Sherifi: NISMA ka ngjallë shpresë për ndryshim tek qytetarët e vendit

Aktuale

Sherifi: NISMA ka ngjallë shpresë për ndryshim tek qytetarët e vendit

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 10:09
Pamje nga takimi

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka prezantuar Raportin e Punës mes dy kuvendeve të Nismës Socialdemokrate.

Sherifi ka thënë se themelimi i këtij subjekti ka ngjallë shpresë për ndryshim tek qytetarët e vendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, ka thënë se kjo parti qysh nga fillimi është ballafaquar me fushata të tmerrshme kundër udhëheqësve të saj. Ai i ka falënderuar publikisht të gjithë aktivistët që sic thotë ai i rezistuan luftës speciale.

“Në shtetet e demokracive perëndimore, periudha dyvjeçarë paraqet moment të volitshëm për të bërë raportin e disa objektivave programore. Por në Kosovë, periudha dyvjeçare nga Kuvendi i parë Zgjedhor e deri më sot u karakterizua me një dinamikë të zhvillimeve politike që nuk mund t’i gjendet shembulli në Europë”, ka thënë ndër të tjera Sherifi.

Më tutje, Sherifi ka thënë se asnjë ngjarje politike në Kosovë nuk ka ndodhur pa pasur ndikimin dhe vulën edhe të Nismës Socialdemokrate.

Më poshtë postimi i plotë i Sherifit:

ASNJË NGJARJE POLITIKE NË KOSOVË, PO E THEKSOJ SE BASH ASNJË NGJARJE NË KOSOVË nuk ka ndodhur pa pasur ndikimin dhe vulën edhe të Nismës Socialdemokrate. Aktiviteti shumë i madh politik e bën të pamundur raportin e detajuar për këtë kuvend, sepse do të duhej të shkruhej një raport disa qindra faqe ku do të përfshiheshin të gjitha aktivitetet e strukturave të partisë sonë.

RAPORTI I PUNËS MES DY KUVENDEVE TË NISMËS SOCIALDEMOKRATE

QERSHOR 2016 – QERSHOR 2018!

Të nderuar delegate dhe delegatë të Kuvendit të Punës!

Para se të ndalem në raportin e punës mes dy kuvendeve, dëshiroj t’i rikujtojmë disa nga ngjarjet më të rëndësishme nga koha e themelimit të partisë sonë e deri më sot. I rikujtojmë këto ngjarje, sepse ishin vendimtare jo vetëm për rrugëtimin tonë politik, por për shkak se hapën një perspektivë të re për vendin.

Më 28 shkurt 2014, u shpall themelimi i NISMA për KOSOVËN, si forcë e re politike me orientim socialdemokrat. Fakti se në ballë të NISMËS u vunë figura të shquara si Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj dhe veprimtarë të rezistencës sonë kombëtare pati një ndikim shumë të madh në ngjalljen e shpresës se funksionimit jodemokratik të institucioneve shtetërore dhe partiake të vendit do t’i vijë fundi.

Krahas përfshirjes së figurave të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, TË DËSHMUAR SE JANË PERSONALITETET QË E MBAJNË FJALËN, Deklarata Programore e 28 shkurtit 2014 afishoi publikisht zotimet tona se si subjekt politik do të angazhohemi për vlerat më të larta të Socialdemokracisë Evropiane.

NGJALLJA E SHPRESËS PËR NDRYSHIM ISHTE EFEKTI I PARË I THEMELIMIT TË NISMËS.

Të dashur veprimtarë të Nisma Socialdemokrate,

Po rikujtoj shkurtimisht se që nga themelimi e deri para ca kohësh ne jemi ballafaquar me fushata të tmerrshme kundër NISMAS dhe udhëheqësve të saj. Po e përmendi këtë fakt për të vetmen arsye se dëshiroj që, nga kjo foltore, t’i FALEMNDEROJ PUBLIKISHT TË GJITHË AKTIVISTËT QË I REZISTUAN LUFTËS SPECIALE, t’u shprehim NJË MIRËNJOHJE TË MADHE që nuk lëshuan pe para asnjë presioni dhe shantazhi, dhe falë vendosmërisë arritën ta shndërrojnë NISMËN Scilademokrate në forcë të mirëfilltë politike parlamentare.

FALEMNDERIT DHE RESPEKT AKTIVISTË TË NISMËS SOCIALDEMOKRATE!

Të dashur delegate dhe delegatë,

Të nderuar të pranishëm,

Është privilegj dhe nder i veçantë që para jush të mbajë këtë fjalë, përmes të cilës, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Nismës Socialdemokrate, të prezantoj raportin e punës për periudhën nga Kuvendi Zgjedhor i qershorit 2016 e deri më sot.

Në shtetet e demokracive perëndimore, periudha dyvjeçarë paraqet moment të volitshëm për të bërë raportin e disa objektivave programore. Por në Kosovë, periudha dyvjeçare nga Kuvendi i parë Zgjedhor e deri më sot u karakterizua me një dinamikë të zhvillimeve politike që nuk mund t’i gjendet shembulli në Europë.

ASNJË NGJARJE POLITIKE NË KOSOVË, PO E THEKSOJ SE BASH ASNJË NGJARJE NË KOSOVË nuk ka ndodhur pa pasur ndikimin dhe vulën edhe të Nismës Socialdemokrate. Aktiviteti shumë i madh politik e bën të pamundur raportin e detajuar për këtë kuvend, sepse do të duhej të shkruhej një raport disa qindra faqe ku do të përfshiheshin të gjitha aktivitetet e strukturave të partisë sonë.

Përmes këtij raporti do të përpiqem të sjellë në vëmendjen tuaj aktivitetet kryesore të cilat kanë karakterizuar zhvillimet politike dhe organizative të partisë sonë!

Ajo që në rend të parë vlen të theksohet ka të bëjë me punën tuaj dhe të gjthë atyre që ju përfaqësoni! Pas vendimit të Kryesisë së Partisë që të fillojë procesi i kuvendeve të degëve dhe nëndegëve, mijëra intelektualë dhe profesionistë të të gjitha moshave dhe të të gjitha fushave u bashkuan me Nismën Socialdemokrate për të realizuar projektet në interes të popullit të Kosovës. Krahasimi në mes dy kuvendeve flet më shumë se njëmijë fjalë. Në zgjedhjet e brendshme të para dy viteve morën pjesë rreth 4000 anëtarë në nivel vendi. Në procesin zgjedhor për përgatitjen e kuvendin që po mbajmë sot morën pjesë rreth 12. 000 anëtare të Nismës Socialdemokrate, të cilët zgjodhën rreth 5000 delegatë për kuvendet e nëndegëve dhe degëve të NISMËS anë e kënd Kosovës. Nga ky proces i demokracisë së brendshme të partisë sonë, ju mbi 800 delegate dhe delegatë në këtë Kuvend të Punës e përfaqësoni SHPRESËN E MADHE QË KA NGJALLUR Nisma Socialdemokrate.

Falë mobilizimit të gjithanshëm të veprimtarëve për të përçuar frymën socialdemokrate në çdo shtëpi të Kosovës vetëm brenda 6 muajsh, nga 485 nëndegë sa kishim në lagjet e qyteteve dhe fshatrat anekënd Kosovës, Sot Nisma Socialdemokrate numëron 904 nëndegë dhe trefishim të anëtarësisë.

Krahas rezultateve të shkëlqyera në shtrirjen dhe strukturimin e partisë, VLEN TË THEKSOHEN REZULTATET E JASHTËZAKONSHME TË ORGANIZATËS SË GRUAS SOCIALDEMOKRATE DHE RINISË SË NISMËS SOCIALDEMOKRATE. Me mijëra anëtarë të rinj na janë bashkangjitur në rrugëtimin tonë.

Për një kohë shumë të shkurtër të bashkëqeverisjes, Nisma Socialdemokrate u shndërrua në SHTYLLË TË FUQISHME POLITIKE ku mund të mbështetet çdokush që dëshiron të mos qëndrojë spektator në procesin e zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë, po të jetë pjesë aktive e NDRYSHIMIT. Anëtarësimi i madh i grave, burrave, vajzave dhe djemve anë e mbanë Kosovës dëshmon se Nisma Social demokrate është shndërruar në SHPRESË TË MADHE.

Më lejoni që në emrin e të gjithë aktivistëve që kontribuuan për ta çuar frymën socialdemokrate të Nismës në çdo shtëpi të Kosovës, t’u dëshiroj MIRËSEARDHJE NË SHTËPINË E TYRE të gjithë anëtarëve të rinj të partisë.

Të nderuar delegatë,

EDHE ÇËSHTJA E DYTË QË DËSHIROJ TË VEÇOJ PËR KËTË KUVEND LIDHET ME PUNËN E AKTIVISTËVE TË NISMËS SOCIALDEMOKRATE.

Si rezultat i angazhimeve të mëdha për të përçuar vizionin e Nismës në çdo shtëpi të Kosovës, sot Nisma Socialdemokrate është e përfaqësuar denjësisht në institucionet ligjvënëse dhe ekzekutive të nivelit qendror dhe atij lokal.

Në Kuvendin e Kosovës Nisma përfaqësohet me 6 deputet ndërsa në ekzekutiv kemi Zv. Kryeministrin z. Fatmir Limaj dhe 3 ministri: Ministrinë e Punë dhe Mirëqenies Skender Reçicën sociale, Ministrinë e Arsimit Shyqyri Bytyqin dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasanin, ndërsa kontribut në qeverisje japim edhe përmes Zv. Ministrave në 12 ministri.

Në nivel komunal, Nisma Socialdemokrate, numëron 55 asambleistë 22 drejtori, si fituese e zgjedhjeve qeverisë sërish komunën e Malishevës, ndërsa në bashkëqeverisje jemi në Prizren, në Ferizaj, në Klinë, në Rahovec, në Suharekë, në Mitrovicë dhe në Gjakovë. Gjithashtu përmes asamblistëve të saj, zëri i Nismës është i fuqishëm edhe në asambletë e komunave tjera të Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,

Është koha të rikujtojmë se në zgjedhjet parlamentare dhe ato komunale Nisma Socialdemokrate premtoi publikisht se çdo kandidat i partisë sonë, që do të fitojë besimin e votuesve për ta përfaqësuar në institucionet përkatëse, do të angazhohet me tërë qenien e vet për jetësimin e programit të Nismës Socialdemokrate!

Më duket me vlerë t’i përsëris disa nga zotimet që Nisma Socialdemokrate përhapi publikisht te çdo qytetar i Kosovës:

U ZOTUAM SE:

Brenda mandatit 4 vjeçar të qeverisjes qendrore dhe lokale të Nismës, çdo familje që aktualisht është në asistence sociale do të ketë se paku nga një anëtar të punësuar.
U ZOTUAM SE:

Do të hapen mundësitë e menjëhershme, që përmes fondit të vetëpunësimit, të fillojë punësimi i të rejave dhe i të rinjve tanë dhe kështu të ngjallim shpresën për perspektivë të re në Kosovë.
U ZOTUAM SE:

Do të zbatohet politika jonë e mbështetjes së bizneseve vendore, sidomos mbështetje për bujkun kosovar, me qëllim që përfundimisht bujqësia të zë vendin e merituar në zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e mirëqenies së përgjithshme dhe kështu puna e prodhuesit vendor të vlerësohet drejtë.
U ZOTUAM SE:

Do të harmonizohen politikat e nivelit qendror me atë komunal që projektet në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, sigurimin e ujit të pijshëm dhe në të gjitha sferat me interes jetik për qytetarët tanë të zbatohen me përpikëri.
Unë sot nuk do të ndalem se deri ku kemi arritur me këto zotime sepse për secilën nga këto do të flasin ministrat e fushave të caktuara.

Do të ndalem vetëm në një segment.

Nisma Socialdemokrate u shndërrua në forcë qeverisëse të pakapërcyeshme falë aktivitetit të jashtëzakonshëm të veprimtarëve që na besuan se NE E MBAJMË FJALËN.

PREMTIMI SE NE E MBAJMË FJALËN DHE SHPRESA SE KA ARDHË KOHA PËR NISMËN ISHIN DY MOTOT KRYESORE QË MOBILIZUAN ANËTARËSINË TONË.

Nga momenti kur Nisma Socialdemokrate u bë pjesë e qeverisjes së përbashkët në nivel qendror dhe atë komunal kaluam në një realitet tjetër, kur ne duhet të dëshmojmë se TANI ËSHTË KOHA PËR TË MBAJTUR FJALËN.

Për këtë arsye, në këtë Kuvend Pune, ne duhet të bëjmë bilancin në raport me premtimet që kemi dhënë. Ajo që mund të them pa asnjë dyshim është se për këtë kohë të shkurtër, si në planin legjislativ, ku deputetët e NISMES kanë qenë të angazhuar maksimalisht që të përmbushin detyrat e tyre si deputetë, edhe në planin ekzekutiv Zv. Kryeministri, ministrat dhe Zv. ministrat janë angazhuar t’i përmbushin detyrat e tyre.

Të nderuar delegatë,

Kam bindjen e plotë se me përkushtimin e madh për të përmbushur premtimet që u kemi dhënë qytetarëve të Kosovës Nisma Socialdemokrate DO TA MBAJË FJALËN DHE DO TA KTHEJË SHPRESËN SE NË KËTË VEND MUND TË JETOHET NDERSHËM DHE ME DINJITET. FRYMA E SOLIDARITETI SHOQËROR QË KEMI PËRHAPUR DO TË JETË BAZAMENT MBI TË CILIN DO TË GJENDEN ZGJIDHJET ADEKUATE PËR TËRËSINË E PROBLEMEVE ME TË CILAT BALLAFAQOHEMI SI SHOQËRI! VETËM DUKE RESPEKTUAR PREMTIMET E DHËNA NE DO TË ARRIJMË QË TË ZGJEROHET NDIKIMI YNË DHE NISMA SOCIALDEMOKRATE TË SHNDËRROHET NË FORCËN KRYESORE POLITIKE NË KOSOVË!

PUNË TË MBARË DHE DALSHIM FAQEBARDHË!

FALEMIDERIT!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat