Daut Haradinaj nervozohet me Rikallon: S’ka qare pa ardhë në Komision, ose ec në shtëpi

Aktuale

Daut Haradinaj nervozohet me Rikallon: S’ka qare pa ardhë në Komision, ose ec në shtëpi

Më: 26 qershor 2018 Në ora: 16:38
Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural

Të hënën ose të martën e javës së ardhshme, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, do të ftohet për raportim në Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural për të raportuar nëse kanë marrë masa ose jo për t’iu ndihmuar zonave të dëmtuara nga reshjet e fundit të shiut.

Mirëpo, mos ardhja e tij në Komision atij mund t’i kushtojë me shkarkim nga posti i ministrit.

Kryetari i këtij komisioni, Daut Haradinaj, ka siguruar anëtarët e Komisionit se ministri Rikallo, ose do të vijë për të raportuar ose do të shkojë në shtëpi.

“Ne do ta thirrim ministrin dhe ai do të vije. Hiq mos t’ua ndinë për atë punë, s’ka qare pa ardhë, ose vjen ose shkarkohet. Njëra nga këto dyja”, tha Haradinaj.

Propozimin për ta ftuar në komision e dha deputeti i PDK-së, Andin Hoti, derisa po shqyrtonin Projektligjin për veprimtaritë hidrometeorologjike.

Ai tha se Rikallo duhet të ftohet për t’u informuar anëtarët e Komisionit nëse ka buxhet apo jo për të ndihmuar zonat e dëmtuara nga shiu, sidomos komuna e Rahovecit.

“Unë propozoj ose kërkoj që ta ftojmë ministrin e Bujqësisë Rikallo, por edhe sekretarin e Ministrisë. Na e kemi obligim ta thërrasim, nëse ai nuk vjen është problem i tij, duhet të merren masa tjera”, theksoi Hoti.

Propozimin e Hotit, e ka mbështetur edhe kolegia e tij në parti, Ganimete Musliu, e cila tha se duhet ta kryejnë rolin e tyre si komision dhe nuk duhet hequr dorë nga roli që kanë.

“Unë mendoj që duhet një afat sa më të shpejt ta ftojmë sepse ne po kemi problem ta kryejmë punën tonë si deputetë, edhe si komision parlamentar. Nuk po kemi mundësi të adresojmë as pyetje parlamentare sepse nuk po marrim përgjigje përmes pyetjeve parlamentare. Fatkeqësisht jo vetëm nga ministri Rikallo për edhe nga ministrat tjerë, dhe ne nëse heqim dorë nga ardhja në Komision për të na dëgjuar dhe marrë opinionet tona atëherë nuk e di pse duhet funksionuar si komisione”, theksoi Musliu.

Komisioni ka pasur rendi dite edhe Shqyrtimin e Projektligjit për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Mirëpo, për shkak të dërgimit të disa propozimeve nga Qeveria, miratimi i tij dhe procedimi për në seancë u shty.

Kjo për faktin, se anëtarët e Komisionit, do t’i inkorporojnë propozimet e ekzekutivit në projektligj, pastaj do ta procedojnë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.

Deputetja Ganimete Musliu, do ta udhëheq grupit për inkorporimin e propozimeve të qeverisë në projektligjin për kompleksin memorial.

Komisioni po ashtu ka miratuar konfirmimin për leximin e dytë të Projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat