Kuçi paralajmëron pasoja nëse vonohet Asociacioni

Aktuale

Kuçi paralajmëron pasoja nëse vonohet Asociacioni

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 12:17
Hajredin Kuçi

Sa më herët që të ishte zgjidhur çështja e asociacionit, sipas Hajredin Kuçit për Kosovën do të kishte më pak pasoja.

Zyrtari i lartë i PDK-së tërheqë vërejtjen se nëse qëndron marrëveshja e fundit me Serbinë, pasojat e saj do të vërehen edhe pas disa dekadash.

Këtë shqetësim Kuçi e ka ngritur në një intervistë për Kp, ku ka hequr dyshimet se Asociacioni i komunave serbe është pushtet i tretë në Kosovë. Kjo pasi Kushtetuta e Kosovës njeh vetëm dy pushtete dhe çdo ndryshim tjetër duhet bërë konformë saj.

Për ndryshimet eventuale, ai thotë se do të kishte dashur që të respektohet aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, si dhe të ketë një ekspertizë të theksuar në draftimin e statutit, me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtar.

Kuçi: Definimi territorial do të ndikojë negativisht edhe pas 30 viteve    

“Duhet t’i bindim partnerët ndërkombëtar, cili është ky draft i mirë, i pranueshëm, por asnjëherë që nuk lejon pushtet të tretë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Unë them sa më herët të kishte ndodhur raporti me asociacion, më pak pasoja do të kishte. Nëse mbetet në marrëveshjen e fundit, këtë që po e thonë juridikisht të obligueshme, do të ketë pasoja më të rënda dhe mbi të gjitha, definimi territorial, cili do qoftë ai, do të ndikojë negativisht në zgjidhjet që do të bëhen pas 20-30 viteve. Pra, hapat e sotëm në raport me asociacionin, duhet të shihen jo vetëm si të drejta momentale, jo vetëm si zgjidhja e një problemi për të lëvizur tek një çështje tjetër, por duhet të kemi kujdes që të mos mendojmë se po zgjidhim një problem, e po e krijojmë një problem që më vonë do t’i kushtojë edhe vendit, edhe tërësisë territoriale të vendit tonë, por edhe raporteve serbo-shqiptare, por edhe raporteve Kosovë – Serbi”, tha ai.  

Tutje, ai thotë se proceset politike në vend e kanë dinamikën e vet, por edhe limitet. Sipas tij, krahas Qeverisë së Kosovës, nevojitet edhe një partneritet më i theksuar ndërkombëtar.  

Kuçi: Ka nevojë për një partneritet më të theksuar ndërkombëtar

“Megjithatë unë mendoj se gjërat po lëvizin dhe duhet të lëvizin më shpejt. Janë disa gjëra që duhet t’i lëvizë vetëm Qeveria e Kosovës, ato që janë për vetëqeverisje në vend. Janë disa gjëra që duhet të kenë konsensus nacional. Me konsensus nacional e kam parasysh konsensusin politik sa më shumë që është e mundur, por minimum 2/3 sa më shumë që është e mundur. Dhe janë disa gjëra që duhet t’i kryejë secili individë dhe secili subjekt veç e veç. Unë besoj se një harmoni të këtyre veprimeve duhet të ketë dhe do ta quaj kështu: ka nevojë për një kohezion të shtuar dhe për një partneritet më të theksuar ndërkombëtar”, u shpreh Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat