Preteni: Agjencia Antikorrupsion të mos tërhiqet, të bëjë kallëzim penal ndaj Qeverisë për pagat

Aktuale

Preteni: Agjencia Antikorrupsion të mos tërhiqet, të bëjë kallëzim penal ndaj Qeverisë për pagat

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 12:59
Hasan Preteni

Ish-Shefi i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë gabim kur kishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave. Ka thënë se Qeveria kishte bërë shkelje ligjore kur ia kishte rritur vetes pagat. Ka thënë se aty ishte vepra penale e konfliktit të interesit.

 “Vetëvendosje nuk është dashur të kërkojë interpretim kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Sepse kjo çështje ka qenë ligjore. Dhe, këtu kemi të bëjmë më shkelje të pastër të ligjit”,

Pavarësisht situatës së re të krijuar pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Preteni thotë se Agjencia Antikorrupsion duhet të bëjë Kallëzim Penal në momentin kur kryhet vepra penale e konfliktit të interesit.

“Në momentin kur kryhet dëm material kryehet edhe vepra penale e konfliktit të interesit”.

Ai ka thënë se vendimi paraprak i Agjencisë ka qenë parandalues ndërsa nëse pagat e qeveritarëve shkojnë me rritje, atëherë, kryhet vepra penale e konfliktit të interesit.

“Agjencia Antikorrupsion duhet të bëjë Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve të Qeverisë dhe të mos shantazhet dhe as të mos kthehet prapa”, ka thënë Preteni të shtunën.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr prej Ramush Haradianjt kishte vendosur t’ia dyfishonte pagën zyrtarëve të Qeverisë. Mirëpo, vendimi nuk ishte zbatuar pasi VV kishte dërguar vendimin në Gjykatë Kushtetuese, e cila tha se çështja nuk është kushtetuese, por ligjore.

Këtë vendim, zyrtarët e Qeverisë e kanë interpretuar në favor të tyre. Edhe për shkak se vendimi prek edhe sistemin e drejtësisë, kur prokurorëve dhe gjyqtarëve iu dyfishohen pagat.

Në këtë situatë, vetëm Bedri Hamza, Ministër i Financave, ka refuzuar të marrë pagën me rritje. Nuk ka treguar nëse do të ndalojë ekzekutivin e këtij vendimi apo do të largohet krejtësisht nga Qeveria.

Hasan Preteni thotë se edhe nëse ushtrohet Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve të Qeverisë, të njëjtën lëndë s’ka kush ta trajtojë.

“Jo, nuk ka prokuror që mund ta trajtojë një lëndë të tillë. Sepse edhe Prokuroria dhe Gjykata janë në konflikt të interesit sepse ky vendim prek edhe pagat e tyre”, ka thënë Preteni.

“Në këto vitet e lirisë nuk ka vendim më antimoral, më antishtetëror dhe që përbën veprën penale të konfliktit të interesit”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat