Thaçi: Ejani jepni dijen dhe patriotizmin tuaj në tavolinën e bisedimeve

Aktuale

Thaçi: Ejani jepni dijen dhe patriotizmin tuaj në tavolinën e bisedimeve

Më: 29 qershor 2018 Në ora: 11:27
Hashim Thaçi, ka raportuar para kabinetit qeveritar, lidhur me takimin e fundit të mbajtur në Bruksel.

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka raportuar para kabinetit qeveritar, lidhur me takimin e fundit të mbajtur në Bruksel.

Ai tha se ky informim i tij para anëtarëve të Qeverisë duhet të kuptohet si përkushtim për të qenë transparent dhe llogaridhënës,  për këtë  proces.

Thaçi: Transparenca dhe llogaridhënia do ta shoqërojnë deri në fund procesin

“Ky informim i imi para jush, i nderuari kryeministër, duhet të kuptohet si një përkushtim ynë për të qenë transparent dhe llogaridhënës gjatë këtij procesi. Puna e delegacionit të Kosovës në kuadër të këtij dialogu do të jetë transparent në raportime të rregullta para qytetarëve dhe të gjitha institucioneve relevante.  Transparenca dhe llogaridhënia, do ta shoqërojnë këtë proces deri në fund. Sepse këtë e kemi obligim ndaj qytetarëve. Edhe para nisjes në takimin e parë e kam bërë të qartë gatishmërinë time për të raportuar para Kuvendit të Kosovës, sa herë që kërkohet një gjë e tillë nga, Kryesia e Kuvendit apo grupet parlamentare.  Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i përfshirë në këtë proces në mënyrë të drejtpërdrejtë .  Sepse në rast se do të ketë marrëveshje në fund të këtij procesi, atëherë është e qartë për të gjithë se, Kuvendi do ta ratifikojë këtë marrëveshje me 2/3 e votave. Prandaj shpresoj se koalicioni qeveritar, në bashkëpunim me partitë politike parlamentare, të pozitës dhe opozitës, do të arrijnë të përcaktojnë modalitete e kësaj përfshirje, sa më shpejtë që është e mundur. Koha është duke ecur dhe ky proces s’mund të ndalet për shumë arsye”, tha presidenti Thaçi.

Por theksoi se është për keqardhje që partitë politike, ende s’kanë arritur hartimin e një platforme të përbashkët për bisedimet.  Megjithatë pohoi se shpreson që liderët e partive politike,  do ta kuptojnë përgjegjësinë e tyre ndaj institucioneve dhe mbi të gjitha ndaj qytetarëve të vendit.

Image

Thaçi: Është për keqardhje

“Jam i vetëdijshëm që Qeveria në koordinim me Presidencën dhe Kuvendin e ka tërheq draft platformën fillestare nga rendi i ditës i seancës,  me të vetmin qëllim, që t’i ipet kohë dhe mundësi edhe partive opozitare dhe gjithë të tjerëve që të përfshihen  në hartimin dhe miratimin e një platforme apo rezolute me gjithëpërfshirëse dhe të përbashkët]t.  Fatkeqësisht një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Kjo është për keqardhje”, tha ai.

Presidenti i vendit, sërish  i bëri thirrje spektrit politik që të bëhen pjesë e delegacionit dhe se  patriotizmin e dijen e tyre,  ta tregojnë në tryezën e bisedimeve

Thaçi: Ejani jepni patriotizmin tuaj në tryezën e bisedimeve

“Para nisjes në takimin e parë në Bruksel, kam bërë thirrje  publike për bashkim dhe bashkëngjitje në delegacionin e Kosovës. Të njëjtën gjë e  përsëris dhe sot për partitë opozitare dhe gjithë spektrin politik kosovar. Ejani dhe bëhuni pjesë e delegacionit të Kosovës. Jepni dijen dhe patriotizmin tuaj në tryezë të bisedimeve me argumentet dhe kundër argumentet. Ky do të ishte veprimi i duhur veprimi  më racional dhe i guximshëm, të cilin e presin qytetarët e Kosovës.  Gjithçka tjera të gjitha kritikat e pa baza dhe të pamatura,  tregojnë  vetëm shenja lodhje. Mungesë të përgjegjësisë dhe guximit”, tha ai.

Ndërsa tha se në bisedime e kanë bërë të qartë se Kosova është përcaktuar dhe e interesuar për të arritur marrëveshje përfundimtare obliguese dhe ligjore me Serbinë, me  garanci ndërkombëtare. Ndërkaq pohoi se në këtë takim i kanë bërë të qartë që Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim dhje se është koha e fundit që BE ta marrë vendimin për këtë çështje.

Thaçi: marrëveshja eventuale duhet të rezultojë me një situatë fituese për të dy palet

“Theksuam se marrëveshja eventuale,  duhet të jetë e balancuar dhe të rezultojë me një situatë fituese për palët e përfshira, për të ardhmen konkrete evropiane për të dy vendet. Dhe në fund ia bëmë të qartë se palët e përfshira duhet të punojnë për marrëveshje përfundimtare dhe jo një tjetër të përkohshme. Që ky proces të përmbyllet me njohje reciproke. Njohje të plotë. Në këtë takim ia bëmë të qartë faktin se Kosova, ka  përmbushur 95 kriteret për liberalizimin e vizave  dhe se tani  është koha e fundit që institucionet e BE-së,  të shterojnë procedurat e vendimmarrjes së saj, pra të marrin vendimin”, tha ai.

Presidenti po ashtu para kabinetit qeveritar, theksoi se në takimin e palëve të përfshira , Kosova e ka bërë të qartë se ka shtjerrë kompromiset e veta,  të cilat janë të konkretizuara në planin gjithëpërfshirës të presidentit Martti Ahtisari, respektivisht në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se hapësira për kompromise shtesë nga ana e Kosovës, është shumë minimale.

Thaçi po ashtu theksoi se takimi ka përfunduar pa asnjë marrëveshje dhe se sipas tij, është naive të pritet që të ketë marrëveshje të shpejtë, pasi që procesi është shumë i vështirë.  Mirëpo  tha se të dy palët e përfshira në dialog, janë  pajtuar që të bëjnë përpjekje  të mëtejme, për të arritur marrëveshje dhe të  mos lejojnë përshkallëzim  të tensioneve apo provokime ndërshtetërore, me qëllimin e vetëm  që të ruhet paqja  dhe stabiliteti.

Ndërsa theksoi se takimi i radhës, pritet të ndodh në të ardhmen e  afërt dhe se shpreson që të arrihet një konsensus sa më i gjerë politik. .

Thaçi: Gjatë fillimit të javës së ardhshme, të ulemi bashkë

“ Gjatë fillimit të javës së ardhshme, unë pres që me bartësit e institucioneve kryeministrin , kryeparlamentarin, liderët politik të partnerëve të koalicionit dhe liderëve tjerë opozita, të ulemi për të konkretizuar, për themelimin e ekipit negociator të Kosovës. Pastaj të ekipin strategjik, por dhe të komisioneve të përbashkëta që do të punojnë për çështje, që do të hapen në këto takime e dialog”, tha ai. .  

E kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, tha se është inkurajues fakti që në vazhdimin e  dialogut të përfshihen të gjithë. Sipas tij askush nuk e ka luksin që të tregohet indiferent, ndaj këtij procesi.

Haradinaj: Se kemi luksin, të tregohemi indiferent ndaj këtij procesi

“Janë inkurajuese gjithë argumentet që me vazhdimin e dialogu të përfshihemi të gjithë dhe partitë politike opozitare, ekspertet dhe shoqëria civile. Dihet se bëhet fjalë për një marrëveshje, që do të ketë shumë elemente. Pra të gjitha ato tema që i ndërlidhin dy vende, e që janë të shumta, e që prekin jo vetëm anën politike, por kanë karakter ekonomik, e financiar. Pra të gjitha ato marrëdhënie që duhet me u nda paq mes dy vendeve. Jam thellë i bindur që si Kosovë nuk e kemi luksin me u tregu indiferent ndaj këtij procesi”, tha ai.

Raportin e Thaçit nuk e kanë dëgjuar anëtarët e kabinetit qeveritar që vijnë nga Nisma Socialdemokrate. Ministrat e as zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj  nuk kanë marr pjesë në mbledhjen e Qeverisë.

Drejtpërdrejt nga mbledhja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës po mban mbledhjen e radhës, ku pritet të raportojë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat