“Interesat e Kosovës nuk mund t'i mbrojë partneri i Vuçiqit”

Aktuale

“Interesat e Kosovës nuk mund t'i mbrojë partneri i Vuçiqit”

Më: 24 qershor 2018 Në ora: 14:59
Konferenca e Vetëvendosjes

(E plotësuar)-  Lëvizja Vetëvendosje ka bërë ftesë që të bashkohen opozita, mediat dhe shoqëria civile për të ndalur dëmet që sipas tyre, presidenti Hashim Thaçi po i sjell vendit. Kjo pasi, sipas tyre, ai ka dëshmuar se nuk dëshiron të mbrojë Kosovën.

Kjo ishte kërkesa që zyrtarë të Vetëvendosjes parashtruan sot në një konferencë për media, ku ngritën shqetësimet lidhur me dialogun në nivel presidentësh që po vazhdon në Bruksel.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se presidenti Thaçi në takimet me Aleksandar Vuçiq nuk përfaqëson Kosovën, por vetveten. Sipas saj, Kosovës i duhet një pasqyrë e plotë për marrëveshjet e deritashme, në mënyrë që të mund të gjendet një kornizë për të vazhduar tutje.

Haxhiu: Të bashkohemi për të ndalur Thaçin

“Nuk ka edhe rrugë të përshpejtuar për Serbinë në BE, edhe bosnjëzim të Kosovës. Thaçi duhet ndalur. Andaj ne si VV, në bashkëpunim edhe me subjektet tjera opozitare, me shoqërinë civile dhe mediat jemi të obliguar që të kemi një bashkim për ta ndalur këtë person dhe për t’i ndalur dëmet që po e presin Kosovën”, tha ajo.

Sipas saj, edhe Bashkimi Evropian duhet të di se presidenti Thaçi në bisedimet në Bruksel nuk e përfaqëson Republikën e Kosovës.

Haxhiu: Hashim Thaçi përbën rrezik për të ardhmen e vendit

“Bashkimi Evropian duhet të dijë se Hashim Thaçi nuk e përfaqëson Republikën e Kosovës. Ai s’ka legjitimitet. Ky person përbënë rrezik për të ardhmen e vendit dhe nuk e ka as legjitimitetin e as mbështetjen për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës. Përveç ish-partisë së tij, askush tjetër nuk e do atë përfaqësues, aq më pak në një dialog të ri, të cilit nuk i dihet as qëllimi e as përfundimi. Ne nuk mund të vazhdojmë me një fazë të re të dialogut pa e pasur një raport për dialogun, pa vendosur se më çfarë kornize do të paraqitemi në marrëdhënie të tilla dhe se çfarë do të përfitojë Kosova nga marrëveshje të tilla”, tha ajo.

Ndërsa nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha se ky dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë i padobishëm për Kosovën. Ajo e quajti jo transparent dialogun, derisa shtoi se si i tillë, dialogu në nivel presidentësh në Bruksel, po vazhdon në një situatë kur në Kosovë udhëheq një qeveri e pakicës.

Kollçaku: Në krye të delegacionit është presidenti jo konsesual

“Në krye të delegacionit është njeriu që nuk është president konsesual, ne i dimë rrethanat në të cilat është zgjedhë dhe e dimë që i njëjti president e ka nënshkruar marrëveshjen ndër më të dëmshmet deri tani për të ashtuquajturën Zajednicën, ku në 23 nene shkelet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ky nuk ka dhënë përgjegjësi për shkeljet e bëra. Ndërsa siç e dini, tani për t’i arsyetuar këto shkelje Serbia dëshiron të detyrojë Kosovën që Zajednica të implementohet sipas kësaj marrëveshje dhe jo në respektim të Kushtetutës së Kosovës”, tha Kollçaku.

Ajo u shpreh e bindur se deri më tani nuk është parë asnjë rezultat nga dialogu dhe formati me të cilin është biseduar. Sipas saj, për Kosovën vazhdojnë të bëhen konsensione të dëmshme.

Image

VV: Thaçi nuk ka legjitimitet për të udhëhequr dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi paraqet rrezik për vendin dhe nuk ka legjitimitet për të udhëhequr dialogun me Serbinë.

Kështu thanë zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në një konferencë për media ku ngritën shqetësimet e tyre lidhur me dialogun në nivel presidentësh që po vazhdon në Bruksel.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se së bashku me qytetarë duhet të bashkohen për të ndalur dëmet që po i shkaktohen Kosovës nga bisedimet Kosovë - Serbi.

"Hashim Thaçi në Bruksel nuk përfaqëson Kosovën. Ai e përfaqëson vetëm vetveten. Lëtë duhet ta dojë edhe BE-ja, pasi ai nuk ka legjitimitet. Përveç, partisë së tij, askush nuk e do atë si përfaqësues. Ne nuk mund të vazhdojmë me një dialog të tillë, pa e pasur një raport për dialogun deri më tash", tha Haxhiu.

Ajo numëroi disa nga pasojat e këtij dialogu, ku tha se si rezultat sot Serbia është në zemër të Kosovës.

Nënkryetarja Fatmire Kollçaku tha se shqetësues është fakti se në krye të bisedimeve është njeriu i cili nuk është president koncensual dhe i cili ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme për ‘Zajednicën’.

"Ai për të arsyetuar këto shkelje po dëshiron të bind se duhet të ndryshojë Kushtetuta e jo të jap presidenti përgjegjësi", theksoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat