Në ndjekje të kriminelëve të luftës, dorëzohen 150 kallëzime penale - ka edhe emra shqiptarësh

Aktuale

Në ndjekje të kriminelëve të luftës, dorëzohen 150 kallëzime penale - ka edhe emra shqiptarësh

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 17:30
Ilustrim

Me shpresë që një ditë do të përballen me ata që ua vranë familjarët gjatë kohës së luftës në Kosovë, sot u dorëzuan më shumë se 150 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale. Në një bisedë përfaqësuesja e grupit Mevlyde Saraqi, ka treguar se në mesin e kriminelëve serbë, ka edhe shqiptarë që bashkëpunuan për kryerjen e krimeve e terrorit ndaj shqiptarëve. Madje, disa prej tyre ende jetojnë në Kosovë.

Përveç dëshmive të shkruara, familjarët kanë treguar dokumente, fotografi të personave të vrarë dhe kriminelëve, fakte, emrat e kriminelëve të cilët thonë se i njohin, se kanë kryer vrasjet gjatë kohës së luftës në Kosovë. Madje, në mesin e kriminelëve serbë, ka edhe shqiptarë që kanë vrarë shqiptarë.

Të gjitha këto dëshmi, tanimë janë në dorë të Prokurorisë Speciale.

Që nga paslufta Gjakova ka dorëzuar pesë kontingjente të kallëzimeve penale në organet kompetente për krimet e luftës. Kështu ndodhi edhe të mërkurën, kur Grupi i Shoqërisë Civile ka grumbulluar dëshmi për krime të luftës dhe i dorëzoi më shumë se 150 kallëzime penale në Prokurori Speciale.

Mevlyde Saraqi, përfaqësuesja e Grupit të Shoqërisë Civile, në një bisedë  për Express ka thënë se në mesin e kriminelëve serbë, ka edhe emra shqiptarë që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve.

Dorëzimi i kallëzimeve penale ka filluar që nga shkarkimi i ish-ministrit serb në Kosovë, Aleksandar Jabllanoviq.

“Ne edhe 16 organizata joqeveritare kemi mbledhë çdo ditë dëshmi nga familjarët e viktimave. Familjarët e viktimave kanë sjell fotografi, dëshmi dhe shumë fakte rreth krimeve të asaj kohe”, tha Saraqi.

Ajo gjithashtu tregoi se familjarët e viktimave kanë treguar se kriminelët që i kryen këto vepra, kanë jetuar në mesin e tyre, madje, i kanë pasur fqinjë.

“Dua të përmend që ka edhe bashkëpunëtorë shqipfolës të kriminelëve serbë, të cilët kanë qenë policë lokalë, i kemi edhe ata me emra e mbiemra. Të gjithë ata, janë të identifikuar dhe kanë bërë krime të rënda. Të gjithë këta emra janë dorëzuar në prokurorinë Speciale, por jemi të kufizuar t’i përmendin publikisht për shkak të hetimeve”, ka thënë Saraqi.

Por, a ka mjaft dëshmi drejtësia kosovare që t’i procedojë këto raste dhe të fillojnë ngritja e aktakuzave ndaj këtyre personave të dyshuar për krime gjatë kohës së luftës në Kosovë?

Disa prej tyre, Saraqi thotë se jetojnë ende në Kosovë, por shpresojnë se Prokuroria do të identifikojë adresat e tyre dhe shpejtë do të dalin para drejtësisë.

“Prokuroria është duke u marrë instenzivisht me trajtimin e kallëzimeve penale, dhe identifikimin e kriminelëve. Unë jam shumë e bindun që së shpejti kriminelet do të gjenden dhe do të dalin, do t’u gjenden adresat. Madje, ka të tillë që jetojnë në Kosovë”, tha Mevlyde Saraqi.

Përveç kësaj, Saraqi potencon se posedojnë lista të vulosura nga Serbia, në të cilat përshkruhen krimet, datat dhe kohën e kryerjes së krimit.

“Dëshmitë tona janë të vërteta dhe të sakta”.

Grupi i Shoqatave Civile thonë se kanë edhe po aq dëshmi të tjera, me deklarata të dëshmitarëve e materiale të tjera, por të pakompletuara. Këto materiale janë duke u kompletuar me dokumentacione në mënyrë që të mos u kthehen mbrapa lëndët dhe që t’i lehtësohet puna Prokurorisë.

Në luftën e viteve 1998-99 u vranë rreth 15 mijë persona nga forcat paramilitare serbe, mbi 20 mijë femra të dhunuar, u dëbuan mbi 8 mijë persona, kurse të zhdukur vazhdojnë të mbesin mbi 1600 persona.

Me hetimet dhe gjykimet e kriminelëve që kryen krime gjatë luftës në Kosovë u morën mekanizma ndërkombëtar e vendor.

Menjëherë pas luftës, filloi të merret me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës edhe Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë me seli në Hagë. Kjo gjykatë ka arritur të dënojë 6 serbë dhe 2 shqiptarë.

Në mesin e serbëve, është edhe ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, i cili më 11 mars 2006 u gjet i vdekur ne qelinë e tij në Hagë, disa muaj para se të përfundonte gjykimi.

Kurse, me krijimin e Misionit Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX) u akuzuan për krime lufte gjithsej 112 persona, 61 shqiptarë, 48 serbë dhe 2 malazezë.

E nga shteti serb, në vitin 2003 në Gjykatën e Lartë janë akuzuar për krime të luftës 20 shqiptarë dhe 15 serbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat