Zyrtarët e kësaj ministrie shpenzojnë mbi 100 mijë euro për udhëtime jashtë Kosovës

Aktuale

Zyrtarët e kësaj ministrie shpenzojnë mbi 100 mijë euro për udhëtime jashtë Kosovës

Më: 30 qershor 2018 Në ora: 18:23
Ilustrim

Zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit ekonomik kanë tejkaluar shpenzimet për bileta udhëtimit jashtë vendit. Në kontratë për udhëtime jashtë vendit janë parashikuar 30 mijë euro për vit, ndërsa vetëm në vitin 2017 janë shpenzuar 114 mijë e 076 euro.

“Shpenzimet për bileta të udhëtimit jashtë vendit kanë shënuar tejkalim në raport me planifikimin/kontraktimin e tyre. Në kontratë janë parashikuar 30,000€ për vit, ndërsa vetëm në vitin 2017 janë realizuar/shpenzuar 114,076€”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Shpenzimet kjo ministri për udhëtime i ka tejkaluar në raport me planifikimin e tyre.

“Ministria ka kontratë kornizë “Shërbime udhëtimi me aeroplan për nevojat e MZHE-së”, për 36 muaj (nga dt. 23.03.2015 deri 23.03.2018), që ishte para ndryshim/plotësimit të ligjit të prokurimit. Në nenin 3.1 të kontratës është përcaktuar se vlera e kontratës të jetë përafërsisht 30,000€ për vit. Mirëpo, vetëm gjatë vitit 2017 nga kjo kontratë është paguar vlera prej 47,248€ apo 57% më shumë se vlera e përcaktuar në kontratë. Për më tepër, nga data 13.04.2017, ministria ka lidhur marrëveshje me OE për shfrytëzimin e kontratës së AQPsë4, dhe me këtë kontratë janë bërë pagesa për bileta në vlerë prej 66,828€. Shfrytëzimi i kontratës së AQP-së ka filluar pa përfunduar afati i kontratës individuale të MZHE-së me OE. Për më tepër në kontratën e AQP-së çmimi i shërbimit për njësi ishte 1.27€, që ishte më i lartë në krahasim më kontratën paraprake prej 0.00000000001cent5 për njësi”, thuhet në këtë raport.

Ky raport thekson se tejkalimi i këtyre shpenzimeve rritë rrezikun që këto të mos bëhen për qëllime të organizatës, në këtë rast të Ministrisë.

Ndërsa, shfrytëzimi i kontratës së AQP-së pa përfunduar afati në kontratën paraprake rrit rrezikun ndaj detyrimeve kontraktuale, po ashtu kontrata në këtë rast nuk ishte ekonomike dhe ndikon negativisht në arritjen e vlerës për para.

Përveç kësaj, zyrtarët e kësaj ministrie në disa raste nuk i kanë arsyetuar shpenzimet e udhëtimeve zyrtare.

Sipas rregullave administrative, duhet të plotësohet formulari për udhëtim zyrtar dhe të bashkëngjitet arsyeshmëria me shkrim e miratuar nga udhëheqësi i nëpunësit civil si dhe agjenda e takimit zyrtar.

Auditori ka vërejtur se tri raste mungojnë faturat për shpenzimet e fjetjes. Ndërsa në 11 raste mungon dëshmia e udhëtimit (boarding pass), si dhe arsyeshmëria e udhëtimit nuk ishte e duhur në shumicën e rasteve.

Po ashtu formulari i kërkesës për udhëtim nuk është nënshkruar nga zyrtarja e personelit dhe nuk është përdorur formulari zyrtarë për llogaritjen e shpenzimeve për udhëtime zyrtare.

Për më tepër, udhëtimi zyrtar për në Turqi në vlerë prej 996€ ishte bërë për ish zyrtaren e ministrisë, e cila në ministri është e angazhuar me punë vullnetare pas moshës së pensionimit. Edhe pse sipas rregullave për nëpunës civil që bëjnë punë vullnetare pas pensionimit, mbulimi i shpenzimeve për ta nuk parashihet.

Auditori thekson se mungesa e dëshmive të udhëtimit dhe arsyeshmëria jo e duhur lidhur me udhëtimet zyrtare është ne kundërshtim me rregullat në fuqi dhe rrit rrezikun që shpenzimet e tilla nuk janë bërë për qëllimin e duhur.

Po ashtu pagesa për zyrtarë me angazhim vullnetarë nuk ka mbështetje në rregullat ligjore.

Nuk është hera e parë që këto rregulla për udhëtime zyrtare nuk respektohen nga ana e ministrive. Kjo është një gjetje e cila vazhdimisht evidentohet nëpër raporte te ndryshme, si kjo e Auditorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat