaxhimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, dhe mungesë të barnave edhe më esenciale nëpër spitalet publike.

“Kjo mungesë e barnave esenciale, materialeve shpenzuese ndër të tjera ndodh sepse ka pasur keqmenaxhim dhe keqpërdorim të buxhetit në prokurorimin e barnave të listës esenciale, unë besoj që e keni parë apo keni dëgjuar për një hulumtim që është bërë nga Institutit Columbus , e që po besoj po ashtu se gjithsecili që e keni parë jeni tmerruar me atë që ka ndodhur me prokurorimin e barnave gjatë viteve 2016-2017. Efektet e këtyre keqpërdorimeve po i bartin pacientët tanë të cilët janë të detyruar të i blejnë nga shiringat e deri te penjtë  kirurgjik. Unë këtu me vete e kam një foto, të marrë nga njëri nga repartet ku shkruan se mungon alkooli, mungojnë ampulat, mungojnë gjilpërat e mungon pambuku”, ka thënë Baftiu.

Ajo ndër tjerash ka cituar të gjeturat e hulumtimit të Institutit Columbus ku thuhet se çmimi i barnave është rritur nga 100 në 200 përqind.

“E ku janë mbi 200 produkte farmaceutike që kanë pësuar një rritje të tillë...Miliona euro janë keqpërdorë nga disa kompani farmaceutike ku për të njëjtën shumë të të hollave janë blerë më pak barna se më parë...”, ka thënë ajo.

Haradinaj flet për menaxhimin e hapësirës ajrore të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpjeguar se hapësira e lartë ajrore e Kosovës është e hapur për fluturime civile nga prilli i vitit 2014m kjo përshinë hapësirën mbi 6 mijë e 500 metra, e cila përdoret mbi kalime transit të aeroplanëve civil e që udhëhiqet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit të Kosovës.

Me vendim të Këshillit të NATO-s, përkohësisht, ofrimin e shërbimeve të larta ajrore i ka Hungaria. NATO kishte vendosur disa kritere.

Haradinaj teksa iu përgjigj deputetes Shqipe Pantina, tha se  Kosova ende nuk është në gjendje të merr përgjegjësitë e veta.

Haradinaj: Gjendja nuk është e mirë, ka ende punë për të bërë

“Ne e kemi në plan anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Aviacionit Civil, mirëpo anëtarësimi në organizata që nuk do jepnim shumë detaje në këtë etapë......Gjendja nuk është e mirë, në shumë aspekte të menaxhimit, të autoritetin tonë që kemi në Aeroport. Janë bërë disa ndërhyrje të menjëhershme, na pret më shumë punë në të ardhmen. Jo, ende ka punë që duhet me ba Kosova për me marr përgjegjësitë që po pyesni”, ka thënë Haradinaj.

Image
Teuta Haxhiu

Haxhiu kërkon hetim për memorialin e Mejës

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, ka kërkuar hetimin e procesit të shkëputjes së kontratës së kompanisë që kishte nisur ndërtimin e kompleksit memorial për martirët dhe dëshmoret e Mejës.

Haxhiu ka shfrytëzuar seancën e sotme të Kuvendit, gjatë pyetjeve parlamentare për të akuzuar ish –kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari –Lila për keqpërdorime gjatë procesit të nderimit të memorialit të Mejës, që edhe ashtu sipas saj po zvarritet shumë.

“Unë sot kam dalë këtu për një rast shumë të ndjeshëm për vonimin e ndërtimit të memorialit në Mehë. Në Komisionin për të drejtat e njeriut dhe të pagjeturit, barazi gjinore dhe peticione i kishim përfaqësuesit e Shoqatës ‘ 27 prilli’, në Komision. Me insistimin tim qysh prej pakënaqësive që ata i shprehën qysh me atë datë, i kemi thirr në takim edhe i ftuar ka qenë edhe drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Memorialëve, z. Idriz Blakaj, i cili në orën 20:00 një ditë përpara takimit njofton se nuk do të marrë pjesë. Pse po e përmend këtë, për me tregu një shqetësim shumë të rëndë që për mua është shqetësim edhe si deputete e asaj ane, e që e thanë përfaqësuesit e shoqatës 27 prilli, konkretisht kryetari i Shoqatës”, ka thënë ajo. Sipas deputetes Haxhiu, përveç vonesave dhe  punimeve që nuk janë duke vazhduar qysh duhet, shqetësimi më i madh për të është ajo që sipas saj kanë treguar anà «tarët e shoqatës “27 prilli”, e që ka të bëjë me kërkesën për shkëputjen e kontratës së kompanisë që nisi ndërtimin kohë më parë.

“Ish kryetarja zonja Kusari – Lila, e cila jo vetëm që e humbi Gjakovën por nuk ka shancë kurrë të kthehet atje. Me insistimin e ish –kryetares është bërë shkëputja, pra po them është në procesverbali,  kërkesa e ish kryetares zonja Kusar- Lila që i ka thirr përfaqësuesit e Shoqatës ‘27 prilli’ dhe [iu ka tregu] që duhet me ia shkëput kontratën  që e ka fillu ndërtimin. Dhe ajo që është më shqetësuese pra është që Kompanie qet në gjyq Komunën dhe Komuna detyrohet të paguajë penallti  ashtu siç është thënë, mbi apo rreth 100 mijë euro. Dëmet pra që ish kryetarja ia ka shkaktuar komunës, buxhetit të varfër të komunës së Gjakovës.  Ky për mua është një shqetësim shumë i madh, edhe një euro e vetme keqpërdorimi në Mehe është më shumë se masakër, është më shumë se dhimbje që po përsëritet tek familjarët, që ende kanë persona të pagjetur. Kjo vërtetë duhet me u hetu, ka qe në ish kryetarja”, ka thënë deputetja e AAK-së.

Image
Pal Lekaj

Pal Lekaj tenton të shpjegojë diçka për çmimet e aviobiletave

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj kur u pyet në seancë se çfarë kanë bërë që bashkatdhetarët të paguajnë më pak për biletat kur të vijnë në Kosovë, u mundua të arsyetohet. Konstaton se Kosova nuk ka çmimet më të shtrenjta në rajon.

Ka folur për statistika të muajve të parë të vitit 2017 dhe 2016, por jo edhe të këtij viti.

Por, pranon që çmimet janë të larta por thotë se Qeveria duhet të bëjë ndryshimet.

Lekaj: Çmimi i aviobiletave do të ulet rreth 30%, por duhet nga Qeveria 

“Cila është arsyeja e çmimeve kaq të larta, e përmendet edhe vet. Janë mosnormalizimi i hapësirave ajrorë, si dhe hapja e korridoreve të reja që bëjnë shkurtimin e  distancës së fluturimeve......Shkurt, në distancë fluturimi për desticanionin e caktuar, pamundësia e lëvizjes së lirë, liberalizimi i vizave, me krijimin e mundësive të lëvizjes së lirë, qytetarëve të Kosovës, në bazë të praktikave të shteteve të rajonit, çmimi i aviobiletave do të ulet rreth 30% , nga me rritjen e kërkesave numri i udhëtarëve ulet edhe çmimi i aviobileta”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse kërkohet ulja e çmimeve të biletave duhet reaguar Qeveria e Kosovës, sikur harron se ai është pjesë e saj.

Haradinaj shpjegon emërimin e koordinatorëve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për emërimin e koordinatorëve.

I pyetur nga deputetët në seancën e Kuvendin të Kosovës, ai ka deklaruar se përgjegjësit e koordinatorëve nuk ndërhyjnë në asnjë rast në punët e ministrive.

Tha se ata kanë rol tjetër.

Ai është përgjigjur vetëm për punën e Besnik Tahirit si Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.

Haradinaj: Nuk është mohim i punës së ministrive

“Përgjigje është përgatitur kur pyetja është dërguar vetëm për këtë koordinator në një rrethanë tjetër mund të ju përgjigjem edhe për koordinatorët e tjerë.....ministritë e kanë punën e tyre dhe janë përgjegjëse për to, mirëpo koordinimi i ministrive, mes nivelit qendror e lokal por edhe me partnerët. Kjo nuk është mohim i punës së ndonjërës nga ministritë, është vetëm bashkërenditje e të punëve të kryera”, ka thënë Haradinaj.

Konjufca: Për Thaçin më e rëndësishme të bëj fotografi me Vuçiqin sesa të merret me platformën për bisedime

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca në seancën e Kuvendit ka folur për dialogun me Serbinë.

Tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është vetëshpallur kryenegociator.

Sipas tij, Thaçi po shkon në dialog pa asnjë platformë.

Konjufca ka ripërsëritur qëndrimin që kanë si subjekt politik dhe vlerëson se Thaçi është person i paqëndrueshëm për të mbrojtur interesat shtetërore.

Konjufca: Thaçi gjithçka e nisi keq

“Ai është duke u frikësuar nga Gjykata Speciale. Frika e tij e madhe mund ta dëmtojë Kosovën në këtë proces. Edhe ne jemi kundër Speciales, ama  Gjykata Speciale nuk luftohet duke i trajtuar interesat e vendit si monedhë e kusurit në raport me Serbinë. Presidenti Thaçi nuk mund të bëjë bash çka i thotë mendja atij. Ai prej fillimit e nisi keq. U qu në një mëngjes dhe e shpalli veten të mandatum për me udhëheqë negociatat me Serbinë. Kjo nuk është në rregull në një shtet demokratik. Pa e mandatuar askush, pa folur pa asnjë subjekt politik. Ma e rëndësishme mi shtrëngu duart me Vuçiqin dhe me realizu atë vizitë, se sa me u marr vesh këtu në Parlament‘, tha Konjufca.

Konjufca ka thënë se është e nevojshme me ndodh një diskutim në Kuvend dhe me vendos një platformë të interesave të Kosovës që janë vija të kuqe përnjëmend për Serbinë dhe që nuk mund të lëvizin në asnjë mënyrë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Topalli e ka ngritur si çështje urgjente në Kuvendin e Kosovës, problemin e bashkatdhetarëve.

Ai ka thënë se më e pakta që mund të bëjnë deputetët është që të u’a lehtësojnë procesin e ardhjes. Topalli tha se duhet vullnet politik për të zvogëluar pritjet e gjata në kufi.

Ai ka shtruar në diskutim një Rezolutë.

Topalli: Të hiqen procedurat e përditshme

“Të hiqen procedurat e përditshme të kontrollit të kalimit kufitar për bashkatdhetarët tanë, në të gjitha pikat kufitare të Kosovës, përfshirë këtu edhe Aeroportin e Prishtinës. Hyrja e veturave të bashkatdhetarëve nëpër këto pika të bëhet pa ju nënshtruar kontrollit të domosdoshëm, ndërsa kontrolli i tyre të bëhet me metodën e rastit. Gjatë hyrjes në kufi të kërkohet vetëm posedimi i polices kufitare për makina që siguron dëmet e mundshme”, ka lexuar ai Rezolutën.

Kjo Rezolutë do të aplikohet për periudhën 6 korrik 2018 deri më 31 gusht 2018.

Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për të zbatuar Rezolutën.

Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar që të mos politizohet kjo çështje të vazhdojnë punën me grupet parlamentare dhe të me MPB-në, për të vazhduar me këtë Rezolutë.

Kusari: Po shkatërrohet Liqeni i Radoniqit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila po thotë se po shkatërrohet Liqeni i Radoniqit.

Sipas saj, po shkatërrohet Zona e Mbrojtur, po keqpërdoren paratë publike e ka rrezik të ndonjë epidemie.

Ajo ka shpjeguar se atje është ndërtuar një objekt hotelier e që kjo nuk duhet të ndodh dhe sipas saj, Prokuroria duhet të merret me këtë çështje.

Kusari-Lila në Kuvendin e Kosovës, në pikën jashtë rendit të ditës, ka shpjeguar se në atë Zonë nuk guxon të ndërtohet.

Kusari-Lila: Po keqpërdoret prona publike

“Skandali në këtë Qeveri ka arritur deri në atë pikë, sa në pronën publike është ndërtuar Hoteli, në Zonën e Mbrojtur. Me paratë publike është keqpërdorur një proces që është quajtur publik e dikur ka dal privat. Në vend të shtëpisë së rojës sot kemi një Hotel’, ka thënë ajo.

Kusari- Lila ka kërkuar që Prokuroria të merret me këtë çështje.

E sipas sajm mund të ketë epidemi për shkak të derdhjes së ujërave të zeza në Liqen nga ky Hotel.

***

Kuvendi i Kosovës sot me fillim nga ora 10:00 do të mbajë seancë plenare.

Në rend të ditës është edhe Interpelanca e Kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në kontratën për ndërtimin e Autostradës R6, "Arbën Xhaferi" Prishtinë-Hani i Elezit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat