Fajon: Shpresojmë që Komisioni do të dalë shpejt me vlerësimin për vizat

Aktuale

Fajon: Shpresojmë që Komisioni do të dalë shpejt me vlerësimin për vizat

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 15:43
Tanja Fajon

Komisioni Evropian pritet që gjatë këtij muaji të dalë me një qëndrim konkret se cili do të jetë fati i kosovarëve sa i përket heqjes së regjimit të vizave. E derisa pritja vazhdon, zyrtarët shtetërorë insistojnë se ky vit do të jetë koha kur vendi do ta gëzojë liberalizimin e vizave. Megjithatë, atyre po u kërkohet që të mos japin premtime për afate, pasi liberalizimi nuk do të ndodhë këtë vit. Tanja Fajon thotë se Parlamenti Evropian duhet ta ketë të qartë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet

Komisioni Evropian pritet të tregojë më 28 qershor nëse Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, në bazë të të cilit raport, institucionet e BE-së do të marrin vendim për heqjen ose jo të vizave. Këtë datë e konfirmoi ditë më herët, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, por evropianët deri më tani s'kanë treguar ndonjë datë.

Por, ish-kreu i partisë reformiste Ora, Veton Surroi, i ka këshilluar politikanët e vendit që të mos vazhdojnë me premtimin se do të ketë liberalizim vizash, pasi kjo siç ka thënë ai, sivjet nuk do të ndodhë. Ai thotë se viza për kosovarët mund të ketë veç vitin e ardhshëm.

“Politikanët nuk bëjnë mirë të vazhdojnë të premtojnë liberalizim vizash. Nuk ka vendim pozitiv për sivjet; për mundësitë e vitit 2019 pritet të diskutohet në fund të këtij viti. Ky është verdikti i cili po përgatitet të thuhet në Bruksel në fund të këtij muaji”, ka bërë të ditur Surroi.

Ndonëse nuk ka dashur t’i komentojë qëndrimet e Surroit për këtë çështje, raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka theksuar se BE-ja duhet ta ketë të qartë se janë plotësuar të gjitha kushtet që i hapin rrugë heqjes së vizave.

“Nuk mund të komentoj deklarata të tilla. Ne jemi duke pritur që Komisioni Evropian të japë vlerësimin e tij mbi gatishmërinë e Kosovës për heqjen e regjimit për viza. 

Parlamenti Evropian dhe qeveritë e BE-së duhet të marrin një rekomandim të qartë se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e mbetura. Është në dorë të KE-së që të japë një vlerësim të tillë dhe shpresojmë që kjo të ndodhë së shpejti”, ka thënë Fajon për Express.

Ajo ka bërë të ditur se është në kontakt të rregullt me Komisionin dhe institucionet e tjera përgjegjëse, dhe se është e gatshme që të vazhdojë punën në Parlamentin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Shteti i Kosovës vazhdon të jetë i izoluar dhe qytetarët e saj mbesin në pamundësi për të udhëtuar në vende të huaja, për shkak të politikave që duhen përmbushur.

Demarkacioni ishte kushti i vetëm që do t’i hapte rrugë liberalizimit e i cili mori epilog pas tre vjetësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat