Më 5 korrik interpelanca e Haradinajt për 53 milionë euro

Aktuale

Më 5 korrik interpelanca e Haradinajt për 53 milionë euro

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 14:39
Mbledhja e Kryesisë

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që më 5 korrik, në orën 10:00, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re.

Pas pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës, do të mbahet interpelancë e kryeministrit Ramush Haradinaj në lidhje me pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në Kontratën për ndërtimin e Autostradës R6, Prishtinë-Hani i Elezit.

Në këtë seancë, do të shqyrtohet në parim Projektligji për efiçiencë të energjisë, ndërsa në lexim të dytë, Projektligji për shërbimet postare dhe ai për masat mbrojtëse në importe.

Pritet gjithashtu shqyrtimi i raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për vitin 2017 dhe i propozimit të Grupit Parlamentar të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Kësaj seance do t’i shtohen edhe pika të tjera, të cilat do të jenë të gatshme për shqyrtim.

Në mbledhjen e së premtes, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëvperimtaria e saj.

Kështu, nisma legjislative “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës”, hartuar nga Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, u procedua për mendim në qeveri. Deputetëve, ndërkaq, do t’u shpërndahen tri projektligje të tjera: Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Hetim Parlamentar, hartuar nga nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, mbështetur edhe nga 11 deputetë, Projektligji për peticione, hartuar nga deputetja Albulena Haxhiu, mbështetur edhe nga 10  deputetë të GP të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për familjen i Kosovës, hartuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit. .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat